“S’është konflikt ish-dashnorësh”, Bushati: Rama të shpjegojë pse i përjashtoi ata që na i shiti si model suksesi

Analisti Andi Bushati ka ironizuar kryeministrin Edi Rama për vendimet e marra në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë llogaridhënieje.
I ftuar në “Të Paekspozuarit”, Bushati u ndal te përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Ndrecës, duke theksuar se çështja nuk lidhet me mbrojtjen e individëve, por me mënyrën se si Rama i paraqet dhe më pas i largon figurat e PS, pa dhënë shpjegime.
Analisti e krahasoi qëndrimin e kryeministrit me një konflikt personal, duke theksuar se vendimet e tij kanë rëndësi publike, pasi bëhet fjalë për njerëz që kanë mbajtur poste të larta shtetërore
“Ky nuk është konflikt ish-dashnorësh. Është konflikti i kryeministrit të vendit, që këtë gruan, ia ka servirur shqiptarëve në numrin dy të shtetit, pastaj si ministre jashtme. Një njeri që për 13 vjet ia ke servirur shqiptarëve si model suksesi, vjen një ditë dhe i thua ik dhe as nuk ndjen detyrimin të bëjë bilanc pse ua kam servirur këtë njeri, dje ishte e mrekullueshme dhe sot nuk bën. Është problem i arrogancës, jo i partisë, por i raportit të qeverisjes me popullin”, deklaroi Bushati.
Ai nuk i kurseu ironitë as për deputetët socialistë që komentuan vendimet e Asamblesë në studio televizive. Sipas Bushatit, ata shfaqeshin kontradiktorë dhe nuk arrinin të jepnin një shpjegim konkret për atë që kishte ndodhur.
“Kur na the do të diskutojmë këtë temë, dhe jemi me Klosin në studio, pashë emisionet ku kishin qenë deputetët socialistë. Lei Feni do të dridhej nga turpi, se si mund të ketë një gjuhë që ja kalon edhe atij”, u shpreh analisti.
Bushati e cilësoi sjelljen e përfaqësuesve socialistë si pasqyrim të asaj që ai e konsideron arrogancë të pushtetit.
“Ata ditëzinj në asamble nuk mblidhet për të diskutuar. Ata kanë dalë pa kuptuar se çfarë ka ndodhur, prandaj sillen si Lei Fenë…”, tha ai.
Bushati theksoi se përfaqësuesit e PS-së nuk ishin në gjendje të shpjegonin se për çfarë arsyesh ishin marrë vendimet ndaj figurave të përmendura.
“Prandaj sot shohim arradhë socialistësh në studio, që nuk dinë të thonë një gjë të thjeshtë, ku gabuan Spiropali, Ndreca apo Veliaj”, deklaroi Bushati.





