Politike

Ndreca sfidon vijën e PS-së? Zbulon çfarë i ka thënë Ramës për Veliajn

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar lidhur me raportimet për përjashtimin e tij nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste, pas zhvillimeve në Asamblenë e PS-së.

I ftuar në një emision televiziv, Ndreca deklaroi se vijon të jetë anëtar i Partisë Socialiste dhe se nuk është përjashtuar nga asnjë forum drejtues, pasi, sipas tij, nuk ka qenë anëtar i tyre. Ai sqaroi se ka pasur një zonë nën përgjegjësi politike në Tiranë, por nuk e konsideron atë si një forum drejtues të partisë.

Ndreca u ndal edhe te pozicioni i tij në mbrojtje të Veliajt, duke thënë se i ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se, në rast konflikti mes interesave politike të PS-së dhe interesave ligjore të kryebashkiakut, ai do të mbështesë këtë të fundit.

“Unë aderoj akoma në PS, nuk jam përjashtuar. Sipas raportimeve mediatike nga Asambleja, se unë nuk isha në Asamble, thuhet se jam përjashtuar nga forumet drejtuese të PS. Unë nuk jam anëtar i asnjë forumi drejtues të PS. Kam një zonë nën përgjegjësi politike në Tiranë, por nuk di të jetë forum drejtues i PS”, u shpreh avokati.

Ai tha se mund ta ketë këshilluar edhe gabim Veliajn, por theksoi se kjo është një çështje që i takon klientit të tij dhe se nuk duhet të ndikojë në pozicionin e tij politik brenda PS-së.

“Unë mund ta kem këshilluar dhe gabim Veliajn, por kjo është çështje e tij. Tani do çohet Asambleja e PS-së të zgjedhë avokatin e Veliajt? Kështu i bie tani, ose do sillesh siç themi ne, ose do shkarkohesh nga PS-ja që je avokat i Veliajt dhe i jep këto këshilla. Unë ia kam bërë të qartë zotit Rama: nëse interesat politike tuaja apo të PS-së konfliktohen me interesat ligjore të zotit Veliaj, unë do të jem në krah të Veliajt. Ai është personi që ka hall sot dhe do të jem në krah të tij”, deklaroi Ndreca.

Në përfundim, avokati u shpreh se karriera e tij politike është goditur, ndërsa për mungesën e votimit në Asamblenë e PS-së tha se përgjegjësinë për të dhënë sqarime e ka sekretari i përgjithshëm i partisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button