“Nga partia e idealit te strofka e hajdutëve”, Spartak Braho hap “Kutinë e Pandorës”: Edi Rama nuk është as socialist, as demokrat, por një ‘anarkist’ që moralisht ka rënë nga pushteti, ja si po e shqyejnë PS-në dy klanet e errëta që i bien me ‘thika pas shpine’ njëri-tjetrit dhe çfarë po ‘gatuhet’ prapa dyerve të mbyllura në ‘selinë rozë’

Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka bërë një analizë tronditëse të krizës dhe situatës politike në vend. Në një intervistë në emisionin “Dekalog” në “Dritare.net”, z. Braho zbuloi një prapaskenë me kryeministrin, duke u shprehur se Edi Rama i ka thënë personalisht: “Unë gruan e lë, por karrigen nuk e lëshoj”. Sipas ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Rama nuk është as socialist e as demokrat, por një anarkist që moralisht ka rënë nga pushteti dhe po e mban kolltukun me çdo kusht. Braho e bëri përgjegjës drejtpërdrejt kryeministrin për bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duke vënë në dukje se më shumë se treçereku i kabinetit qeveritar sot ndodhet i arrestuar, në kërkim apo nën hetim nga SPAK.
Duke denoncuar katandisjen e mazhorancës “nga një parti me ideale në një strofkë hajdutësh”, ai ironizoi faktin se Rama ka ngritur krevat e mensë brenda godinës së Kryeministrisë sepse nuk largohet dot prej aty. Më tej në intervistën të cilën po e pasyrojmë me shkurtime më poshtë, ish-deputeti socialist shpjegoi se brenda “Selisë Rozë” po zhvillohet një luftë e ndyrë mes dy klaneve ordinere, klanit Balluku dhe klanit Veliaj, të cilët i ngulin thika pas shpine njëri-tjetrit. Ndërkohë, ish-deputeti Braho theksoi se këtë përçarje fatale e nxit vetë Rama për të mbajtur kontrollin, ndërsa pyeti se si mund të pretendojë ai se nuk ka përgjegjësi politike kur emëron njerëz që përfundojnë në dyert e drejtësisë (SPAK). Në fund, Spartak Braho bëri thirrje urgjente që Partia Socialiste të mbledhë forumet e saj, t’i hapë rrugë reformimit total dhe të nxjerrë një kandidat të ri për kryeministër për të zëvendësuar Edi Ramën.
Pjesë nga intervista
Zoti Braho, të falënderoj shumë që je në emisionin tim! Ju keni 36 vjet që militoni në politikë dhe pothuajse po aq në Partinë Socialiste; keni një përvojë që dini jo thjesht t’i analizoni ngjarjet, por edhe t’i krahasoni ato. Si e keni përcjellë këtë ngjarje që është nga më të rrallat e më të veçantat në këto 36 vjet në Shqipëri?
Përjetimi im është i mbushur me shqetësim. Shqetësim i cili vjen për këtë situatë, ku përpiqemi të mendojmë cila është zgjidhja, por ende nuk arrijmë të kuptojmë apo të lexojmë përse u bë kjo protestë dhe çfarë do të arrijë. Ju e thatë që kjo është një protestë e nisur nga studentët, por mua më rezulton që nuk është vetëm e studentëve. Në këtë protestë përzihen shumë rryma, shumë faktorë dhe shumë elementë të njohur e të panjohur. Për shembull, unë shikoj në protestë ca gra me ferexhe, të mbuluara me ferexhe, myslimane.
-Ku është gabimi këtu?
Gabimi është se ato mbledhin gurë. Janë prezente atje pa ndonjë rol të veçantë politik, por i shërbejnë protestës.
-Po thoni që feja myslimane e ndalon dhunën?
Patjetër! Këtë desha të theksoj, që ky kontigjent, i cili vetëm politik s’mund të jetë, është prezent. Janë prezentë një mori fëmijësh, të cilët nga verifikimet që bëhen rezultojnë kontigjent që vjen në protestë i paguar.
-Kush i paguan?
