Hetimet për videot intime, Adi Hila shkatërroi hard-diskun e kamerës; dosja i kalon Prokurorisë

Prokuroria e Tiranës ka hedhur shortin për dosjen e video-skandalit që lidhet me kompozitorin Adi Hila, ndërsa hetimi i çështjes i është caktuar prokurorit Julian Xhengo, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Adi Hila ka kallëzuar se është hakeruar, ndërsa këngëtarja Eli Fara i është drejtuar autoriteteve me pretendimin se i është cenuar privatësia.
Mbi bazën e këtyre kallëzimeve, hetimet po zhvillohen për disa vepra penale. Kallëzimi i Hilës lidhet me dyshimet për hyrje të paautorizuar kompjuterike, ndërsa ai i Eli Farës me përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike.
Ndërkohë, një ditë më parë edhe aktorja Monika Lubonja bëri të ditur se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.
Hetimit i është shtuar edhe një tjetër vepër penale, ajo e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo lidhet me një hard-disk që është sekuestruar gjatë hetimeve dhe që, në momentin kur policia ka tentuar ta këqyrë, është konstatuar i dëmtuar.
Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se hard-diskun e kishte shkatërruar vetë. Ai ka pretenduar se nuk ishte i sigurt nga vinte ndërhyrja dhe se kishte frikë se persona të tjerë mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhënat në distancë.
Pas caktimit me short të prokurorit Julian Xhengo, dosja do të vijojë të hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Pasi të dokumentojë çështjen, organi i akuzës pritet që brenda pak orësh t’ia delegojë sërish dosjen policisë, së bashku me detyrat përkatëse për vijimin dhe thellimin e hetimeve.





