ShowBiz

Ju kujtohet Xhoni i “Love Story”? Rrëfimi i tmerrshëm i ish-konkurentit:   Franc Konomi, babai im…donin të më vr*snin edhe mua

Pas 17 vitesh heshtje, Xhoni ka vendosur të flasë publikisht për plagën që, siç rrëfen vetë, e ka mbajtur brenda që në adoleshencë. Në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, ai u shfaq mes lotësh dhe tregoi për herë të parë në detaje dhimbjen e humbjes së babait, atentatet ndaj tij dhe betejën e vështirë psikologjike që ka kaluar ndër vite.

Xhoni ishte vetëm 15 vjeç kur babai i tij, Franc Konomi, u vra. Sipas rrëfimit të tij, tragjedia nuk përfundoi me humbjen e të atit, pasi edhe vetë ai u vu në shënjestër.

Me zërin që i dridhej, ai tregoi se pas vrasjes së babait jeta e tij mori një tjetër drejtim.

“Mua ma kanë vrarë babin prej 17 vitesh. Babi im quhej Franc Konomi… Kur më vranë babin deshën që të më vrisnin edhe mua dy herë”, rrëfeu Xhoni.

Por ajo që pasoi ishte edhe më e rëndë. Për herë të parë, ai foli hapur edhe për gjendjen e tij emocionale pas tragjedisë, duke treguar se dhimbja e humbjes e kishte çuar në pikën kur kishte menduar t’i jepte fund jetës.

“Unë nuk e përballova dot atë dhimbje dhe doja që të vrisja veten. Desha që të mbysja veten me lloj-lloj mënyrash që ju nuk ia keni idenë. Por nuk ka dashur Zoti që të më marrë”, u shpreh ai.

Një tjetër plagë që Xhoni e mbart prej fëmijërisë lidhet me mënyrën se si u rrit pas vrasjes së të atit. Ai tregoi se mungesa e një figure mashkullore në familje ka qenë një boshllëk që e ka ndier gjatë gjithë adoleshencës.

“Unë jam rritur vetëm me femra në familjen time, nuk e kam pasur një burrë që të më tregonte se si të rruhesha apo të sillesha”, tha Xhoni.

Franc Konomi u vra më 8 korrik 2010, pranë “Pazarit të Ri”, pasi u qëllua me 10 plumba. Ai u gjet i pajetë në makinën e tij “Mercedes-Benz”.

Por historia familjare nuk është mbyllur me vrasjen. Vite më pas, familja vijon përballjen edhe për pasurinë që Franc Konomi la pas.

Rovena, bashkëshortja e tij, ka akuzuar publikisht kunatin e saj, Adin, se ka përvetësuar dhe shitur hotelin që, sipas saj, ishte ndërtuar nga Franc Konomi.

“Më thanë: ‘Ka qenë i Franc Konomit, e ka marrë Adi Konomi dhe ia ka shitur një personi tjetër’. Si mund të shesësh ti një pronë që nuk është e juaja?”, tregoi Rovena.

Ajo foli gjithashtu për një tjetër episod që, sipas saj, e ka tronditur thellë pas vrasjes së bashkëshortit. Rovena pretendoi se makina ku Franci kishte humbur jetën ishte larë dhe më pas ishte përdorur nga vëllai i tij.

“Të vritet vëllai jot dhe ti të hipësh te ajo makinë, ku ka dhënë shpirt?!”, u shpreh ajo e përlotur.

Xhoni është bërë më herët i njohur për publikun edhe përmes pjesëmarrjes në reality show-n “Love Story”, ku gjatë programit krijoi edhe një lidhje sentimentale. Historia nuk zgjati, ndërsa sot ai është i martuar dhe baba i një vajze.

Këtë herë, megjithatë, ai u rikthye në ekran për një arsye krejt tjetër. Jo për një histori dashurie, por për të rrëfyer një dhimbje që e ka shoqëruar që prej moshës 15-vjeçare.

Në “Shihemi në Gjyq”, Xhoni dhe motra e tij Franceska kërkojnë njohjen si trashëgimtarë legjitimë të babait të tyre dhe të drejtën mbi pasuritë që pretendojnë se u takojnë.

Pas 17 vitesh, rrëfimi i Xhonit solli në dritë një histori familjare të mbushur me humbje, dhimbje dhe beteja që, siç dëshmoi vetë ai, kanë lënë gjurmë të thella në jetën e tij./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button