Nga aferat me tenderët te protestat, BE shkund qeverinë e Ramës: Korrupsioni alarmant, SPAK nën presion

Komisioni Europian ngre shqetësime serioze për korrupsionin në tenderat e shëndetësisë, teknologjisë dhe infrastrukturës, mbrojtjen politike të zyrtarëve nën hetim, dobësinë e kontrollit parlamentar dhe problemet me konfiskimin e pasurive kriminale. Megjithëse vlerëson rezultatet e SPAK, Brukseli paralajmëron se korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë.
Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2026 nxjerr në pah një sërë problematikash serioze në funksionimin e shtetit shqiptar, duke vendosur në qendër të kritikave korrupsionin në nivelet e larta, ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë, cenueshmërinë e Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit dhe mungesën e transparencës në vendimmarrjen qeveritare.
Dokumenti i publikuar më 4 nëntor 2026, që vlerëson zhvillimet nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, evidenton përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por njëkohësisht identifikon mangësi të rëndësishme në sundimin e ligjit, kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe funksionimin e institucioneve të pavarura.
Një ndër konstatimet më të forta të raportit lidhet me faktin se, pavarësisht rezultateve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, masat parandaluese kundër korrupsionit nuk kanë dëshmuar ende efektivitetin e nevojshëm.
Komisioni Europian vlerëson se SPAK ka vijuar të tregojë pavarësi dhe të prodhojë rezultate konkrete në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, raporti thekson se institucionet e tjera, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Shtetit, duhet të përmirësojnë ndjeshëm rezultatet.
Korrupsioni në tenderat e shëndetësisë, teknologjisë dhe infrastrukturës
Një nga pjesët më sensitive të raportit lidhet me hetimet për korrupsion në sektorët ku qarkullojnë fonde të konsiderueshme publike.
Komisioni Europian konstaton se pretendimet për korrupsion të nivelit të lartë vijojnë të jenë objekt hetimesh në tenderat e shëndetësisë, teknologjisë së informacionit dhe infrastrukturës.
Këta sektorë identifikohen ndër fushat me rrezik të lartë, ndërsa raporti thekson se institucionet shqiptare kanë nisur vlerësime të posaçme për të identifikuar dhe parandaluar praktikat korruptive.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet efektiviteti real i këtyre mekanizmave.
Sipas Komisionit Europian, burimet njerëzore dhe kapacitetet institucionale për monitorimin e masave parandaluese vazhdojnë të jenë të kufizuara. Për këtë arsye, ndikimi afatgjatë i politikave kundër korrupsionit ende nuk është provuar.
Raporti evidenton gjithashtu mangësi në integritetin e marrëdhënieve mes bizneseve dhe administratës publike, si dhe nevojën për kontrolle më të forta në sektorët e ekspozuar ndaj korrupsionit.
Miliona euro të sekuestruara, por konfiskimet përfundimtare mbeten të ulëta
Një tjetër kritikë e rëndësishme lidhet me aftësinë e institucioneve për t’u marrë pasurinë personave të përfshirë në veprimtari korruptive.
Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2025 SPAK regjistroi një rritje prej 17.7% të çështjeve të reja për vepra penale të lidhura me korrupsionin.
Në gjykatë u dërguan 34 procedime me 160 të pandehur, nga të cilat 10 procedime me 13 të pandehur lidheshin me korrupsionin e nivelit të lartë.
Por treguesit e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive paraqesin një tablo më problematike.
Gjatë vitit 2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga SPAK në çështjet e korrupsionit arriti në 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, vetëm 1.2 milionë euro lidheshin me procedime për korrupsion të nivelit të lartë.
Edhe më shqetësues është treguesi i konfiskimeve përfundimtare, vlera e të cilave në këtë kategori ishte rreth 100 mijë euro.
Komisioni Europian konstaton se raporti ndërmjet pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara përfundimisht mbetet i pakënaqshëm.
Gjithashtu, numri i vendimeve për konfiskimin e pasurive ra nga 20 në 8.
Në vitin 2025, SPAK nuk mori asnjë vendim për sekuestrim pasurie në çështjet që përfshinin vepra të thjeshta penale të korrupsionit.
Këto të dhëna tregojnë një nga sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit: përtej hetimit dhe ndjekjes penale, mbetet e nevojshme që pasuritë me origjinë kriminale të identifikohen dhe të konfiskohen përfundimisht.
Brukseli kërkon përdorim më të gjerë të mekanizmave të konfiskimit të zgjeruar, konfiskimit pa dënim penal, si dhe konfiskimit të pasurive të mbajtura nga persona të tretë.
