Personazh

E vërteta e doktor Adhamudhit dhe si u hakmorr Çajupi ndaj tij, pse nuk e pranoi për baxhanak

A e dini që Doktor Adhamudhi te komedia e Çajupit “Pas Vdekjes”, quhej Gjergj Adhamidhi, ishte nga Dangëllia e Përmetit dhe që në fakt ka qenë një personalitet i shquar, por që Andoni e penalizoi nga që nuk e pranoi për baxhanak?

E vërteta është si më poshtë:

Gjergj Adham Frashëri (1856 -1939) ka qenë mjek okulist shqiptar dhe figurë politike. Në fillimet e shekullit të 20-të kontribuoi për pavarësinë e Shqipërisë me fonde dhe punë patriotike. Ai ishte mbrojtës i tezës se ‘shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve’ me veprën e tij “Pellazgët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët”.

Gjergj Adhamidh bej Frashëri, i referuar edhe si Gaqo Adhamidhi ose Adamid Frashëri, rrjedh nga familja e Dhamellarëve dhe nip i Panollarëve të Frashërit të Dangëllisë, me një histori që vjen të paktën që nga Mesjeta. Rrënja e trungut të hershëm të tij përmendet në krye të herës me Petro Frassiarin, tregtar në Selanik në vitin 1425. Më pas, Frassarët, apo Frassinët ose Frossinët, i gjejmë kalorës stratiotë në Këlcyrë (Clissura) nën urdhrat e Venedikut. Ata u shquan në komandimin e reparteve të Republikës së Shën Markut kundër turqve në vitet 1415 deri 1563, përkrah Buave, Muzakajve, Maneshëve, Bohalive, Barbatëve, Kladës, Këmbëthekrës etj.

Dhamellarët banonin në të njëjtën lagje me Panollarët në Frashër. Mbiemrin familja e kishte marrë nga gjyshi ose stërgjyshi me emrin Adham, i cili shkurtimisht në fshat quhej Dhame. Ishte një familje tregtare e pasur e Frashërit, nga e cila u shqua Gjergji Adhamidhi, nip i Panollarëve (e ëma bijë në Panollarët), të cilët përpara se Frashëri të digjej nga grekët më 6 maj 1914, kishin aty shtëpinë e tyre arkontale, me hyrje të mermerosur e me mbishkrime.

Gjergji, pasi mbaroi shkollën fillore në fshat, shkollën e mesme e kreu në Korçë dhe studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Lausanne të Zvicrës, ku u njoh edhe me Andon Zakon. Pasi ushtroi për disa kohë profesionin e tij në Gjenevë dhe në Korçë, u vendos në Kajro (1890), ku nisi punë në spitalin austro-hungarez. Në këtë kohë u njoh edhe me Mihal Turtullin.

Këtu, në Egjipt, Gjergj Adhami fitoi emër të mirë si mjek e si shqiptar dhe u emërua mjek i oborrit mbretëror. Preferenca e Abbasit (princ oborri) për Gjergjin e ka burimin përveçse tek aftësia e tij si mjek, ndoshta edhe te fakti që ai ishte shqiptar. Abbasi, nipi i shqiptarit Mehmet Ali Pashë Misirit – themeluesit të Egjiptit të pavarur, vazhdonte, ashtu si gjyshi i tij, të ishte i ndërgjegjshëm për kombësinë e tij shqiptare. Këtë e mësojmë nga një letër që Tahsim Frashëri, vëllai më i vogël i Abdyl Frashërit, i shkruante nga Kajroja vëllait të vet, Sami Frashërit (1875), ku i shkruante se, në një ditë të caktuar të javës, Abbasi ftonte në pallatin e tij vetëm shqiptarë të zgjedhur të mërguar në Egjipt, me të cilët bisedonte në gjuhën shqipe.

Në vitin 1901, doktor Adhamidhi u bë anëtar i Institutit Egjiptian të Kajros. Në një kongres ndërkombëtar në Kajro (1902), ai mbajti referatin në formën e një debati shkencor me temë “Pellazgët dhe egjiptianët”, ku doktori i shkencave Frashërlli hodhi poshtë tezën e parashtruar nga shkencëtari grek N. Apostolidhi në atë kongres, i cili mohonte lidhjet gjenetike të pellazgëve me shqiptarët…

Doktor Adhamidhi e ka pasuruar dhe më tej tezën rilindëse pellazge-shqiptare. Ai mbajti dy referate në konferencat për pellazgjishten, greqishten dhe shqipen, të titulluara “Les Pélasges et leurs descendants les Albanais”, që u botuan në vitin 1902. Madje, ai ka shfrytëzuar jo vetëm argumente gjuhësore, por edhe të dhëna historike, nga të cilat të bën përshtypje një mbishkrim egjiptian i shekullit 13-të p.e.s., ku përmenden për herë të parë pellazgët. Doktor Adhamidhi vazhdoi në Egjipt ta mbronte çështjen kombëtare shqiptare edhe në vitet e mëvonshme.

Me vendim khedival, familjes së tij iu dha titulli fisnikëror i beut të Egjiptit. Duke çmuar punën e mjekut, khedivi i siguroi komendën e Urdhrit të Mexhidies nga Sulltan Abdyl Hamiti II. Gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, u përpoq të ndërlidhte koloninë e atjeshme të shqiptarëve me koloninë e Rumanisë, por pa sukses.

