Nga besnike e Ramës në “armike” e partisë, Spiropalin e përzënë edhe nga grupi parlamentar

Elisa Spiropali është përjashtuar edhe nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Këtë e bëri të ditur sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku foli për vendimin e largimit të ish-kryetares së Kuvendit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat e partisë.
“Po, është përjashtuar nga të gjitha forumet, përfshirë dhe grupin”, deklaroi Klosi, duke përfshirë për herë të parë shprehimisht edhe grupin parlamentar në masën e marrë ndaj Spiropalit.
Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve tha se arsyeja e largimit të tyre ishte shkelja e disiplinës partiake, ndërsa theksoi se PS duhet të përqendrohet te procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
I pyetur nga gazetari Ylli Rakipi se përse ishte marrë një vendim i tillë ndaj Spiropalit, e cila për vite me radhë ka qenë ndër mbështetëset më të forta të kryeministrit Edi Rama, Klosi u përgjigj shkurt: “Disiplina në parti”.
Si u kthye njeriu më i disiplinuar i kësaj partie, që jepte jetën për Edi Ramën, në një njeri të padisiplinuar?”, e pyeti Rakipi.
“Për detyrën që kam, e kam të vështirë të flas për individët. Vendimmarrja ishte e forumit më të lartë të PS, nga kongresi në kongres, për të mbështetur projektin më të rëndësishëm që ka PS, integrimin në BE. Orientimi i forcës tonë drejt një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme. Disiplina është arsyeja”, u shpreh Klosi.
Gjatë bisedës, Rakipi përmendi edhe pretendimet se Spiropali mund të kishte folur kundër Ramës gjatë kontakteve në Gjermani, por Klosi nuk i komentoi këto zëra, duke thënë se nuk jepte arsye personale.
Ai theksoi se Partia Socialiste ka 104 mijë anëtarë aktivë dhe 83 deputetë, ndaj në momente të caktuara duhet të marrë vendime për të ruajtur orientimin e saj politik.
“Janë momentet ku ndahen projektet. Jemi forcë me 104 mijë anëtarë aktivë. Kemi 83 deputetë. Ka momente që duhet të marrim vendime”, deklaroi Klosi.
Sekretari i Përgjithshëm foli edhe për largimin e Plarent Ndrecës, duke sqaruar se ai mbante një funksion në drejtimin politik të Bashkisë së Tiranës, nga i cili është larguar.
“Përjashtimi i Ndrecës dhe Spiropalit është nga funksionet në strukturat e PS-së, nuk u përjashtuan nga partia. Është parti e hapur. Për zotin Ndreca ka qenë përjashtim nga pjesa e drejtimit politik të Bashkisë së Tiranës. Ka pasur një funksion. Të dy u larguan nga forumet dhe ato çka i ka ngarkuar PS”, tha ai.