Policia e Shtetit, një nga institucionet më të ekspozuara ndaj korrupsionit
Raporti përmban kritika të drejtpërdrejta për integritetin e Policisë së Shtetit.
Komisioni Europian konstaton se Policia e Shtetit mbetet shumë e cenueshme ndaj korrupsionit, pavarësisht ndryshimeve ligjore, riorganizimit të pjesshëm dhe proceseve të verifikimit të integritetit të punonjësve.
Sipas dokumentit, ndikimi i procesit të vettingut në polici dhe i kontrolleve të integritetit ka qenë i kufizuar.
Të dhënat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për vitin 2025 janë veçanërisht domethënëse.
Agjencia mori mbi 5 500 ankesa nga qytetarët, rekomandoi hetime disiplinore për 108 punonjës dhe referoi për ndjekje penale 444 punonjës të strukturave ligjzbatuese.
Një tjetër problem i evidentuar është zbulimi i lidhjeve të një punonjësi të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me një grup të krimit të organizuar.
Sipas Komisionit Europian, kjo ngjarje ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e procedurave të verifikimit dhe kontrollit të figurës brenda vetë institucionit që ka përgjegjësinë të mbikëqyrë policinë.
Raporti ndalet edhe te dy ndryshime të njëpasnjëshme të drejtimit të Agjencisë brenda gjashtë muajve, duke ngritur shqetësime për stabilitetin, transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale.
Komisioni kërkon masa më të forta për integritetin e Policisë së Shtetit, si dhe garantimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së drejtimit të strukturave mbikëqyrëse.
Presion ndaj SPAK dhe gjyqtarëve, tetë magjistratë nën mbrojtje
Komisioni Europian evidenton se përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë kanë vijuar gjatë periudhës së raportimit.
Sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve identifikohen si një tjetër problem serioz.
Raporti përmend edhe kritikat politike ndaj Gjykatës Kushtetuese, përfshirë raste kur është vënë në diskutim autoriteti i saj ose janë sulmuar verbalisht gjyqtarë të veçantë.
Një tregues i ndjeshëm është fakti se tetë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, konkretisht dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë.
Komisioni vlerëson qëndrueshmërinë e institucioneve të vetëqeverisjes së drejtësisë përballë presioneve, por kërkon forcimin e garancive të pavarësisë dhe mbrojtjes së magjistratëve.
Bllokimi i pagave të gjyqtarëve, një situatë e paprecedentë
Një tjetër kritikë lidhet me konfliktin institucional mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë për pagat e magjistratëve.
Sipas raportit, mosmarrëveshjet për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat gjyqësore sollën bllokimin e buxheteve të drejtësisë dhe mospagimin e pagave për muajin gusht 2026.
Komisioni Europian e cilëson këtë si një situatë të paprecedentë, e cila ndikoi seriozisht në funksionimin e gjyqësorit dhe ngriti shqetësime për pavarësinë e tij.
Më 18 shtator 2026, Parlamenti miratoi ndryshime ligjore që rritën pagat e gjyqtarëve me 2% dhe mundësuan pagesën e detyrimeve të prapambetura.
Megjithatë, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kundërshtuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni kërkon që çdo reformë e mëtejshme e pagave të respektojë standardet europiane dhe parimet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Kontroll i dobët mbi qeverinë, Kuvendi nuk zbaton disa vendime të Kushtetueses
Raporti përmban kritika të drejtpërdrejta edhe për funksionimin e Parlamentit.
Sipas Komisionit Europian, mbikëqyrja parlamentare ndaj pushtetit ekzekutiv mbetet e dobët.
Dokumenti evidenton se kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore janë refuzuar sistematikisht pa debat.
Po ashtu, pjesëmarrja e ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ka qenë e parregullt, ndërsa shumica e nismave ligjore janë paraqitur nga Këshilli i Ministrave.
Komisioni evidenton edhe rezistencën dhe vonesat e mazhorancës në zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura.
Raporti përmend zgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm me votat e mazhorancës, duke ndërprerë traditën e konsensusit ndërpartiak. E njëjta mënyrë emërimi u përdor edhe për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Sipas Komisionit, këto praktika kufizojnë kontrollin demokratik dhe ndikojnë në pavarësinë institucionale.
Qeveria ndryshon buxhetin me akte normative, duke dobësuar kontrollin parlamentar
Në fushën e financave publike, Komisioni Europian kritikon praktikën e qeverisë për ndryshimin e buxhetit përmes akteve normative.
