Françeska Murati hap zemrën dhe rrëfen periudhën e errët: Po humbisja kontaktin me realitetin

Françeska Murati ka ndarë me ndjekësit një rrëfim personal, duke zbuluar një periudhë të vështirë të jetës së saj, gjatë së cilës është përballur me ngarkesë emocionale dhe presion për shkak të lajmeve që, sipas saj, nuk kishin lidhje me të vërtetën.
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania” vendosi të fliste hapur gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, pasi një prej tyre e pyeti se si ndihej aktualisht dhe cili ishte vendimi për të cilin ishte penduar më shumë.
Në përgjigjen e saj, Françeska tregoi se kishte kaluar një periudhë kur nuk ndihej aspak mirë emocionalisht, por pavarësisht kësaj, përpiqej të vazhdonte jetën e përditshme sikur gjithçka të ishte normale.
“Ishte një periudhë që nuk po ndihesha aspak mirë. Isha thjesht në autopilot, duke vazhduar përpara, sepse në fund të fundit, çfarë do bësh tjetër?”, u shpreh ajo.
Sipas Françeskës, një nga faktorët që e kishte rënduar më shumë gjendjen e saj ishin lajmet dhe historitë e pavërteta që publikoheshin vazhdimisht në portale për jetën e saj personale.
Ajo tregoi se situata bëhej edhe më e vështirë për shkak se prindërit i dërgonin çdo ditë publikime të ndryshme, duke e përballur vazhdimisht me pretendime dhe akuza që ajo i konsideronte shpifje.
Çdo ditë prindërit më dërgonin portale, lajme dhe shpifje të reja. Çdo ditë një histori tjetër, një gënjeshtër tjetër”, rrëfeu ish-banorja e BBV.
Françeska pranoi se presioni i krijuar nga kjo situatë kishte ndikuar aq shumë tek ajo, sa në një moment kishte ndier se po humbiste kontaktin me realitetin.
Përveç vështirësive emocionale, ajo foli edhe për një nga pendesat më të mëdha të jetës së saj, përpjekjen për t’i bërë të gjithë të lumtur, duke lënë në plan të dytë veten dhe dëshirat e saj.
Ish-banorja tregoi se me kalimin e kohës kishte kuptuar se përpjekja për të përmbushur pritshmëritë e të tjerëve nuk mund të jetë gjithmonë e suksesshme, pasi pavarësisht sjelljes apo vendimeve që merr, gjithmonë do të ketë njerëz që të gjykojnë.
Sipas saj, dëshira për të mos zhgënjyer apo lënduar askënd e kishte bërë që shpesh të mos mendonte mjaftueshëm për lumturinë e saj personale.
Tashmë, Françeska duket se ka reflektuar mbi këtë periudhë, duke zgjedhur t’i japë më shumë rëndësi qetësisë emocionale dhe të mos e kushtëzojë jetën me opinionet e të tjerëve.
Në fund të rrëfimit, ajo përcolli edhe një mesazh për ndjekësit, duke i këshilluar të mos sakrifikojnë lumturinë e tyre vetëm për të fituar miratimin e njerëzve përreth.
“Njerëzit që janë vërtet të lumtur me jetën e tyre nuk e kalojnë kohën duke u përpjekur të shkatërrojnë jetën e dikujt tjetër”, përfundoi Françeska Murati.