Në këtë protestë shikohen edhe të tjerë të veshur me kapuçë të zinj. Djem të rinj me paraqitje të njëllojtë. Kam dyshimin që edhe ky kontigjent që nuk ka të bëjë fare me problematikën e drejtë që ngrenë studentët. Kjo protestë më duket një amalgamë e tërë rrymash të ndryshme, me faktorë nxitës, dhe jam i bindur që komprometohet rëndë nga pjesëmarrja e këtij kontigjenti të nxitur. Ka elementë që kanë penetruar për qëllime të tjera nga ato që ngrihen. E fundit vërej diçka tjetër, në Francë protestuesit kanë sulmuar Ministrinë e Arsimit në Paris. Edhe këtu disa herë është sulmuar apo rrethuar Ministria e Arsimit, janë përdorur molotovë, shashka, djegie. Nuk arrij ta shpjegoj këtë fakt; jam i shqetësuar jo për problematikën që ngrenë studentët, por për fenomenet që lidhen me dhunën e egërsinë. Bomba molotov u përdor në Luftën e Dytë Botërore për të djegur tanket; quhet kështu nga ai që e ideoi, por është armë dhe mjet luftarak dhune. Nuk jam dakord të përdoret molotovi, ashtu siç nuk jam dakord për shumë veprime të dhunshme të policisë.
-Zoti Braho, mes dhunës së protestuesve dhe dhunës që ka ushtruar policia, kë dënoni më shumë?
Dhunën e protestuesve.
-Pse?
Policia, me përjashtim të ndonjë polici të papjekur, nuk duhet të ngarkohet me idenë se po ushtron dhunë të organizuar. Është tjetër gjë një polic që godet e kapërcen kufijtë, dhe tjetër veprimtaria si pjesë e strukturës policore. Nuk po them për studentët, se s’janë të trashë dhe nuk kemi parë ndonjë student që bën dhunë.
-Student që bën dhunë nuk ka? E sigurt? Je i bindur apo ke informacion?
Jam i bindur që nuk ka studentë, sepse ata që bëjnë dhunë piketohen dhe identifikohen nga policia. Nuk na rezulton që ndonjë student të ketë pasoja të rënda shëndetësore. Janë pikërisht këta të paidentifikuarit, të dyshuarit, një kategori që nxitet e shtyhet në këto veprime nga opozita, mbi të cilët policia ka përdorur mjete dhune, dhe mirë ka bërë!
-A ishte normale dalja e repartit RENEA, zoti Braho?
RENEA pjesë e policisë është. Del në raste ekstreme, kur goditesh me molotovë, kur të sulen të djegin Kryeministrinë, Kuvendin apo ministritë. Këtu mungon diçka tjetër: bizneset private duhet të reagojnë më fort për të mbrojtur pronën e tyre. Protestuesit u sulmuan, u dogjën e u shkatërruan banka e biznese. As në shtator të ’98-s nuk ka ndodhur kështu!
-A e zgjidh policia krizën politike?
Policia po bën detyrën e saj, por nuk e zgjidh krizën. Krizën e zgjidh largimi i Ramës.
-Ua, qenkeni ekstrem! Ju jeni socialist, madje keni qenë edist; tani po thoni të iki Rama?
Edi Rama ka ikur, ka rënë! I mbetet vetëm të bëjë gjestin përfundimtar: ta lërë pushtetin në dorë të socialistëve, sepse ata e kanë shumicën. Rama duhet t’i hapë rrugë Partisë Socialiste për të bërë një reformim total. Mua më vjen turp sot të jem anëtar i partisë së Edi Ramës!
-Të vjen turp? E ke teserën?
Teserën e kam, por kam nja 10 vjet që nuk paguaj kuotat. Në Partinë Socialiste nuk paguhen kuotat; partia mbahet me donacione e fondacione.
-Babataku, me këtë që thua për Ramën dukesh pak si i lashtë, pasi je mësuar me kohën e Fatos Nanos kur binin qeveritë si gjethet e vjeshtës: ikte Nano, vinte Majko, ikte Majko, vinte Meta. Me Rilindjen nuk funksionon kështu, është vetëm Rama.
Unë jam 24 karat socialdemokrat! Rama nuk është as socialist, as demokrat; Rama është anarkist anarshist.
-Po ti e kishe kryetarin tënd, e ke ndihmuar, e ke mbështetur me peshën tënde politike. Si zgjidhet kjo krizë politike? Rama është në Kryeministri dhe sot ofroi dialog te tavolina tetëkëndore.
