“Keni një gjobë të papaguar”/ Skema e re e mashtrimit, kujdes nga mesazhet në emër të DPSHTRR-së

Një skemë mashtrimi përmes mesazheve telefonike po synon qytetarët shqiptarë, duke përdorur emrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Mesazhet njoftojnë për gjoba të papaguara të automjeteve dhe u kërkojnë qytetarëve të hapin lidhje të dyshimta për të shmangur penalitete të tjera.
Një tjetër tentativë mashtrimi përmes SMS-ve është evidentuar në Shqipëri. Qytetarëve u dërgohen mesazhe në emër të DPSHTRR-së, ku pretendohet se kanë gjoba të papaguara për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mesazhi dërgohet nga një numër i huaj me prefiksin +212 dhe paraqitet si njoftim zyrtar. Në përmbajtjen e tij pretendohet se automjeti i regjistruar në emër të marrësit ka një çështje të pazgjidhur lidhur me trafikun.
Për të verifikuar shkeljen e pretenduar, qytetarëve u kërkohet të klikojnë në një link që përdor emrin e DPSHTRR-së dhe të vendosin numrin e targës së automjetit. Megjithatë, adresa e dërguar nuk i përket faqes zyrtare të institucionit
Autorët e mesazhit përpiqen të krijojnë ndjesinë e urgjencës, duke paralajmëruar se mospagimi i gjobës brenda ditës mund të sjellë penalitete shtesë.
Në SMS jepen edhe udhëzime të pazakonta për hapjen e lidhjes. Marrësve u kërkohet të përgjigjen me fjalën “PO”, të mbyllin bisedën dhe ta hapin sërish për të aktivizuar linkun. Në rast se kjo nuk funksionon, sugjerohet kopjimi i adresës dhe hapja e saj përmes shfletuesit Safari
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët shqiptarë përballen me tentativa të tilla mashtrimi. Policia e Shtetit ka paralajmëruar më herët për përhapjen e mesazheve mashtruese përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in.
Sipas Policisë, këto skema, të njohura si “phishing”, synojnë sigurimin në mënyrë të paligjshme të të dhënave personale dhe bankare, fjalëkalimeve, kodeve të verifikimit dhe informacioneve të kartave, të cilat mund të përdoren për transaksione të paautorizuara.
Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos hapin lidhje të dyshimta që vijnë nga numra të panjohur.
Qytetarët këshillohen të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes këtyre mesazheve dhe të verifikojnë çdo gjobë të mundshme vetëm në kanalet zyrtare të institucioneve përkatëse.





