Biografia e panjohur e Enver Hoxhës, e vitit 1969: Në Korçë, në fillim banoi në shtëpinë e familjes Belba

Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp.
Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij.
Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi..
Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981.
Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”! Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”.
Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna;
HOXHA Enver
Viti akademik 1934-1935
Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër)
Numri i regjistrit; 2821
Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”.
Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”.
Paris, 22 shkurt 1969 Nos Qosja
Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944.
Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al.
Vijon nga numri kaluar
DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS
Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939
Nga Aqif Selfo
6.1.1969
Enveri arsimtar dhe aktiviteti i tij
1936 – 1939
Në fillim të vitit shkollor 1936-1937, pas shumë përpjekjesh, Enveri u emërua si profesor në gjimnazin e Tiranës, por jo definitiv por provizor, ai paguhej jo me rrogë mujore fikse, por në bazë të orëve që bënte, d.m.th., të orëve efektive. Këtu jepte, ndërmjet mësimeve të tjera, edhe gjeografinë e Shqipërisë, në klasat e ulta të gjimnazit. Enveri nuk qëndroi shumë kohë në gjimnazin e Tiranës. Në këtë periudhë Zogu kishte zëvendësuar qeverinë gjoja liberale të Mehdi Frashërit, me një qeveri reaksionare me kryeministër Koço Kotën dhe me ministër të Brendshëm Musa Jukën. Kjo qeveri, menjëherë, mori masa të rrepta kundër të gjithë atyre që kishin ide përparimtare dhe që kishin rënë, shumë a pak, në sy të autoriteteve të vendit. Një nga këto masa ishte dhënia e urdhrit, në ditët e para të prillit 1937, për internimin e shumë vetave, ndërmjet tyre ishin edhe dy arsimtarë të liceut të Korçës. Njeri prej tyre, Perikli Mborja, jepte mësimin e Moralit dhe Gjuhën frënge, në klasat e ulta të liceut. Perikli Mborja ishte një i ri ekscentrik, shumë egoist dhe mizantrop.
Sigurisht ekscentricitetit i tij i theksuar dhe disa shfaqje antiklerikale të tij, në kohën që ishte si profesor në gjimnazin e Shkodrës, bënë që të shënohesh nga autoritet e Zogut, në listën e atyre që u internuan në Gramsh. Pas disa muajve të internuarit u liruan dhe ky arsimtar, si dhe të internuarit e tjerë, erdhi në familjen e tij. Ky tip ekscentrik, ndryshe nga të internuarit e tjerë, mjekrën që e kishte lënë t’i rritej, gjatë internimit, e mbajti edhe pasi u lirua dhe erdhi në Korçë ashtu me mjekër të pa rruar. Sigurisht ai donte të tregonte se ishte njeri “i persekutuar i regjimit”.
Ky njeri “i persekutuar i regjimit”, pas disa kohe, për shkak se ishte i ftuar në Tiranë nga ministri i Brendshëm Musa Juka, rrojti mjekrën. Takimi i tij me Musa Jukën ngjalli dyshim dhe habi të madhe në të njohurit e tij, por për atë ishte një gjë e zakonshme. Bile një i njohuri i tij, që e takoi para takimit të tij me ministrin e Brendshëm i thotë se; ç’ishte ky takim me Musa Jukën? Ai pa pikën e turpit i thotë: unë shkoj me atë që më paguan më mirë dhe më shumë. Për këtë tip çdo gjë lidhej me paranë. Në vitin shkollor 1937-1938, ky u emërua profesor në “Normalen” e Elbasanit. Më vonë me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi italian, shkoi në Itali. Këta, bashkë me një kolegun e tij, me fashistin e tërbuar Frano Alkaj, u bënë kontrabandistë dhe aventuriere ndërkombëtare.
Pra për zëvendësimin e këtij arsimtari imoral, që jepte moralin në liceun e Korçës, Ministria e Arsimit transferoi Enverin, nga gjimnazi i Tiranës, në Liceun e Korçës. Enveri me njëherë erdhi në Korçë dhe filloi nga detyra me 6 prill 1937. Edhe në Korçë ai nuk paguhej me rrogë të caktuar si gjithë arsimtarët e tjerë, por gjithnjë paguhej në bazë të orëve që bënte. Gjatë qëndrimit të tij në Korçë, Enveri, me përjashtim të një kohe të shkurtër, në fillim, që banoi në shtëpinë e familjes Belba dhe të pak ditëve në shtëpinë e profesorit francez Andrea Brexho, gjithë pjesën tjetër të kohës ka banuar në familjen e Andrea Theohari, Rruga Pandeli Cale 13. Në këtë familje Enveri gjeti një ambient mikpritës sidomos për shërbimin që i bëhej, në radhë të parë nga e ëma e Andresë, Vanthulla, dhe nga e shoqja e Andresë, Polikseni.
