Sot protestë kombëtare, Rama paralajmëron skenar destabilizimi: “Duart e huaja” duan të na kthejnë pas

Pak përpara nisjes së protestave të paralajmëruara për sot, kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë për mediat, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ku ka komentuar situatën dhe zhvillimet që pritet të shoqërojnë tubimet.
Rama deklaroi se Shqipëria është në kontakt të vazhdueshëm me Italinë dhe Francën, duke pretenduar se edhe këto vende po përballen me trazira dhe janë në gatishmëri.
Kryeministri e cilësoi qëllimin e protestave si destabilizim të vendit dhe devijim të rrugës së Shqipërisë, ndërsa pretendoi se pas personave të përfshirë në akte dhune qëndrojnë krimi i organizuar dhe aktorë të huaj. Ai kritikoi gjithashtu atë që e quajti relativizim të dhunës në emër të studentëve, duke pranuar njëkohësisht se ekzistojnë problematika që kërkojnë zgjidhje.
“Së bashku me të dyja këto vende jemi në kontakt të vazhdueshëm duke qenë se njëkohësisht në të tria vendet tona flama e terrorit urban të ANTIFA-s është shfaqur me forcën e vet të verbër dhe ndërkohë kemi një sërë specifikash që i ndjekim me shumë kujdes.
Qëllimi është shumë i qartë destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë duke na kthyer pas në të shkuarën. Natyrisht që pas atyre personave, qëndorjnë krimi i organizuar dhe duar të huaja. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste që të gjithë do t’i bënte të reflektonin dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës gjithnjë në emër të studentëve.
Këtu nuk ka asnjë moment tjetër transformues përveçse një sfide të hapur me probleme që kërkojnë adresim, të shoqërisë, të familjeve të zakonshme, të tëra legjitime dhe dhunës, gjuhës së gurit, hurit, zjarrit, urrejtjes, ofendimeve e kërcënimeve që nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse nuk duam një të nesërme të sigurtë”, tha Rama.




