“Primaret kanë nisur në PS dhe opozitë”, Murati: Rama-Veliaj, betejë para 9 majit! PD duhet të nxjerrë një kandidat që ka mbështetje tej demokratëve

Gazetari dhe analisti Erl Murati, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar zhvillimet politike në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit, duke u ndalur te përplasjet brenda mazhorancës dhe opozitës për përcaktimin e kandidatëve.
Murati u shpreh se, megjithëse fushata zgjedhore është ende larg, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka nisur tashmë përmes asaj që ai e cilësoi si primare brenda dy kampeve politike. Sipas tij, në mazhorancë përplasja zhvillohet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa në opozitë përballja është mes Partisë Demokratike dhe protestuesve apo studentëve.
Analisti vlerësoi se konfliktet do të ashpërsohen me afrimin e datës së zgjedhjeve. Sa i përket Veliajt, Murati tha se nuk beson se ai ka shpresa reale për të kandiduar, për shkak se ndodhet në qeli, por theksoi se mbetet një faktor i rëndësishëm në garën e 9 majit.
Sipas tij, Rama kërkon të vendosë të gjithë në një linjë dhe të ketë njerëz besnikë që do të punojnë për fitoren e Partisë Socialiste, ndërsa dyshon se Veliaj nuk mund të kontribuojë për këtë objektiv. Nga ana tjetër, Veliaj, sipas Muratit, beson se përgjegjës për situatën e tij dhe qëndrimin pas hekurave është vetë kryeministri.
Murati shtoi se mes tyre ose do të gjendet një marrëveshje, ose përplasja do të thellohet më tej. Ai vuri në dukje se pozitat e Veliajt janë dobësuar dhe se ai nuk i ka më pranë të njëjtët njerëz dhe mbështetës që kishte kur ishte jashtë qelisë.
Duke folur për emrat e mundshëm të kandidatëve, Murati tha se në Partinë Socialiste po diskutohet edhe për një figurë jopartiake, por sipas tij, kandidatja më e mundshme mbetet Ogerta Manastirliu, emër që është paralajmëruar edhe më herët nga Rama.
Ndërsa në kampin opozitar, analisti u shpreh se do të ishte e rëndësishme që kandidati të ishte një figurë gjithëpërfshirëse dhe jo domosdoshmërisht partiake. Në këtë kontekst, ai përmendi emrin e mjekut Ilir Alimehmeti, por edhe atë të aktorit Florjan Binaj.
Sipas Muratit, është ndryshe të dalësh në garë me figura që gëzojnë një lloj pëlqyeshmërie përtej strukturave partiake, sesa me deputetë të PD-së që mund të kenë mungesë mbështetjeje në publik.
Analisti parashikoi se opozita mund të shkojë me më shumë se një kandidat, duke argumentuar se brenda saj ka ende mosbesim dhe përçarje mes faktorëve të ndryshëm. Ai e sheh të vështirë arritjen e një kandidati të përbashkët mes Partisë Demokratike të Sali Berishës dhe forcës politike të Arlind Qorit.
Murati ngriti pikëpyetje edhe për mundësinë e krijimit të një fronti të gjerë opozitar ku të përfshihen Agron Shehaj, Arlind Qori, faktorë të tjerë politikë, si dhe të rinjtë e studentët. Sipas tij, ky do të ishte skenari ideal, por nëse një bashkim i tillë nuk arrihet, PD-ja duhet të zgjedhë një kandidat që të ketë mbështetje përtej militantëve dhe elektoratit tradicional të saj.
Në përfundim, Murati u ndal sërish te emri i Ilir Alimehmetit, duke u shprehur se beson se ai mund të jetë kandidati i opozitës në zgjedhjet vendore të 9 majit.





