Aktualitet

Strehimi social, Rama: Deri në 2030-n, dorëzojmë 55.000 çelësa! Unifikim i taksave për biznesin e vogël në të gjitha bashkitë

Kryeministri Edi Rama prezantoi disa prej masave që parashikon ligji i ri për strehimin, i miratuar në Kuvend dy ditë më parë. Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, ai deklaroi se synohet krijimi i një kategorie të re banesash me çmime të përballueshme, mes tregut të lirë dhe strehimit social.
Sipas Ramës, 10 mijë familjet e para do të kenë mundësinë të përfitojnë banesë duke nisur nga viti i ardhshëm. Paketa e mbështetjes parashikon kredi pa interes për blerjen e shtëpisë së parë, garanci shtetërore për qytetarët që nuk disponojnë kursimet e nevojshme për kolateral, si dhe subvencionim deri në 50% të qirasë.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se plani përfshin gjithashtu ndërtimin e lagjeve me banesa sociale dhe të përballueshme, të shoqëruara me shkolla e kopshte.
“Ne kemi ambicien që deri në 2030-n, e kemi të shkruar në programin tonë të 2025-s, të dorëzojmë 55.000 çelësa sipas gjitha këtyre kategorive ku shteti u gjendet pranë të gjithë atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre”, deklaroi Rama.
Ai u ndal edhe te vështirësitë që hasin të rinjtë për të blerë një banesë në Tiranë, pavarësisht zgjerimit të vazhdueshëm të qytetit. Sipas tij, zgjidhja nuk qëndron vetëm te ndërtimi i mëtejshëm, por edhe te krijimi i mundësive që më shumë qytetarë të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik dhe pasuritë e paluajtshme.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së për Tiranën, kryeministri kërkoi gjithashtu që taksat dhe tarifat vendore për biznesin e vogël të jenë të njëjta në të gjitha bashkitë e vendit.

Ai u shpreh se Partia Socialiste duhet të vendosë një marrëveshje të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në nivel kombëtar, duke argumentuar se nuk është e arsyeshme që qeveria të aplikojë zero taksë për biznesin e vogël, ndërsa bashkitë ta ngarkojnë atë me tarifa të tjera.
Rama theksoi se në fokus do të jetë edhe shtimi i banesave sociale, si dhe ndërtimi i shkollave, kopshteve dhe qendrave shëndetësore për t’iu përgjigjur zgjerimit të Tiranës.

Një tjetër drejtim i përmendur prej tij ishte zhvillimi i ofertës turistike të kryeqytetit përmes krijimit të një rrjeti të ri muzeumesh në banesat monument kulture, të cilat, sipas Ramës, janë shpëtuar nga shembja përmes shpronësimeve nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Kryeministri foli edhe për reformimin e administrimit të ujit dhe mbetjeve, duke paralajmëruar një partneritet strategjik me operatorë të mëdhenj europianë, që sipas tij do të nisë nga Tirana dhe më pas do të shtrihet në të gjithë vendin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button