Deputetja akuzon prindërit se nuk dinë të rrisin fëmijët: I lënë të luajnë play station gjithë ditën

Deputetja socialiste Iris Luarasi, ka sjellë shembullin e Francës, për të justifikuar arrestimin e të miturve nga Policia.
Ajo thotë se Franca po ndjek penalisht mbi 1.4 mijë të mitur, ndërsa akuzon prindërit shqiptarë se nuk dinë të rrisin fëmijët e tyre.
Postimi i Luarasit
Në Francë, mijëra të mitur janë ndaluar gjatë protestave të këtyre javëve dhe mbi 1.400 prej tyre po ndiqen penalisht. Të këputet shpirti kur sheh fëmijë aq të vegjël që do vuajnë dënimin e tyre për vite, ndërsa ata që i fusin në vijën e parë të sulmit janë të sigurt pas kamerave dhe në studio televizive.
Kush nuk ka kurajë të dalë vetë përpara, por nxjerr aty fëmijët e të tjerëve, nuk ka të drejtë të flasë për të ardhmen e këtij vendi.
Pasojat nuk i paguajnë organizatorët. I paguan djali në spital, I paguan nëna që pret te dera e komisariatit. Në darkë, ata që i nxjerrin të miturit në rrugë i quajnë “heronj” në studio. Por fëmijët e tyre nuk janë kurrë në vijën e parë.
Protesta është e drejtë kushtetuese dhe e kam mbrojtur gjithmonë. Por e drejta për të protestuar nuk përfshin të drejtën për të përdorur të miturit si mburojë.
Këta djem janë edhe pasqyrë e shoqërisë që u kemi lënë me rrjete sociale të dhunshme, play station me orë të tëra, prindër që mungojnë, shkolla që japin dije por jo edukim, dhe pak mundësi për t’u ndjerë të dobishëm.
Për këtë, përgjegjësia është e të gjithëve. Por përgjegjësia për t’i futur në vijën e parë të dhunës dhe djegies ka emër dhe mbiemër. Dhe nuk është e tyre, por e atyre që aspirojnë të vijnë në pushtet përmes dhunës.
Kush nxit të miturit drejt dhunës duhet të mbajë përgjegjësi, penale dhe politike. Fëmijët duhet t’i lëmë të rriten, jo të sakrifikohen për ambiciet e dikujt tjetër.