Kjo familje është sjellur ndaj Enverit si me birin e tyre. Këtë sjellje e kanë treguar gjithnjë por veçanërisht në kohën që Enveri vuajti nga një artrit reumatizmal në gju, në marsin e vitit 1938. Në këtë kohë, nga dhimbja e madhe që kishte nuk mund të ecte dhe u detyrua të qëndronte në shtrat. Mjekimet që i bënë doktorët e Korçës, nuk bënë asnjë efekt. Ahere vendosëm që Enveri të dilte jashtë shtetit në Bari, Itali. Këtu Enveri kishte të motrën me gjithë familjen. Nga Korça e nisëm me aeroplan për Tiranë dhe prej këndej u nis për Bari. Pas disa dite që shkoi në Bari, na dërgoi një telegram ku tregonte që ishte më mirë, në shërim e sipër dhe së shpejti kthehej përsëri në Korçë. Në këtë mënyrë Enveri, pasi u përmirësua, erdhi përsëri në Korçë dhe filloi nga detyra.
Enveri në Lice, jepte mësimin e Moralit dhe gjuhën frënge. Këtu ai shpejt fitoi simpatinë e nxënësve. Ajo që hoqi vërejtjen tek nxënësit, që në mësimet e para, ishte qëndrimi i tij i thjeshtë, i afruar dhe i butë. Enveri i porositi nxënësit, veçanërisht për mësimin e Moralit, duke u thënë; ‘gjer sa të vijë teksti për këtë mësim, unë do të flas, kurse ju do të dëgjoni me vëmendje. Në fund mund të bëjmë një provim. Shënime nuk do të mbani’. Kjo mënyrë e dhënies së mësimit të Moralit dhe trajtimi i temave në një mënyrë të tillë, ndryshe nga sa u ishte dhënë më parë, u dha të kuptonte nxënësve se profesori i ri i Moralit, kishte mendime dhe idera përparimtare në interpretimin e koncepteve të ndryshme. Nxënësit e klasave ku jepesh mësimi i moralit, sipas programit të liceut, filluan ta donin dhe ta respektonin, profesorin e tyre të ri, ndryshe nga profesorët e lëndëve të tjera.
Rreth dhënies së mësimit të moralit në lice nga Enveri, një nga nxënësit e tij, të vitit shkollor 1936-1937, Xhuvi Bino, në artikullin me titull “Profesori i ri”, botuar në revistën “Arsimi Popullor”, viti 1957 Nr.6, shkruan: “Ne e dëgjuam me kujdes atë orë e gjithë vitin. E prisnim me padurim të vinte mësimi i Moralit, se pak nga pak, orë për orë, na zbulohej një botë e re me zakone të reja, me njerëz të rinj, me moral të ri, Bashkimi Sovjetik që pedagogu ynë aq herë e zinte në gojë e aq dendur, na e linte ta kuptonim vetë. Enveri kujdesej shumë edhe për përparimin e nxënësve. Ai i këshillonte vazhdimisht nxënësit që nuk mësonin. Ja se çfarë i ndodhi një ditë në një klasë ku ai jepte mësimin e gjuhës frënge. Në këtë klasë, ndërmjet nxënësve ishte edhe një nxënës, bir i një pronari të fabrikës së Makaronave në Durrës. Ky djalë ishte i zgjuar, por duke patur të holla nëpër duar jashtë masës, merrej më shumë me lodra dhe e shkonte kohën kot. Pra ky nxënës nuk mësonte vazhdimisht edhe atë ditë, si zakonisht nuk e kishte mësuar mësimin.
