Baggio i dhuron Messit fanellën e USA ’94, përgjigjet argjentinasi: Je legjendë!

Kur takohen dy legjenda të futbollit, gjithmonë është një ngjarje historike, aq më tepër kur janë dy numra 10 që kanë shënuar epoka të ndryshme me talentin e tyre. Në Miami, me rastin e Kupës së Botës për Klube, Roberto Baggio ka përfituar nga rasti për t’i dhuruar Lionel Messit fanellën e famshme të Kampionatit Botëror USA ’94, turne në të cilin ikona e Italisë arriti deri në finale, e humbur më pas ndaj Brazilit.
Pavarësisht se Messi ka fituar shumë më tepër trofe se Roby, ai reagoi me entuziazëm në Instagram, duke ndarë foton e momentit të dhurimit me këtë koment:
Çfarë vizite e bukur! Faleminderit, Roberto, për këtë dhuratë kaq të veçantë dhe domethënëse dhe për bisedën e këndshme. Je një kampion i madh dhe një legjendë historike e futbollit!”
Një tjetër dëshmi se Roberto Baggio mbetet një figurë unike dhe e dashur në botën e futbollit, edhe më shumë se 20 vite pas tërheqjes së tij nga skena.




