Përlotet Bledi Strakosha: Kjo ishte frika ime më e madhe në reanimacion!

Moderatori i njohur Bledi Strakosha ka rrëfyer këtë të hënë, betejën e vështirë me një problem serioz shëndetësor. Ai tregoi se gjithçka nisi me një dhimbje koke tepër të fortë dhe të pazakontë, pas së cilës zbuloi se kishte pësuar hemorragji cerebrale.
Në një intervistë ekskluzive, Strakosha tregoi momentet e para të shqetësimit, duke kujtuar se intensiteti i dhimbjes së kokës ishte i tillë që nuk e kishte përjetuar asnjëherë më parë.
“Se kisha provuar ndonjëherë atë lloj dhimbje ishte aq e fortë sa më vonë, kur ia përshkrova sime motre, i thashë: më vinte të vrisja veten vetëm që të shpëtoja nga ajo dhimbje koke, aq e tmerrshme ishte.”, tha ai.
Sipas moderatorit, ishte insistimi i motrës së tij që e shtyu të drejtohej për një kontroll në QSUT. Pas ekzaminimeve, mjekët konstatuan se gjendja kërkonte një ndërhyrje kirurgjikale urgjente.
Familja vendosi që ndërhyrja të kryhej në një spital privat, ku, sipas Strakoshës, mund të realizohej përmes një procedure mikroinvazive.
“Ndërhyrja kirurgjikale me çarje të kokës bëhej në QSUT, por ime motër vendosi që ta bëjmë në spital privat sepse ndërhyrja do të kryhej mikroinvazive, është një teknologji e fundit që nuk krijon dhimbje dhe është shumë më e sigurt për të gjithë procesin. Kështu që u transportova në spital privat dhe aty është bërë ndërhyrja ditën e dielë në mbrëmje. Ndërhyrja është bërë në kokë, por përmes një sonde nga kofsha.”, u shpreh moderatori.
Strakosha tregoi se procedura kishte një kosto të lartë, ndërsa shprehu mirënjohjen ndaj motrës së tij, e cila, sipas tij, mori përsipër si shpenzimet e ndërhyrjes, ashtu edhe kujdesin për të gjatë periudhës së rikuperimit.
“Shumë e kushtueshme, fatkeqësisht shteti nuk e mundëson dhe shumë gabim, sepse në Kosovë mora vesh që shteti rimburson 80% të kostos së këtij operacioni dhe, meqë shteti nuk e ofron, duhet të jepej një mbështetje te privati me sa të mundej. Megjithatë, në këto raste kush po pyet për lekët dhe falënderoj time motër që mori përsipër çdo gjë, jo vetëm shpenzimet, por edhe u përkujdes në mënyrë të veçantë në çdo moment për gjithçka.”, tha Strakosha.
Teksa kujtoi ditët e vështira në reanimacion, moderatori u përlot kur foli për prindërit e tij. Ai tregoi se një prej frikërave më të mëdha në ato momente ishte dhimbja që gjendja e tij mund t’u shkaktonte atyre.
“Monologu i brendshëm ishte shumë… reanimacioni që s’e kisha përjetuar ndonjëherë, të them të drejtën, e bënte shumë të vështirë. Ëndërroja të shikoja edhe njëherë njerëzit e dashur dhe meraku i madh ishte mami dhe babi, se unë nuk dua të shoh asnjë prind që varros fëmijën e vet. U jam vërtet falënderues mjekëve, Zotit mbi të gjitha, që nuk ua dhashë këtë lëndim.”, theksoi ai.
Përvoja e vështirë, sipas Strakoshës, ka ndikuar edhe në mënyrën se si ai e sheh tashmë jetën, duke i rikujtuar rëndësinë e vëmendjes ndaj shenjave që jep trupi dhe të mosneglizhimit të problemeve shëndetësore./Pamfleti




