“Bo*ba” e Alfred Cakos: Fatos Nano e shiti PS-në, Rama i pagoi 3 këste me nga 50 milionë euro

Në podkastin “Të Pashoq”, Alfred Cako ka rrëfyer mënyrën se si, sipas tij, George Soros ndërtoi ndikimin e tij në Shqipëri pas vitit 1992, duke depërtuar në dy partitë kryesore politike. Ai ka akuzuar gjithashtu Edi Ramën se i ka dhënë Fatos Nanos tri këste nga 50 milionë euro për të siguruar mbështetjen e tij në zgjedhje.
Analisti dhe konspiracionisti Alfred Cako ka treguar se si George Soros nisi të shtrinte ndikimin e tij në Shqipëri që prej vitit 1992, duke përdorur fondacionin Open Society për të krijuar lidhje me elitën politike dhe për të depërtuar gradualisht në Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.
Në podkastin “Të Pashoq”, Cako ka bërë një analizë të zhvillimeve politike të tri dekadave të fundit, ndërsa ka lëshuar akuza të forta edhe ndaj Edi Ramës dhe Fatos Nanos, duke deklaruar se kryeministri i ka paguar paraardhësit të tij në krye të socialistëve plot 150 milionë euro në këmbim të mbështetjes politike.
Sipas Cakos, ndërhyrja e rrjeteve ndërkombëtare në politikën shqiptare ka nisur shumë më herët, që në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ai e lidhi vendosjen e regjimit komunist me ndikimin e Internacionales Komuniste, ndërsa vitin 1992 e cilësoi si fillimin e një etape të re të kontrollit politik.
“Shqipërinë, të majtët liberalë, të majtët ndërkombëtarë e morën në vitin ’41 deri në ’44 dhe e shtinë në dorë nëpërmjet dy çobenjve që na dërguan nga Mali i Zi, të cilët kishin mandatin e globalistëve ndërkombëtarë që quhej Internacionalja Komuniste për të kontrolluar Shqipërinë. Na e rimorën në vitin ’92, kur Sorosi nëpërmjet disa plehrave shqiptarë që erdhën në vitin ’92 këtu hapi Open Society, filloi të merrte dita-ditës në kontroll elitën e shoqërisë shqiptare”, u shpreh Cako.
Ai shpjegoi se ndikimi i Sorosit u shtri në të dyja forcat kryesore politike, përmes afrimit të personave me lidhje në PD dhe PS. Sipas tij, një nga përpjekjet për të marrë kontrollin e Partisë Demokratike ishte krijimi i Komitetit të Orientimit të Politikave, i njohur si KOP, në vitet 2002-2003.
“Futi në Open Society njerëz të ndryshëm qoftë nga PD-ja, qoftë nga PS-ja dhe nëpërmjet tyre u përpoq të kontrollonte të dyja partitë dhe politikën shqiptare, derisa në vitin 2005 e mori. Më 2002-2003-shin organizoi KOP-in dhe u përpoq nëpërmjet KOP-it të merrte PD-në”, deklaroi Cako.
Duke kaluar te zhvillimet brenda Partisë Socialiste, Cako akuzoi Fatos Nanon se dorëzoi kontrollin e partisë për përfitime personale. Ai e lidhi këtë proces me ardhjen e Edi Ramës në krye të socialistëve pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.
“Dhe në vitin 2005, Nano shuraqin e nënshtruan dhe ai e dorëzoi për të mirat e veta, për ca vila që mori andej nga Vjena dhe për jetën e vet mondane. Ia shiti partinë, duke i dhënë dhe lekë si kryebashkiak që ishte Rama”, tha ai.
Në vijim, Cako lëshoi një akuzë të drejtpërdrejtë për marrëdhënien financiare mes Ramës dhe Nanos. Ai deklaroi se ish-kryeministri është paguar tri herë me nga 50 milionë euro, sa herë që ka dalë publikisht për të mbështetur Ramën në momente të vështira elektorale.
“Në dijeni time i ka dhënë tre këste nga 50 milionë euro Fatos Nanos, sa herë bënte ndonjë mesazh ai nëpër zgjedhje kur Rama ishte keq, i ftonte shokët socialistë të votojnë, të mbështesin Edi Ramën, gjigantin e politikës shqiptare, dhe merrte nga një 50-çe nga Rama”, deklaroi Cako.
Deklarata e tij për pagesat prej 150 milionë eurosh nuk u shoqërua gjatë intervistës me dokumente financiare apo prova të tjera.
Cako u ndal edhe te zhvillimet në Partinë Demokratike pas vitit 2013, duke deklaruar se vendosja e Lulzim Bashës në krye të saj ishte pjesë e një përpjekjeje për të marrë kontrollin e plotë të opozitës. Sipas tij, Sali Berisha nuk e dorëzoi plotësisht ndikimin mbi partinë, por vazhdoi ta kontrollonte përmes figurave të tjera.
“Dhe më 2013-ën u përpoqën ta merrnin 100% në kontroll PD-në duke vendosur Lul Bashën dhe duke bërë një marrëveshje, por Berisha nuk e dorëzoi sepse qëndroi mbrapa dhe u përpoq me numra dy ta mbante në kontroll Bashën”, u shpreh Cako./Pamfleti