Edi Rama moralisht ka rënë. Zgjidhja është: Rama të ikë dhe të krijohet një strukturë e re e Partisë Socialiste me një kryeministër të ri nga PS-ja.
-Mes këtyre që diskutohen – Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Erion Braçe, Zeqine Çaushi – kë mendoni ju të zgjidhet?
Zengjineje. Skandal, skandal! Më vjen shumë keq që Partia Socialiste ka përfunduar në këtë derexhe, dhe përgjegjësia kryesore është e Edi Ramës.
-Po në qoftë se Rama thotë “s’iki që s’iki”, se ky është fakt, nuk është opinion?
Mua më ka thënë dikur: “Unë gruan e lë, por karrigen nuk e lëshoj”. Prandaj nuk ikën. Nano ishte modern, ikte. Rama nuk është ndonjë trim i madh, përderisa nuk merr kurajë të mbledhë partinë e të thotë: “Deri këtu e solla, merreni ju të tjerët”.
-Ka edhe një zhvillim tjetër: çështja e Erion Veliajt. Ai u transferua papritur nga burgu i Durrësit në Fier. Avokati ka bërë reagim të fortë, dhe përflitet se Rama e akuzon Veliajn se ka sponsorizuar protestues për ta rrëzuar. Si e analizoni këtë?
Transferimi nga njëri burg në tjetrin nuk është ndonjë çudi e madhe, rregullat i vlerëson Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Nuk ka sekret shtetëror këtu, sepse ai u shoqërua hapur me policë e furgonë.
-Zoti Veliaj bëri një status për zgjedhjet në Serbi, ku tha se autokratët e kanë një fund, gjë që e kishte zemëruar Ramën. Përflitet se Rama tha në mbledhje qeverie që Veliaj ka sponsorizuar protestat. E besoni këtë?
Nuk e besoj! Zoti Veliaj ka një akuzë për të cilën duhet të përgjigjet. Ai nuk duhet të merret me cic-mice apo me prokurorin, por të përballojë akuzën. E tërë fabula është lufta brenda PS-së.
-Ka luftë brenda PS-së?
Po, ka luftë, por është luftë pa lezet. Po marrin pjesë dy klane: klani i zonjës Balluku dhe klani i zotit Veliaj.
-Kush është klani më i fortë?
Të dy janë klane ordinere që dëmtojnë Partinë Socialiste. Në kohën e Nanos debatohej hapur, ndërsa këta i bien njëri-tjetrit me thika pas shpine.
-Po Rama ku është këtu? Me kë është Rama?
Rama e nxit këtë luftë!
-A ka përfunduar karriera politike e Erion Veliajt?
Karriera e tij varet nga vendimi i gjykatës: nëse shpallet fajtor ka përfunduar, nëse del i pafajshëm, jo. Nuk mund të parashikoj pasi nuk e njoh plotësisht akuzën.
-Lajmi i fundit është se çështja e zonjës Belinda Balluku po shkon në gjykatë, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë gati kërkesën në Parlament për hetimin dhe arrestimin e zonjës Xhaçka. A po e zgjidh drejtësia këtë situatë?
Këtë situatë e zgjidhin dy faktorë. Faktori i parë janë organet e drejtësisë, të cilat duhet të vënë pikat mbi “i”. Më shumë se treçereku i qeverisë sot ndodhet ose i arrestuar, ose në ndjekje penale, ose në kërkim. Dhe Rama thotë nuk ka përgjegjësi! Ti i emëron dhe thua s’kam përgjegjësi?! Po të ishte kjo situatë në kohën e Fatos Nanos, ai nuk rrinte dot në parti. Në ’98-n, kur Nano u largua për pak ditë në Maqedoni gjatë trazirave, ndërkohë pasi u kthye ne e zhveshëm në mbledhje grupi parlamentar. Rama ka rënë nga detyra, pavarësisht se qëndron në Kryeministri ku ka bërë edhe mensë, ka dhe krevatin atje, e kam parë vetë atje. Një të mirë e ka Rama: është punëtor, punon 24 orë dhe fle aty…/sot.com.al





