Politike

Alimehmeti apo Binaj? Bushati: PD ka mentalitet të mykur, rrezikon të zhduket nëse del me kandidatin e vet

Analisti Andi Bushati thotë se Partia Demokratike nuk ka kuptuar ndryshimet në shoqërinë shqiptare pas protestave të “flamingove”. Sipas tij, nëse opozita vazhdon të propozojë kandidatë nga radhët e saj, rrezikon të humbasë lidhjen me qytetarët.
Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka kritikuar Partinë Demokratike për mënyrën se si po i qaset përzgjedhjes së kandidatit për Bashkinë e Tiranës.
Duke komentuar emrin e mjekut Ilir Alimehmeti si kandidat të mundshëm, Bushati deklaroi se PD nuk ka kuptuar ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare gjatë gjashtë muajve të fundit, veçanërisht pas protestave të njohura si “revolucioni i flamingove”.
“Mendoj se PD po tregon një keqkuptim të madh, që nuk e ka kuptuar se çfarë po ndodh në Shqipëri këto 6 muaj, fare. Hidhet emri i një doktori të respektuar, Alimehmeti. Dhe në mentalitetin e mykur të PD-së, duket sikur PD po u hap deri te të moderuarit e vet, i ka bërë nder shoqërisë.

Sot të moderuarit e PD-së duken të papranueshëm për shoqërinë, e cila e ka tejkaluar opozitën e vjetër me revolucionin e flamingove”, deklaroi Bushati.
Sipas analistit, PD duhet të kërkojë kandidatë jashtë strukturave të saj, mes qytetarëve dhe profesionistëve që kanë qenë pjesë e protestave, në vend që të kufizohet te figurat tradicionale të partisë.

“Pra, që PD të mos jetë me mendësinë e mykur të fillimit të revolucionit të flamingove, kur thoshte janë sorosistë që duan të pengojnë investimin më të madh në Shqipëri, jemi për gjinitë dhe jo për protestën, që të mos jetë në të njëjtin mentalitet, PD nuk duhet të hapet te doktor Alimehmeti, por duhet të propozojë figura të protestës, ka plot mjekë, inxhinierë, ata që i kanë prirë protestave dhe demonstratave.

Nëse PD nuk do të dijë të hapet ndaj zhvillimit që shoqëria ka prodhuar, rrezikon të përfundojë si opozita e Orbanit në Hungari apo e Vuçiç në Serbi që u asgjësuan fare”, u shpreh ai.
Bushati komentoi edhe mundësinë e kandidimit të Florjan Binajt, duke thënë se një kandidat jashtë strukturave të PD-së mund të ketë më shumë mbështetje sesa kandidati zyrtar i saj, nëse demokratët vazhdojnë të mbeten të mbyllur.
“Binaj është në të drejtën e vet të kandidojë. Nuk kisha ndonjë simpati të madhe edhe kur kandidoi, por mendoj se në një situatë siç mund të precipitojë deri në 9 maj, edhe Binaj mund të dalë sipër kandidatit të PD, nëse PD mbetet e mbyllur brenda kullës së saj”, tha Bushati.
Ai theksoi se përzgjedhja e kandidatit duhet të shënojë një shkëputje nga mënyra tradicionale e funksionimit të PD-së, ku kandidatët varen nga drejtuesit e partisë.
“Unë nuk them të marrin dikë nga protesta, sepse protestat nuk janë si plenumet e studentëve në Serbi. Por nëse PD, që e ka shumë të vështirë, nxjerr si ikonë të fushatës së vet dikë që ka identikitin e njerëzve të protestës, e shohin si të ngjashmin e tyre dhe jo të ngjashmin e pushtetit të vjetër, kjo mund të sjellë një ndryshim.
Kjo kërkon nga PD që të mos çojë atje një njeri që do t’i bindet nesër Saliut dhe Flamurit. Vetëm nëse PD është gati të bëjë këtë vetësakrifikim mund të ketë një lloj suksesi. Ndryshe do të ketë fatin e opozitave si në Serbi dhe Hungari. T’u servirë atyre qytetarëve që ishin me protestën, njeriun e tyre të ngjashëm.
Nëse PD thotë do të vetësakrifikohem dhe nuk do të vë kandidat me teser partie, do të marr njerëz nga ky revolucion, vetëm kjo mund ta bëjë të pranueshëm për qytetarët”, përfundoi Bushati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button