Shpërthimi i vullkanit Etna, momentet kur turistët e panikosur vrapojnë për t’i shpëtuar resë së hirit

Pamjet nga vendngjarja tregojnë turistë që largohen me shpejtësi
Etna, vullkani më aktiv në Evropë është zgjuar sërish, duke shkaktuar alarm në Siçili.
Gjatë orëve të fundit, janë regjistruar shpërthime të fuqishme dhe aktivitet i shtuar vullkanik, duke detyruar autoritetet të marrin masa emergjente. Pamjet nga vendngjarja tregojnë turistë që largohen me shpejtësi, të frikësuar nga një re e dendur hiri dhe gazrash që është përhapur në një distancë prej disa kilometrash.
Sipas ekspertëve, shpërthimi i sotëm është i tipit “Strombolian”, që karakterizohet nga shpërthime të shpeshta me dalje të lavës dhe gazrave, por pa pasoja shkatërruese në shkallë të gjerë. Instituti i Gjeofizikës në Katania sqaron se aktiviteti i fundit ka ardhur si pasojë e një shembjeje të pjesshme të brendshme të kraterit juglindor të vullkanit.
Deri tani, lavat dhe materialet vullkanike nuk përbëjnë kërcënim për zonat e banuara. Megjithatë, që në orët e para të mëngjesit, janë evakuuar të gjithë turistët dhe alpinistët që ndodheshin në afërsi të zonës aktive.
Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të fluturimeve në Aeroportin e Katanias, në varësi të zhvillimeve në orët në vijim. Etna, e vendosur në bregun lindor të Siçilisë, është një ndër vullkanet më aktive në botë dhe në pesë vitet e fundit ka shfaqur aktivitet të shtuar të vazhdueshëm./gsh