Me këtë rast Enveri, si gjithnjë në këto raste, e këshilloi që të mësonte, se për këtë kishte ardhur në shkollë dhe shtoi: ‘shiko shokun tënd që ke pranë (duke i treguar një nxënës tjetër, bir i një elbasanasi, që ishte arratisur, në dhjetor 1924, në Itali dhe ishte kthyer përsëri, pas disa vjetëve, në Shqipëri), ai mëson dhe i lumtë, si atij dhe gjithë atyre që mësojnë’. Nxënësi që nuk mësonte, merr guximin dhe i përgjigjet, duke i treguar shokun e tij. ‘Ky duhet të mësojë, se kështu mund të nxjerrë bukën e gojës, kurse unë nuk kam nevojë për asgjë, im atë ka aq para, sa unë të rroj si jo më mirë’.
Enveri, i revoltuar nga këto mendime të këtij nxënësi, merr fjalën duke iu drejtuar atij dhe gjithë klasës, ndërmjet të tjerave, tha: ju nesër do të jeni burra të rritur dhe vendi do që të ketë qytetarë të zotë, me kulturë të shëndoshë se kështu ky vend do të eci përpara, kurse me njerëz të pa ditur dhe pa vlerë, do të jetë një vend i prapambetur dhe populli do të jetë gjithnjë në një mjerim të madh. Ju, duke mësuar, do të bëheni të aftë për t’i shërbyer vendit dhe popullit si jo më mirë dhe kështu do të jeni të nderuar nga të gjithë’. Ky qëndrim i Enverit dhe kujdesi i tij që tregonte ndaj nxënësve, pritej mirë prej tyre. Ata, për këto këshilla dhe për kujdesin që tregonte për ta, e donin dhe e respektonin së tepërmi.
Enveri në shkollë, në klasë para nxënësve, ose në sallën e profesorëve para kolegëve të tij francezë e shqiptarë, nuk linte rast pa treguar tërthorazi ose hapur mendimin e tij antifashist. Ja se çfarë ndodhi një ditë në sallën e profesorëve. ‘Gazeta Shqiptare’, organ i fashizmit italian, dilte në Bari (Itali). Kjo gazetë kishte për qëllim propagandimin e fashizmit në Shqipëri. Në këtë fletushkë ishin të rrallë ata që abonoheshin në të, po megjithëkëtë, ajo u shkonte të gjithëve në adresat e tyre. Po kështu na vinte edhe neve, arsimtarëve shqiptarë të liceut, pa qenë njeri i pajtuar me dëshirën e tij. Ne dhe shumë të tjerë, as që e shfletonim kurrë këtë fletushkë. Një ditë ata të redaksisë u kujtuan për të vjelur abonimet dhe një njeri i ngarkuar për këtë qëllim, erdhi edhe në Liceun e Korçës. Ishte pushimi i madh, ndërmjet mësimeve, dhe profesorët, me mbarimin e mësimit, me regjistra në duar, hynin në sallën e profesorëve. Po ndryshe nga herët e tjera, atë ditë, në sallën e profesorëve ishte ulur, në krye të tavolinës, një njeri i panjohur dhe kishte shpalosur disa fletë dhe blloqe.
Kur salla e profesorëve u mbush nga ardhja njeri pas tjetrit e kolektivit mësimor, i panjohuri mendoi se nuk kishte njeri tjetër që mund të vinte, ahere ai u paraqit: ‘zotërinj, jam i deleguar i ‘Gazetës Shqiptare’ dhe i ngarkuar për të mbledhur abonimet vjetore, prandaj ju lutem të më paguani edhe ju abonimin e gazetës’. Në këtë kohë disa nga kolegët tanë hodhën duart nëpër xhepa për të nxjerrë të hollat, por pa pritur ndërhyn Enveri dhe pyet të deleguarin e gazetës: ‘Kush na ka abonuar në këtë gazetë’? Mysafiri i pa ftuar u përgjigj: ‘Ministria e Arsimit’. Ahere Enveri, aty për aty i thotë: ‘Me që është kështu, Ministria e Arsimit na ka abonuar, ajo le të paguaj vetë’. Pas këtij dushi ata, nga kolegët, që kishin hedhur duart në xhepa, i hoqën pa nxjerrë gjë prej tyre, kurse i dërguari i gazetës mblodhi fletët dhe blloqet dhe pasi i vuri nën sqetull, u ngrit për të dalë jashtë i zëmëruar, duke murmuritur nëpër dhëmbë: ‘Unë për këtë do të vë në dijeni Ministrinë e Arsimit’.
