ShowBiz

“Gjithçka nisi rrugës për në Durrës”, Moza Ahmeti dhe Bujaka rrëfejnë si lindi bashkëpunimi

Mimoza Ahmeti dhe DJ Bujaka duket se e kanë marrë me vete miqësinë e krijuar në “Ferma VIP”, edhe pas përfundimit të spektaklit.

Dy personazhet, që në fillim dukeshin mjaft të ndryshëm, u shndërruan gjatë aventurës televizive në një nga dyshet më të komentuara. Batutat, bisedat, kërcimet dhe momentet e shumta së bashku bënë që afrimiteti i tyre të vihej re që në ditët e para.

Edhe pse pak para finales patën një përplasje, raporti mes tyre nuk përfundoi me mbylljen e kamerave. Përkundrazi, pas “Ferma VIP” ata janë takuar sërish, këtë herë edhe për arsye profesionale.

Të ftuar në “Mes’dritë”, Moza dhe Bujaka folën për miqësinë e tyre, por edhe për bashkëpunimin muzikor që solli këngën “Lule Mimoza”.

“Pas Fermës jemi takuar shpesh me njëri-tjetrin për punë”, tregoi Moza.

Ndërsa Bujaka e përshkroi lidhjen me artisten si diçka më të veçantë se një raport i zakonshëm mes kolegësh.

“Ne me Mozën kemi një botë pak më interesante. Na kanë lidhur shumë gjëra, mbase s’i kam bërë as me kolegë të mi çfarë kam bërë me Mozën”, u shpreh ai.

Mimoza, nga ana tjetër, vlerësoi energjinë dhe mënyrën e të menduarit të Bujakës, duke e cilësuar një mik dhe bashkëpunëtor shumë të mirë.

“Unë te Bujaka kam gjetur një person që ka energji, ambicie dhe realitet veprimi. Mund t’i kesh këto, por nuk vepron. Përpara tij është gjithmonë një projekt. Njeriu duhet të shikojë aty ku shfaqet mundësia dhe Bujaka është një person që e kërkon mundësinë dhe ta jep mundësinë. E dua shumë dhe e konsideroj një mik e koleg pune shumë të mirë”, tha ajo.

Si lindi “Lule Mimoza”?

Bujaka zbuloi edhe historinë pas këngës “Lule Mimoza”, një projekt që, sipas tij, e kishte menduar prej rreth dy vitesh dhe dëshironte ta realizonte pikërisht me Mozën.

Ai tregoi se ideja u konkretizua gjatë një udhëtimi në Durrës, kur i vendosi këngën në makinë.

“Kur kemi shkuar në Durrës me Mozën se kemi pasur një event, kur doja ta çoja në shtëpi e vendosa në makinë këngën ‘Lule Mimoza’. I pëlqeu shumë. Unë doja ta bëja me Mozën. I thashë edhe nëse nuk dëshiron, do ta nxjerr vetë. Ishte si manifest, sepse unë e kisha para dy vjetësh si këngë”, rrëfeu Bujaka.

Në fillim, megjithatë, Moza kishte pasur dilema për t’u bërë pjesë e projektit. Ajo zbuloi se fillimisht ishte menduar edhe një bashkëpunim tjetër.

“Unë hezitoja që të merrja pjesë. Dikush më tha, nga organizatorët e Fermës, që jemi në përpjekje për të bërë një bashkëpunim me Taynën. Tha: ‘E kam mbyllur albumin për këtë vit’. Pastaj vendosa të vazhdoja me Bujakën”, tregoi ajo.

Duket se “Lule Mimoza” mund të mos jetë bashkëpunimi i fundit mes tyre. Bujaka la të hapur mundësinë për projekte të tjera, madje duke përmendur edhe një album të përbashkët.

“Moza e do artin, e do muzikën. Mund të prisni ndonjë album tani mes nesh. Unë kënaqem kur punoj me Mozën”, deklaroi ai.

Kështu, ajo që nisi si një miqësi e veçantë brenda “Ferma VIP” po merr tashmë edhe një tjetër dimension, atë artistik./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button