Raporti konstaton se rishikimet buxhetore janë kryer vazhdimisht përmes një numri të lartë aktesh normative të ekzekutivit.
Sipas dokumentit, kjo praktikë dobëson qëndrueshmërinë fiskale, transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare të financave publike.
Brukseli kërkon rikthimin e procedurave të rregullta të rishikimit të buxhetit përmes Parlamentit, duke garantuar edhe përfshirjen e publikut.
Njëkohësisht, Komisioni kërkon transparencë më të madhe për rreziqet financiare që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe kontratat e partneritetit publik-privat.
Koncesionet, tenderat dhe investimet strategjike nën vëzhgimin e Brukselit
Komisioni Europian identifikon prokurimet publike dhe partneritetet publik-private si fusha që kërkojnë kontrolle më të forta të integritetit.
Megjithëse vlerëson miratimin e ligjit të ri për koncesionet dhe PPP-të, raporti kërkon përmirësimin e konkurrencës në procedurat e prokurimit dhe garantimin e transparencës.
Një tjetër pikë kritike lidhet me marrëveshjet ndërqeveritare dhe ligjet e posaçme të lidhura me shtete jashtë Bashkimit Europian.
Komisioni kërkon që këto marrëveshje të respektojnë legjislacionin europian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Raporti evidenton gjithashtu se qeveria ka ndërmarrë herë pas here nisma ligjore që nuk përputhen me standardet europiane, duke përmendur ndryshimet në ligjin për portet turistike.
Në fushën e politikave të investimeve, Brukseli kërkon përshpejtimin e hartimit të një ligji të ri për investimet dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë.
Protestat për Pishë Poro-Nartën dhe hetimet e SPAK për pronat në Zvërnec
Një pjesë e rëndësishme e raportit lidhet me zhvillimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe projektet e mëdha turistike.
Komisioni Europian konstaton se ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe zgjatja e ligjit për investimet strategjike kanë kontribuar në përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës.
Raporti evidenton se shqetësimet për ndërtime në këtë zonë nxitën protesta të përditshme që prej majit 2026, të cilat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë qytetare për transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.
Sipas Komisionit, kjo përbën mobilizimin më të madh qytetar në Shqipëri që prej tranzicionit demokratik.
Në kulmin e protestave morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë.
Një element veçanërisht i rëndësishëm është përfshirja e SPAK në hetimet që lidhen me projektin e zhvillimit në zonën e mbrojtur.
Raporti konfirmon se SPAK ka nisur hetime për transferimin e titujve të pronësisë të lidhur me zhvillimin e planifikuar në Zvërnec.
Në një hetim të veçantë, SPAK ka kryer sekuestrime parandaluese të pasurive dhe ka lëshuar urdhër arresti për një prej pronarëve të tokës, për përfshirje të dyshuar në një grup kriminal të organizuar të angazhuar në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash në shkallë të gjerë.
Këto janë hetime dhe dyshime penale, jo përfundime gjyqësore për fajësinë e personave të përfshirë.
Komisioni kërkon që investimet në turizëm dhe infrastrukturë të respektojnë detyrimet për mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetit dhe ujërave, duke garantuar pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.
Liria e medias, lidhjet mes biznesit dhe politikës mbeten problem
Kritikat e Komisionit Europian shtrihen edhe në sektorin e medias. Raporti vlerëson se Shqipëria ofron garanci ligjore të pamjaftueshme për lirinë e shprehjes dhe se mjedisi ku veprojnë mediat duhet të përmirësohet.
Sipas dokumentit, pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik i grupeve të biznesit me lidhje politike në tregun mediatik.
Komisioni identifikon si probleme përqendrimin e lartë të pronësisë, mungesën e transparencës së financimeve dhe ndërthurjen e interesave politike, ekonomike dhe mediatike.
Raporti ngre shqetësime edhe për fushatat denigruese ndaj gazetarëve, kërcënimet, paditë që synojnë të pengojnë pjesëmarrjen publike dhe kushtet e pasigurta të punës.
Një tjetër problem lidhet me ndikimin politik në emërimet pranë autoritetit rregullator të medias dhe transmetuesit publik.
Brukseli kërkon transparencë më të madhe të pronësisë dhe financimeve, shpërndarje të drejtë të reklamave shtetërore dhe mbrojtje efektive të gazetarëve nga kërcënimet dhe presionet.
Drejtësia administrative me 24 530 çështje të prapambetura
Raporti evidenton edhe problemet që qytetarët dhe bizneset hasin në përballjen me administratën dhe gjykatat.