Pas kësaj ngjarje, personeli mësimor shqiptar shpëtoi për gjithnjë nga kjo fletushkë fashiste. Enveri bisedonte shpesh herë, për atë që kishte në zemër, për Bashkimin Sovjetik. Ai e tregonte pa u ndrojtur dashurinë e madhe për vendin e parë socialist në botë dhe fliste me simpati të madhe për të. Këtë e tregonte vazhdimisht me njërin e tjetrin, me shokë të njohur; por në mënyrë të hapët dhe përpara shumë vetave e tregoi në sallën e profesorëve të liceut i provokuar nga një kolegu i tij francez. Profesori i filozofisë Mejer, i njohur për idetë e tij konservatore dhe reaksionare, ishte duke shfletuar revistën franceze ‘Ilystracion’ (‘Illustration’). Kjo revistë e ilustruar, në një nga numrat e saj, shkruante, ndërmjet të tjerave, edhe për paradën, më duket e 7 Nëntorit 1937 në Sheshin e Kuq, që zhvillohej përpara udhëheqësve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të qeverisë sovjetike. Fotografitë paraqitnin parakalimin e forcave të armatosura të Ushtrisë së Kuqe dhe të punonjësve të Moska.
Në pamjen e këtyre fotografive profesori i filozofisë u skuq në fytyrë, dhe duke përpjekur dorën mbi tryezë, thirri me të madhe dhe me ironi: ‘Ja se si Rusia lufton për paqen’! Të gjithë u drejtuan nga ai dhe e shikuan në sy, por Enveri me një herë iu përgjigj. ‘Bashkimi Sovjetik, i tha ai, është një vend që e do dhe e mbron paqen me të gjitha forcat, por kjo nuk do të thotë që ai nuk ka të drejtë të ketë një ushtri të zonjë dhe të pajisur mirë, për të siguruar dhe mbrojtur vendin e vet nga çdo kërcënim dhe agresion i jashtme’. Profesori i filozofisë nuk u përgjigj fare, ai tundi vetëm kokën. Kjo përgjigje e guximshme dhe e drejtë bëri një përshtypje të madhe në gjithë personelin mësimor të liceut, francez dhe shqiptar.
Liceu i Korçës ka qenë, gjatë regjimit të Zogut, një çerdhe me rëndësi për mbajtjen gjallë të ideve patriotike dhe për përhapjen e ideve përparimtare. Nxënësit e liceut i merrnin këto ide jo vetëm nga tekstet e literaturës frënge por edhe nga disa profesorë shqiptarë që jepnin mësim në këtë institucion. Rreth kësaj çështje po shënoj një pjesë nga artikulli – “Kujtimet e një ish nxënësi” (me rastin e 40 vjetorit të gjimnazit “Raqi Qerenxhi” ish -Liceu i Korçës) shkruar nga Aqif Selfo në ‘Arsimin Popullor’ Nr.7 viti 1957: “Idetë patriotike, gjatë regjimit të Zogut, janë mbajtur të gjalla në masën e nxënësve të Liceut të Korçës. Shumë profesorë i kanë dhënë një kontribut të madh në këtë drejtim. Profesor Kostaq Cipo nuk linte rast pa folur për çështje patriotike dhe tërthorazi kundër regjimit të Zogut.
Me mallëngjim fliste për ditën e pavarësisë – për ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 -, me dashuri të madhe fliste për shkrimtarët tanë Naimin, Çajupin etj. Për këtë qëndrim ai u thirr disa herë në prefekturë ku i hiqnin vërejtjen për idetë e tij përparimtare.
Kish nga ata që flisnin pothuaj hapur mbi gjendjen e keqe ekonomike të vendit, mbi mos-barazinë që ekzistonte në regjimin e Zogut dhe si rrjedhim për moralin e asaj shoqërie, i tillë ishte Enveri. Veprimtaria e Enverit kishte rënë në sy dhe organet lokale të Korçës kishin dijeni. Një ditë, aty nga muaji prill 1938, Enveri lajmërohet, në shkollë, që në orën 12 të shkonte se e kërkonte prefekti. Para se të shkonte, Enveri lajmëroi një kolegun e tij korçar dhe i tha si qëndronte puna, duke shtuar që në rast se vonohesh dhe e mbanin atje, të interesohesh për t’i dërguar nga shtëpia ndonjë send. Në orën e caktuar Enveri shkoi tek prefekti, i cili priste dhe zhvilloi me të këtë bisedë:
– “Si e ke emrin? mor bir”, e pyeti prefekti.
