Rama e fshin Spiropalin nga forumet, por harron nenin 37 të statutit

Në Partinë Socialiste, Edi Ramës mund t’i mjaftojnë pak minuta për të larguar dikë nga forumet drejtuese. Nuk nevojitet as votim, as ndonjë procedurë e dukshme. Por në rastin e Elisa Spiropalit, kryeministri duket se ka harruar një hollësi: statutin e partisë që drejton.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Rama kërkoi largimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet e PS-së. Pavarësisht kundërshtimeve që u shprehën në mbledhje, largimi u shpall nga Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, i cili pranoi se nuk ishte zhvilluar votim.
Por a mund të përjashtohet Elisa Spiropali nga Asambleja Kombëtare vetëm me urdhrin e Ramës?
Neni 37, pika 2, përcakton shprehimisht se anëtarë ex officio të Asamblesë Kombëtare janë edhe anëtarët e partisë që kanë mbajtur më parë funksionin e Kryetarit të Kuvendit.
Elisa Spiropali e ka mbajtur këtë funksion. Për rrjedhojë, anëtarësia e saj në Asamblenë Kombëtare nuk buron nga ndonjë votim apo emërim i kryetarit të PS-së, por drejtpërdrejt nga statuti.
Ndërkohë, neni 38 përcakton se Asambleja Kombëtare zgjedh Kryesinë, ndërsa neni 22 parashikon shkarkimin nga organet e zgjedhura partiake si masë disiplinore, sipas procedurave përkatëse.
Kështu, Elisa Spiropali mund të mos jetë më anëtare e Kryesisë së PS-së, por sipas statutit ajo mbetet anëtare e Asamblesë Kombëtare, për shkak të funksionit të saj të mëparshëm si kryetare e Kuvendit.
Nëse do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë, nëse do ta kundërshtojë vendimin e Ramës apo do ta pranojë në heshtje përjashtimin e shpallur, kjo mbetet për t’u parë.
Deri atëherë, Partia Socialiste gjendet përballë një situate të pazakontë: kryetari e ka shpallur Spiropalin të larguar nga forumet, ndërsa statuti i partisë vazhdon t’i rezervojë një vend në Asamblenë Kombëtare./VNA





