Nuk ndalen çudirat në RTSH, gazetarit i mbyllin emisionin në mes të sezonit pa paralajmërim

Gazetari Ermal Peçi, i cili ishte kthyer në një figurë të konsoliduar tanimë në RTSH është pushuar nga puna dhe i është mbyllur emisioni i tij ‘E diela jonë’ krejt pa pritur, si një rrufe në qiell të hapur.
Gazetari thotë se askush nuk e lajmëroi për vendimin dhe mbi të gjitha është absurde që një emision të mbyllet në mes të sezonit, kur fare pak muaj e ndanin nga mbarimi i tij. Peçi betohet se nuk do e lërë këtë gjë me kaq dhe është gati për të vënë ‘drejtësinë në vend’.
Në një story të gjatë, ai sqaron publikun e gjerë për këtë padrejtësi dhe faktin që RTSH ende përdoret si të jetë ‘çifligu i babës’ nga kushdo që është në krye:
“Tani është koha për të folur.
Faleminderit nga zemra për të gjithë ju që vazhdoni të më shkruani e më pyesni:
“Pse u ndërpre programi ‘E Diela Jonë’ në RTSH?”
Është koha të ndaj të vërtetën që duhet të dini — jo për dramë, por për transparencë. Ju detyrohem.
Programi im, i yni, i ndërtuar me pasion, profesionalizëm dhe shumë punë, u pezullua në mënyrë të papritur nga drejtimi aktual i institucionit duke mos respektuar asnjë procedure ligjore.
“E Diela Jonë” arriti në dy sezone të kishte një ndikim real — jo vetëm në ekran, por edhe në rrjetet sociale, ku shënoi shifra rekord audience. Këto nuk janë thjesht ndjesi personale: janë të faktuara publikisht në rrjet, ashtu edhe nga analizat mujore të brendshme të RTSH-së. Ishte një sukses që e ndamë bashkë, u përqafua nga publiku me target mosha të ndryshme. U përqafua po ashtu nga artistët dhe figurat publike më të rëndësishme në vend. Shumë prej tyre erdhën tek unë pas shumë vitesh pa shkelur në studiot e RTSH-së, madje disa për herë të parë, në momentet e tyre më të forta artistike.
Megjithatë, mes vendimesh të çuditshme dhe ndikimesh të pashpjeguara, programi u ndërpre.
Dua të theksoj:
RTSH nuk është pronë private. Është një institucion publik, dhe çdo program aty duhet të ekzistojë për publikun — jo të mbyllet mes sezonit.
Unë nuk do të hesht, dhe as nuk do të ndalem. Të gjithë ata që përpiqen të fshehin të vërtetën, le të kujtojnë se drejtësia është ende aty. Dhe do flasë. Shumë më shpejt se sa e mendojnë.
Transparenca në një media publike është jo vetëm e nevojshme, por e detyrueshme. Dhe publiku ka të drejtë të dijë arsyet e vërteta të çdo vendimi që prek programet që ndjek, perqafon, shikon dhe klikon.
Faleminderit që jeni këtu, me mua!
Për ju, për veten time dhe për të gjithë ata që punojnë ndershmërisht, kjo është vetëm një shtysë për të vazhduar më fort.
Me më shumë arsye.
Me më shumë besim.
Ju dua shumë.”, përfundon postimi i gazetarit.


/Pamfleti



