Lajme

Mbyllet gjyqi ndaj Thaçit në Hagë/ Mbrojtja kundërshton provat e prokurorisë dhe kërkon pafajësi

Është përmbyllur në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkëakuzuarve, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, për akuzat lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Në seancën e fundit, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi sërish shpalljen fajtorë të të akuzuarve, ndërsa mbrojtja kundërshtoi përdorimin e transkripteve të prokurorisë si bazë për një vendim dënues.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, argumentoi se fajësia nuk mund të mbështetet në masë të gjerë te transkriptet e ZPS-së, pasi personat që i kanë përgatitur ato janë të panjohur dhe mbrojtja nuk ka pasur mundësi t’i marrë në pyetje.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë kërkuan vendime pafajësie. Ata argumentuan se klientët e tyre nuk kanë kryer veprat për të cilat akuzohen dhe se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e saj.

Prokuroria, ndërkohë, pretendon se Thaçi dhe të bashkëakuzuarit kanë ndërhyrë te dëshmitarët dhe kanë penguar administrimin e drejtësisë në lidhje me procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-presidentit të Kosovës.

Pas përmbylljes së procesit, trupi gjykues pritet të caktojë datën e shpalljes së aktgjykimit. Ndërkohë, vendimi për çështjen tjetër ndaj Hashim Thaçit, lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pritet të shpallet të mërkurën./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button