Aktualitet

“Transferimi i Veliajt u bë me urdhër të Ramës”, Artan Hoxha: Ishte mesazh për të vetët, që mos t’i dalin nga rreshti

Gazetari Artan Hoxha ka folur për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u krye ky proces dhe personat që, sipas tij, kanë ndikim në zonën ku ndodhet institucioni i vuajtjes së dënimit.
Hoxha pretendoi se transferimi i Veliajt është kryer me urgjencë dhe pa një shkresë zyrtare, duke iu referuar komunikimeve që tha se kishte pasur me autoritetet e burgjeve. Ai shtoi se transferimi nuk ishte thjesht një lëvizje administrative, por një mesazh politik për kryebashkiakun e Tiranës dhe për figura të tjera brenda Partisë Socialiste.
Sipas Hoxhës, Rama synonte të dërgonte një mesazh për të gjithë kryengritësit brenda partisë se edhe ata një ditë mund të përfundojnë në atë pozitë nëse vendosin të dalin nga rreshti.
“Ajo që ndodhi me Erion Veliajn ditën e djeshme është domethënëse. Unë jam një njeri që kam bërë betejë me Erion Veliajn. Nuk di të ketë sulmuar njeri aq fort sa unë, por ajo që bëri dje Edi Rama nuk ishte një mesazh vetëm për Erion Veliajn. Ajo që bëri Edi Rama ishte një kërcënim tipik mafioz. Mafia dhe krimi i organizuar e dinë ku të të prekin për të të thënë: “Mblidh mendjen para se të të vrasin”. Të prekin te familja, te nëna, te gruaja, te fëmija. Unë dje i pashë të gjithë këta elementë dhe u lejuan kamerat të filmonin pikërisht këtë skenë. Nëse Edi Rama nuk do të kishte gisht në atë që ndodhi dje, si u lejuan kamerat të ishin aty?
Kur pamë nënën e Erion Veliajt, bashkëshorten e tij dhe foshnjën e tij, pamë një skenë që, sipas meje, përcillte një mesazh kërcënues. Erion Veliaj mund të ketë një mijë gjëra për të sqaruar, por atë lloj kërcënimi ta bën vetëm mafia. Dhe ai kërcënim nuk ishte vetëm për Erion Veliajn, por për të gjithë “Erionët” e tjerë të Partisë Socialiste, që këto kohë kanë menduar se Edi Ramës po i rrëshqet këmba. Edi Rama dje u tha të gjithë njerëzve të tij, atyre që kërkuan llogari, përfshirë Toni Gogun, se do t’ua bëjë si Erion Veliajt dhe se, kur ia bën këtë kryebashkiakut të kryeqytetit, me të cilin ka ndarë mbi 20 vite pushtet, nuk pyet askënd tjetër. Ky kërcënim ishte për të gjithë socialistët: nëse guxoni të dilni nga rreshti, do t’jua bëj si Erion Veliajt. Nënat, gratë dhe fëmijët tuaj do të përfundojnë duke ju vizituar në burg.
Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rëndë. Si u gjendën kamerat pikërisht në atë moment? Kush e dinte se çfarë do të ndodhte? E njëjta pyetje lind edhe për rastin e arrestimit të Ilir Metës. Si u gjendën kamerat aty dhe kush e dinte se ai do të arrestohej në atë moment? Ajo që ndodhi dje është shumë e rëndë. Kur shoh se në Partinë Socialiste kanë heshtur të gjithë pas asaj që iu bë Erion Veliajt, kuptoj se mesazhi nuk ishte vetëm për të. Sot po hyjmë në një periudhë zgjedhjesh dhe Erion Veliaj kthehet në një pengesë të madhe për kryeministrin, duke kërkuar të kontrollojë bashkinë nga burgu. Ai po i hap një gropë të madhe kryeministrit. Nga ana tjetër, Rama bëri edhe dy shkarkime të tjera, duke larguar njerëzit e tij. Këtë gjë Erion Veliaj nuk do t’ia falë. Megjithatë, Erion Veliaj është në një situatë krejt tjetër. Ai është në burg dhe nuk është në pozicionin e Arben Ahmetajt, i cili bën denoncime nga jashtë. Erion Veliaj sot e ka kuptuar se nga i ka ardhur kjo situatë dhe kush ia ka krijuar.
Edhe transferimi i tij, po atë ditë, ngre pikëpyetje. Unë kam komunikuar me autoritetet e burgjeve dhe, sipas informacionit që mora, nuk kishte asnjë shkresë zyrtare. Ata kishin shkuar në burgun e Durrësit dhe kishin kërkuar që ta merrnin menjëherë, me urgjencë. Më pas, Veliaj u transferua atje, ndërsa edhe persona të tjerë u grumbulluan në të njëjtin burg. Ne e dimë se kush e kontrollon atë qark dhe kush ka përgjegjësi për institucionet atje. Pra, çfarë po bën kryeministri? Erion Veliajn nuk e ka çuar SPAK-u atje, por Drejtoria e Burgjeve, e cila është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Do të donim që Erion Veliaj të bëhej aktiv, por atje ku e kanë çuar, mund të negociojë vetëm për supën e burgut. Unë kam thënë se është i marrë peng. Me atë që i bëri dje Edi Rama, Veliaj është kthyer në një shembull për të gjithë të tjerët: guxoni të dilni nga rreshti dhe do të përfundoni si Erion Veliaj, bashkë me familjen tuaj”, tha ai në “News 24”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button