– “Enver”!
– “Mor Enver, pse nuk rri urtë në shkollë, vazhdoi prapë prefekti: na kanë thënë se ti atje flet për komunizmin, por ruhu djalë, se çdo gjë që bën ti atje, na vinë me një herë këtu, prandaj ki mendjen, komunizmi nuk është për ne – shko dhe ki mendjen”.
Sjellja dhe qëndrimi i Enverit, kishin krijuar në mësuesit dhe në profesorët e liceut një respekt të madh dhe një dashuri të pakufishëm për të. Por ndërmjet kolegëve kishte edhe ndonjë që ishte kundër çdo gjëje përparimtare dhe vegël e regjimit, sigurisht njeri prej tyre ishte ai që informonte organet e pushtetit lokal, për ato që ndodhnin në Lice. Këtë e vërteton edhe vetë prefekti, në bisedën që pati me Enverin, kur i thotë: ‘çdo gjë që bën ti atje, na vinë me njëherë këtu’. Profesorët e Liceut, shqiptarë dhe francezë, në përgjithësi ishin të mirë, punëtorë dhe të sjellshëm. Por ndërmjet tyre kishte edhe nga ata që kishin idera reaksionare. Me tipa të tillë Enveri ishte gjithnjë në kundërshtim të hapët, si bie fjala me profesorin e muzikës, Sotir Kozmo, ose me profesorët francezë, me atë të filozofisë, Mejer dhe me atë të histori-gjeografisë, Andrea Brezho.
Andrea Brezho ishte nga profesorët francezë më reaksionari, ai ishte ekstremist i së djathtës dhe partizan i tërbuar i restaurimit të regjimit mbretëror në Francë, ishte monarkist. Këtë profesor Enveri e kishte patur profesor si në Gjirokastër, ashtu edhe në Korçë dhe kur erdhi edhe ai vetë në lice e pati edhe koleg. Andrea Brezho kishte një shtëpi të mobiluar mirë dhe një bibliotekë të pasur. Enveri, në Korçë, megjithëse e njihte dhe dinte mirë se çfarë idera kishte, takohesh, kohë mbas kohe, në vende të ndryshme dhe sidomos në shtëpinë e profesorit. Bisedimet ndërmjet Enverit dhe Andrea Brezho, ktheheshin në një polemikë të hapët, po megjithëkëtë Enveri nuk e shkëpuste me të. Ai shkonte vazhdimisht në shtëpinë e tij për të shfrytëzuar bibliotekën, ose për të marrë ndonjë libër për ta lexuar në shtëpi. Bile edhe kur profesor Brezho shkonte në Francë, për pushimet, çelësat e shtëpisë ia linte Enverit. Në këtë periudhë Enveri e kalonte pjesën më të madhe të kohës atje, bile edhe për të fjetur, duke shfrytëzuar bibliotekën e tij.
Rreth një bisede të zjarrtë, ndërmjet Enverit dhe profesor Brezho, Skënder Topulli tregon: “Ishim duke ngrënë bukë në restorantin ‘Minerva’, ish periudha e luftës së Spanjës dhe sh. Enver i tha se Frankos në Spanjë po i rrëshqet toka në këmbë, me gjithë ndihmat e fashizmit gjerman dhe të Duçes, populli spanjoll dhe brigadat internacionale luftojnë për një çështje të drejtë për çlirimin e popullit spanjoll nga regjimi i hurit dhe i litarit të Frankos dhe fitorja do të jetë e popullit”. Brezho i revoltuar nga pikëpamjet e sh. Enver, me një nervozitet nxjerr nga xhepi një telegram që kishte marrë nga një oficer i kufirit të Zogut (Eqrem Telhaj), i cili e uronte profesorin francez për një fitore të Frankos në Madrid. Si i marrë, profesori i drejtohet sh. Enver, duke i thënë: ‘ja kjo është rinia patriote e Shqipërisë dhe jo ju që mendoni t’i vini kazmën këtij vendi’. Sh. Enver iu përgjigj se; me atë rini që ti ke të bësh, janë plehrat e rinisë sonë. Ata janë mykur si ti nga koka dhe janë hyzmeqarë besnikë të regjimit kukull, shtyp, shfrytëzon dhe mban te populli, errësirën shekullore. Ashtu të nevrikosur u ndamë me profesorin”./ Memorie.al