Sipas Komisionit Europian, numri i çështjeve të prapambetura në drejtësinë administrative u rrit në 24 530 gjatë vitit 2025.
Kohëzgjatja e tepruar e procedurave në Gjykatën Administrative të Apelit mbetet një shqetësim serioz.
Ndërkohë, infrastruktura e gjykatave vazhdon të jetë përgjithësisht e dobët, ndërsa mungesa e personelit dhe vonesat në krijimin e një sistemi elektronik të integruar për menaxhimin e çështjeve ndikojnë në efikasitetin e drejtësisë.
Raporti vëren se nuk pati reagim të mjaftueshëm institucional për forcimin e sigurisë së gjyqësorit pas vrasjes së një gjyqtari në Tiranë në tetor 2025.
Komisioni kërkon masa për përmirësimin e sigurisë, infrastrukturës dhe funksionimit të gjykatave.
Vetëm 17% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit u zbatuan plotësisht
Një tregues tjetër kritik lidhet me reagimin e institucioneve ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 vetëm 17% e rekomandimeve të këtij institucioni u zbatuan plotësisht, ndërsa 56% u zbatuan pjesërisht.
Komisioni Europian kërkon përmirësim të ndjeshëm të zbatimit të rekomandimeve dhe forcimin e përgjegjshmërisë së institucioneve publike.
Në fushën e transparencës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit regjistroi 861 ankesa gjatë vitit 2025.
Institucionet publike, sipas raportit, duhet të tregohen më të përgjegjshme ndaj kërkesave për informacion dhe të zbatojnë më mirë detyrimet ligjore për transparencën.
Administrata publike, emërimet dhe shkarkimet ende problematike
Raporti identifikon mangësi edhe në administratën shtetërore. Sipas Komisionit Europian, rregullat për rekrutimin, promovimin dhe shkarkimin e nëpunësve civilë mbi bazën e meritës nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme.
Gjatë vitit 2025 u realizua vetëm 55% e planit të rekrutimeve, ndërsa u plotësuan 69% e vendeve vakante të shpallura, nga 81% një vit më parë.
Raporti evidenton gjithashtu se vetëm 78 nga 177 institucione kanë plane integriteti.
Në nivel vendor, plane të tilla janë miratuar nga 44 prej 61 bashkive.
Komisioni kërkon forcimin e mekanizmave të përgjegjshmërisë, transparencës dhe kontrollit të integritetit në administratën publike.
Ekonomia rritet, por sundimi i dobët i ligjit pengon biznesin
Në vlerësimin ekonomik, Komisioni Europian njeh ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, të mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi.
Megjithatë, raporti thekson se mjedisi i biznesit vazhdon të ndikohet negativisht nga sundimi i dobët i ligjit, vështirësitë e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe mangësitë në mbikëqyrjen e ndërmarrjeve shtetërore.
Brukseli evidenton gjithashtu problemet strukturore të tregut të punës, përfshirë emigracionin dhe mungesën e aftësive profesionale.
Eksportet e industrisë përpunuese ranë për të tretin vit radhazi, ndërsa industria dhe bujqësia mbeten sektorë me produktivitet të ulët.
Integrimi europian përparon, por reformat mbeten testi kryesor
Pavarësisht kritikave të shumta, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në negociatat e anëtarësimit.
Gjatë periudhës së raportimit, vendi hapi grupkapitullin e fundit të negociatave, përmbushi standardet e ndërmjetme për grupkapitullin e parë dhe mbylli përkohësisht katër kapituj.
Megjithatë, raporti tregon se përparimi teknik në negociata nuk i ka eliminuar problemet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Komisioni Europian kërkon më shumë vendime përfundimtare dënimi në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë, konfiskim efektiv të pasurive kriminale, mbrojtje të pavarësisë së SPAK dhe institucioneve gjyqësore, si dhe forcim të kontrollit mbi përdorimin e fondeve publike.
Në thelb, raporti i vitit 2026 paraqet një tablo me dy anë: përparim në negociatat me Bashkimin Europian dhe rezultate pozitive nga drejtësia e posaçme, por njëkohësisht shqetësime të vazhdueshme për korrupsionin, presionet politike, dobësitë e institucioneve dhe mungesën e rezultateve të mjaftueshme në parandalimin e abuzimit me pushtetin.
Për Shqipërinë, sfida mbetet jo vetëm miratimi i ligjeve sipas standardeve europiane, por zbatimi i tyre dhe garantimi që institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, transparente dhe të përgjegjshme. /Pamfleti