Më 1905, Princi Albert Gjika (me origjinë nga Pëllumbari i Përmetit) e ftoi të merrte pjesë në Komitetin kombëtar shqiptar, që ky i fundit kishte themeluar në Paris. Më 1908, doktor Adhamidhi u zgjodh njëzëri në krye të grupit “Bashkimi” të shqiptarëve të Egjiptit dhe mori pjesë në përgatitjet për Kongresin e Manastirit, ku ishte i prerë për vendosjen e alfabetit latin si dhe të shkronjave “dh” e “th”, si dhe financoi personalisht me 10 mijë sterlina kryengritjet shqiptare të viteve 1911-1913.

Gjergj Adhami u martua me Helena Thimi Markon (1870-1940), e bija e Thomajt, një patriot korçar i mërguar në Egjipt dhe lindën tre fëmijë. Djali i tyre, Paul Beu (1904-1989), pati një nga koleksionet më të mëdha të artit modern në Zvicër dhe shkëlqeu për nga eleganca dhe erudicioni. Dy vajzat quheshin Eleonora dhe Kristina.

Me ardhjen e Princ Vidit u thirr të merrte pjesë në kabinetin e parë si ministër Financash, por protestoi dhe dha dorëheqjen pasi u firmos Protokolli i Korfuzit. Princ Vidi e emëroi përfaqësues personal të tijin pranë oborrit italian dhe e dekoroi oficer të madh të Urdhrit të Shqiponjës së Zezë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Gjergj Adhami vijoi lobimin për integritetin territorial të Shqipërisë dhe më 1915 do të zgjidhej zëvendëskryetar i Komitetit Kombëtar të Gjenevës. Adhami redaktoi platformat e Komitetit që iu shpërndaheshin diplomatëve dhe më vonë mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, ku u bë një ndër zëdhënësit e interesave shqiptare pranë delegacioneve të Fuqive të Mëdha të Europës dhe të SHBA-ë.

Pasi qenësia e shtetit shqiptar u konsolidua, Adhamidhi u vendos me gjithë familjen në Gjenevë, ku kishte selinë Lidhja e Kombeve dhe loboi në vazhdimësi çështjen shqiptare e të kombësive të tjera të ish-Perandorisë Osmane, duke u bërë edhe anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për të Drejtat e Popullit Armen. Për pesëmbëdhjetë vitet që vijuan, mbajti konferenca, manifestime, shkroi artikuj dhe debatoi në mbrojtje të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të mjeruar të ish-Perandorisë Osmane.

Sekretari i Komitetit Kombëtar të Gjenevës, Visar Dodani, e përmend në kujtimet e veta, ku i kushton radhët “… Z. dr. Adamidi është njeriu që ndihu pa masë të përparojë dëshira e të gjithëve. Mik me englezët, me amerikanët, njerëz të mëdhenj, të gjithë filloshqiptarë. Dr. Adhamidhi i ka shërbyer çështjes shtetnore plotësisht. Dr. Gjergji Adamidhi ka punuar dhe dëshëroj të kujtohet emër i tij për jetë”.

Pikërisht në Gjenevë do ta takonte Andon Zako Çajupi, i cili kërkonte të martohej me kunatën e tij. Adhamidhi do të pyetej nga vjehrri për kandidaturën e re, por ai ishte i prerë se Çajupi nuk e meritonte nga veset që kishte. Hakmarrja ishte shumë më e dhimbshme sesa ishte menduar. Përgjigjja e Çajupit do të ishte më e rëndë…

Çajupi ndërton personazhin e Doktor Adhamudhit te komedia e tij “Klubi i Selanikut”, duke portretizuar Adhamidhin. Ai, përmes këtij personazhi, paraqet shqiptarin grekoman, zengjin, parazit e oportunist, që sipas tij gjendej rëndom në shoqërinë shqiptare të Selanikut dhe gjetkë nëpër perandori. Arsyeja që Çajupi e trajtoi në mënyrë të tillë ka qenë, siç e përmendëm, sepse i kërkoi dorën një vajze të familjes ku ishte dhëndër Adhamidi.

Sipas Kristo Frashërit, ky i fundit kishte refuzuar ta kishte për baxhanak Andon Zakon; ku dhe gjen burim mëria e shkrimtarit.

Pranohet që poeti dhe dramaturgu shqiptar Andon Çako, i njohur më mirë si Andon Zako Çajupi, një nga aktivistët e shquar të Zgjimit Kombëtar Shqiptar, e bazoi personazhin e tij komik “Dr. Adhamudhi” të komedisë së tij “Pas Vdekjes” duke u nisur nga Gjergj Adhamidhi. Arsyeja ishte një hakmarrje personale për shkak se të dy kishin shkuar keq me njëri-tjetrin. Brenda komedisë së Zakos, “Dr. Adhamudhi” përshkruhet si një pseudo-mjek grotesk, injorant e pro-otoman.

Profesor Kristo Frashëri, në një intervistë pak kohë para vdekjes, do të shprehej: “Në veprën e tij ‘Pas Vdekjes’, Çajupi do ta masakrojë kulturalisht, duke e quajtur doktorin Adhamudhi dhe duke ia dhuruar një publiku injorant, që gëzon me fatkeqësinë e tjetrit edhe sot e kësaj dite. Eh, ajo kohë është si sot. Gjithnjë jemi përpjekur të hedhim baltë, duke shfrytëzuar letërsinë, letrat, gjithçka…”.

Ndërroi jetë në Gjenevë në vitin 1939, por u varros në Nicë të Francës.

Referenca: – K. Frashëri, “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, Geer, Tirana, 2010;

– T. Frashëri, “E vërteta e Dr. Gjergj Adamidi bej Frashërit”, Rilindasi.

– Arkivave dhe shtypit kohes

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button