Aktualitet

“Unë nuk hedh gurin dhe fsheh dorën” – Albin Kurti iu përgjigjet akuzave, se ka organizuar protestat kundër Ramës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rol në organizimin apo nxitjen e protestave në Shqipëri.

Në mbledhjen e 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se subjekti që drejton është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, duke theksuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë.

“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë, ne jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese.

Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonim. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes gurit e fshehjes së dorës”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se zhvillimet në Shqipëri i përcjellin me shqetësim dhe dashuri, pasi, siç është shprehur, ajo është pjesë e pandashme e kombit shqiptar.

Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të ndërtojnë institucione demokratike dhe drejtësi që nuk ndikohen nga fuqia e kapitalit.

“Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulet oligarkisë”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i LVV-së ka kërkuar që, përveç identifikimit dhe ndëshkimit të personave përgjegjës për dhunën gjatë protestave, të shqyrtohen edhe shkaqet që çojnë në përplasje.

Sipas tij, duhet të kuptohen arsyet dhe rrethanat që i shndërrojnë pakënaqësitë politike në dhunë.

Kurti ka theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si rivale e Shqipërisë dhe se Prishtina i mbështet përparimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ekonomi dhe turizëm.

Ai ka thënë se dhuna dhe lëndimi i njerëzve gjatë protestave janë shqetësim për të gjithë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button