Politike

Behgjet Pacolli hidhet në kundërsulm ndaj klanit “Balluku”, shkarkon administratorin e Aeroportit të Vlorës

Përplasja për kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë një kthesë drastike. Pasi zbardhi publikisht dhe përpara prokurorëve të SPAK-ut skemën e tentative-shpronësimit të investimit të tij, biznesmeni Behgjet Pacolli është hedhur në një kundërsulm frontal për të marrë kontrollin e plotë drejtues të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA).

Përmes një lëvizjeje të kalkuluar mirë administrative, kompania “Mabco Constructions” e Pacollit ka goditur bërthamën e drejtimit të kantiereve duke shkarkuar administratorin e vendosur nga ortaku minoritar Valon Ademi — njeriu që sipas dokumenteve dhe denoncimeve ka shërbyer si ekzekutuesi i interesave të klanit politik të lidhur me ish/zv.kryeministren Belinda Balluku dhe kryeministrin Edi Rama.

Mbledhja dhe spastrimi në QKB

Dokumentet zyrtare tregojnë se më 17 tetor, “Mabco Constructions” thirri mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë VIA, me një pikë të vetme në rendin e ditës: shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha dhe zëvendësimin e tij me Eglantina Seferajn. Mbledhja u zhvillua në mungesë të përfaqësuesve të “2A Group”.

Pasi konstatoi kuorumin, presidenti Emin Pacolli zyrtarizoi shkarkimin e Hoxhës dhe emërimin e Seferajt. Megjithëse Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) fillimisht e pezulloi regjistrimin me arsyetimin e mangësive në dokumentacion, këtë të premte ndryshimi është pasqyruar zyrtarisht në ekstraktin e shoqërisë VIA.

Prej sot, administratorja e vetme ligjore e aeroportit rezulton Eglantina Seferaj. Vegim Hoxha ishte emëruar si administrator nga Valon Ademi në dhjetor të vitit të kaluar, në një kohë kur një vendim gjyqësor kishte pezulluar të drejtën e votës për “Mabco”, duke i lënë dorë të lirë ortakut me vetëm 2% të aksioneve të merrte kontrollin fizik e financiar të projektit 300-milionësh.

Lojë shahu me kuotat

Vendimi i Emin Pacollit për shkarkimin e Hoxhës u mor vetëm dy ditë pasi ky i fundit kishte bërë një tentativë surprizë në QKB për të regjistruar transferimin e 47% të aksioneve nga “Mabco” tek “2A Group”. Ndonëse QKB e regjistroi fillimisht këtë lëvizje më 19 tetor, vetëm një javë më vonë u detyrua ta anulonte atë, pasi u konstatua se mungonte pëlqimi i domosdoshëm nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

Kuotat u rikthyen menjëherë në gjendjen e mëparshme ligjore: 98% për “Mabco” të Pacollit dhe vetëm 2% për “2A Group” të Ademit. Posa u rikthye barpesha e kuotave, Pacolli shfrytëzoi dritaren ligjore për të ekzekutuar “mat-in” e radhës: eliminimin e administratorit të palës kundërshtare nga QKB.

Prapaskenat

Kjo përplasje për vulën e administratorit nuk është një thjesht një “mosmarrëveshje mes ortakësh”, siç ka tentuar ta paraqesë Ministria e Infrastrukturës. Ajo është vijimi i një përballje të fortë ligjor që është zhvendosur edhe në dyert e SPAK-ut .Dëshmia prej 7 orësh e Behgjet Pacollit në SPAK, si dhe zbulimet e tij publike, shënojnë nisjen e hetimeve që rrezikojnë të zbardhin rrjetin e lidhur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sqarimet e dhëna nga ministria po rrëzohen përballë dokumenteve që tregojnë se si një ortaku me vetëm 2% të aksioneve, përmes lidhjeve me ndikim politik, iu mundësua të marrë kontrollin faktik të projektit përballë investitorit që zotëron 98% të kuotave.

Takimi fiktiv në zyrën e Ballukut dhe skema me turqit

Behgjet Pacolli zbuloi prapaskenat se si u përfshi në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, duke zbardhur një takim skandaloz në zyrën e Belinda Ballukut. Pacolli tregoi se Valon Ademi i shpalosi idenë e koncesionit sepse vetë nuk i kishte as referencat e as mundësitë financiare.

Më pas, Pacolli mori një telefonatë nga përfaqësuesi i kompanisë turke “YDA Group”, i cili e njoftoi se kishte marrë udhëzim nga Presidenca turke për të udhëtuar në Shqipëri për ndërtimin e një spitali dhe bashkëfinancimin e aeroportit. Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Infrastrukturës, Pacolli rrëfeu se mbeti i fyer pasi ministrja bënte bisedime vetëm me përfaqësuesin turk duke i kthyer kurrizin atij, çka e detyroi të largohej nga zyra. Pas takimit, aksionet u ndanë: Pacolli 58%, turqit 40% dhe 2% t’i jepeshin Valon Ademit.

Loja me “YDA Group”, 3 milionë eurot për letrat dhe miratimi nga Balluku

Përfshirja e kompanisë turke “YDA Group” u bë vetëm për të plotësuar kriterin e përvojës në ndërtimin e aeroportit – kusht pa të cilin nuk justifikohej përmbushja e kritereve të garës. Menjëherë pas marrjes së tenderit, turqit u larguan duke arkëtuar sipas Pacollit 3 milionë euro vetëm për letrat e dhëna, ndonëse në akte shitja e 40%-shit figuronte për një shumë prej 4200 eurosh.

