Përplasja Rama-Veliaj merr përmasa të reja, Bashkia su*mon kryeministrin: Nuk varemi prej teje, boll me presione

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj ka marrë një tjetër kthesë këtë të shtunë. Pas akuzave të Ramës për shkarkime nga puna të punonjësve që nuk mbështesin postimet e Veliajt nga burgu, Bashkia e Tiranës ka reaguar ashpër, duke akuzuar kryeministrin për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të neutralizuar autoritetin e kryetarit të zgjedhur.
Përplasja politike mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt po thellohet, duke kaluar nga deklaratat dhe akuzat mes dy figurave të Partisë Socialiste në një konflikt të hapur institucional mes Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës.
Këtë të shtunë, Bashkia e Tiranës ka dalë me një deklaratë zyrtare kundër kryeministrit Edi Rama, vetëm pak orë pasi ky i fundit, nga Asambleja e Partisë Socialiste në kryeqytet, kritikoi ashpër largimet nga puna në administratën bashkiake dhe i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Veliajt.
Reagimi i Bashkisë shënon një përshkallëzim të përplasjes, pasi institucioni i drejtuar nga Veliaj e akuzon kreun e qeverisë se po ndërhyn në kompetencat e pushtetit vendor dhe se po ushtron presion ndaj drejtuesve të administratës.
“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Por reagimi shkon edhe më tej, duke ngritur pretendimin se situata e krijuar nga masa e sigurimit ndaj Veliajt po shfrytëzohet për të dobësuar autoritetin e tij në drejtimin e institucionit.
“Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë”, theksohet në reagim.
Bashkia kërkon ndërprerjen e ndërhyrjeve politike, duke këmbëngulur se institucioni u përket qytetarëve të kryeqytetit dhe jo preferencave të kryeministrit.
“Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues. Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do t’u shërbejë deri në fund zgjedhësve të saj”, përfundon deklarata.
Përplasja u ndez gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, ku Rama kritikoi drejtpërdrejt Veliajn dhe drejtuesit bashkiakë që, sipas tij, po zbatojnë urdhra për largime të pajustifikuara nga puna.
Kryeministri përmendi rastin e Erjona Lalajt, drejtuese e Policisë Bashkiake, duke pretenduar se largimi i saj lidhet me mungesën e mbështetjes ndaj postimeve të Veliajt në rrjetet sociale.
“Prej vitesh s’u kërkon askush llogari për kë votojnë, jo më t’i largojnë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë. Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?”, deklaroi Rama.





