Tabaku: Protestat kanë treguar krizën e besimit te institucionet, kërkohet qeveri teknike

Gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Median, deputetja Jorida Tabaku u ndal te protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në kryeqytet, duke deklaruar se ato kanë evidentuar një krizë besimi të qytetarëve ndaj institucioneve dhe përfaqësimit politik.
Tabaku iu referua protestave që, sipas saj, kanë vijuar për rreth 150 ditë, duke theksuar se ndër kërkesat e ngritura janë shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike, i paketës së maleve, si dhe ndryshimet në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas deputetes, këto problematika lidhen drejtpërdrejt edhe me angazhimet që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj, Tabaku deklaroi se qytetarët po kërkojnë një zgjidhje politike, që sipas saj duhet të përfshijë tërheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike. Ajo theksoi se këto kërkesa duhet të përfshihen në rendin e ditës së Kuvendit, duke i cilësuar si pjesë të axhendës aktuale të vendit.
“Duhet patjetër që sot të kemi një qasje tjetër. Të kemi një ndryshim. Unë e kam humbur shpresën që ju do reflektoni dhe do ndryshoni. Po të më kërkonit 2013-ën, do ju sillja amendamente. E kemi bërë këtë. Po sot njerëzit kërkojnë një zgjidhje politike, kërkojnë tërheqjen e qeverisë, kërkojnë një qeveri teknike, kërkojnë që të reflektojmë për këtë sistem që sot ka përqendruar çdo pushtet në një dorë dhe që sot fatkeqësisht ka ndrydhur edhe të ardhmen e Shqipërisë. Kështu që kërkesa ime është që kjo axhendë që Shqipëria ka që nuk e vendosim dot ne, e ka vendosur rruga, e kanë vendosur studentët, e ka vendosur protesta, të sillet edhe këtu në parlament dhe ne të kemi këtë rend dite sot”, deklaroi Tabaku.
Një tjetër çështje që deputetja trajtoi gjatë mbledhjes ishte situata e lirisë së medias dhe siguria e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Tabaku pretendoi se 47 gazetarë janë përballur me kërcënime, intimidime ose dhunë në 43 raste që, sipas saj, lidhen me veprimet e policisë.
Ajo iu referua gjithashtu një raporti të organizatës Reporterët pa Kufij, duke deklaruar se dokumenti evidenton shqetësime për mënyrën e trajtimit të përfaqësuesve të medias.
Sipas Tabakut, raporti ngre pikëpyetje mbi pengesat që hasin gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit, përfshirë rastet kur ata janë të identifikuar qartë si punonjës të medias.
Deputetja e lidhi këtë situatë me nevojën për një qasje tjetër institucionale ndaj lirisë së shprehjes dhe respektimit të të drejtave të gazetarëve.