Sipas ligjit për Koncesionet dhe PPP-të, përpara ndryshimit të çdo aksioneri në kontratë duhet marrë fillimisht miratimi i Autoritetit Kontraktor dhe Ministrisë së Financave. Ndryshimi i aksioneve që kaluan nga turqit te Pacolli në dhjetor të vitit 2022 është miratuar me firmë nga vetë ministrja Belinda Balluku dhe Ministria e Financave, çka dëshmon se autoritetet shtetërore ishin palë në organizimin e kësaj gare me një kompani turke të futur vetëm për letra.

Manipulimi i kritereve të tenderit dhe dosja e SPAK

Tenderi i shpallur në fund të vitit 2020 u shoqërua me shkelje të procedurave. Katër ditë para garës, kapaciteti u zbrit nga 10 milionë në 2 milionë pasagjerë dhe kullat e kontrollit nga 2 në 1, me qëllim që fituesit të ishin ata që u paracaktuan. Ndërkohë, kompania tjetër konkurrente “AL-DE Corporation LTD” u skualifikua nga gara me justifikime banale. Denoncimi i “AL-DE Corporation” çoi në hapjen e hetimit nga SPAK për shpërdorim detyre, favorizim të palëve dhe shkelje të barazisë në tendera, duke marrë të pandehur 7 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Roli i Valon Llukës

Roli i Valon Llukës në aferën e Aeroportit të Vlorës ishte ai i trojanit nga brenda që i hapi rrugën sekuestrimit dhe shpronësimit të investimit. Si administrator historik i grupit “Mabetex” dhe ish-administrator i vetë shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport”, Lluka ishte njeriu që mbante në dorë të gjitha fijet ligjore, financiare dhe menaxhuese të projektit. Por në vend që të mbronte interesat e koncesionarit ku “MABCO” e Pacollit zotëronte 98 për qind të aksioneve dhe kishte hedhur mbi 300 milionë euro garanci e investime, Lluka u kthye në instrumentin kryesor të bllokimit.

Sipas denoncimeve të publikuara, Lluka izoloi dhe goditi nga brenda ish-patronin e tij, duke negociuar në mënyrë të fshehtë me grupin rival të Valon Ademit (“2A Group”) dhe duke lejuar që ortaku minoritar me vetëm 2 per qind të aksioneve të merrte kontrollin fizik e administrativ të kantierit. Ai mundësoi që mbi 35 milionë euro nga garancitë bankare të lëvroheshin drejt kompanisë së Ademit, ndërkohë që “MABCO” u bllokua me masa sigurimi fiktive në gjykata e QKB, duke mos u lejuar të merrte asnjë vendim.

Arbër Abazi dhe Valon Ademi: Prestanomet e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës

Nga ana tjetër dokumentet e regjistrave tregtarë në Shqipëri dhe Kosovë, historiku i tenderëve dhe dosja e SPAK-ut për Belinda Ballukun, nxjerrin në sipërfaqe dy prestanomet Valon Ademi dhe Arbër Abazi. Sipas SPAK-ut, Arbër Abazi mori përsipër pagesat për përfundimin e vilës së Belinda Ballukut, ndërsa kompania e lidhur me të, ALKO-IMPEX, fitoi së bashku me kompaninë 2T tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, përfaqësues i autorizuar i degës së 2T-së shqiptare del pikërisht Valon Ademi. Po ashtu, babai i tij Imer Ademi (51%) dhe familja zotërojnë ALKO-IMPEX në Kosovë. Valon Ademi është pronar i 2A Group, kompanisë që zotëronte vetëm 2% të Vlora International Airport. Lidhja vijon te koncesioni “ECO CLEANING” në Kamëz (krijuar nga ALKO-IMPEX dhe 2T), ku administrator figuron Taulant Godroli – i cili rishfaqet në historinë e Aeroportit të Vlorës si përfaqësues ligjor. Në vitin 2018, 2A Group, ALKO-IMPEX dhe 2T kishin punuar bashkë te Autostrada e Gjilanit në Kosovë (kontratë 8.7 mln euro) e dyshuar për abuzime, ku menaxheri i kontratës Nebi Luzha kaloi më pas si drejtues teknik te Aeroporti i Vlorës.

Nga lidhjet e biznesit te kontrolli i Aeroportit të Vlorës

Në letër, MABCO zotëron 98% të aksioneve dhe 2A Group e Valon Ademit vetëm 2%. Megjithatë, 2A Group arriti të ushtronte kontroll faktik mbi VIA-n, ndërsa MABCO u përball me vendime gjyqësore që i kufizuan të drejtat. Valon Ademi doli të ishte faktor i rëndësishëm falë lidhjeve që të çonin tek Belinda Balluku e pas saj te Edi Rama. Në këtë skemë shfaqet edhe gjyqtarja Mariana Shegani Dedi, bashkëshorti i së cilës, Ilir Shegani, rezulton i punësuar në Albcontrol nën varësinë e Ballukut.

Formula e përdorur nga ministria si “mosmarrëveshje mes ortakëve” nuk mjafton më. Lidhjet e dokumentuara ngrenë pyetjen nëse pas kësaj funksionoi një rrjet biznesi me ndikim politik që ndihmoi ortakun me 2% të merrte kontrollin nga investitori me 98%. Nëse SPAK i shkon deri në fund hetimeve, del se institucionet e shtetit u përdorën nga dyshja Rama-Balluku për të kryer rrëmbimin e një prone në mes të ditës, gjë që në një arbitrazh ndërkombëtar mund t’u kushtojë miliona euro qytetarëve shqiptarë./sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button