“Më sill 10 mijë euroshin tim”/ Rogerti i drejtohet avokates dhe kërkon rrugë ligjore ndaj Selin Bollatit

Përplasja mes ish-finalistit të “Big Brother VIP Albania 5”, Rogert Sterkaj, dhe fitueses së këtij edicioni, Selin Bollati, duket se ka marrë një tjetër kthesë. Pas muajsh përplasjesh dhe deklaratash publike, çështja e pretendimit për 10 mijë euro ka kaluar tashmë në një tjetër fazë, pasi Rogerti i është drejtuar avokates Aurora Marku për të shqyrtuar rrugët ligjore që mund të ndjekë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rogerti shfaqet pranë avokates dhe shpjegon arsyen e konsultimit juridik. Ai pretendon se kishte një dakordësi të mëparshme me Selin Bollatin për 10 mijë euro nga çmimi që ajo do të fitonte, ndërsa thotë se ka mësuar se paratë janë marrë tashmë.
“Ja ku jemi këtu te avokatja më e fortë, Aurora Marku. Thoni ju pse ‘jam këtu?’ Jam këtu se kisha marrë vesh që ajo Selin Bollati kishte marrë lekët e çmimit. Po sikur atë paktin tonë që kishim rënë dakord, 10 mijë euroshin tim, do ishte mirë me e pru. Jam këtu te avokatja, po shohim anët ligjore”, shprehet Rogerti në video.
Nga ana tjetër, avokatja Aurora Marku sqaron se bëhet fjalë për një marrëveshje verbale, sipas pretendimit të klientit të saj. Ajo bën me dije se hapi i parë do të jetë tentativa për të kontaktuar Selin Bollatin dhe për të parë nëse çështja mund të zgjidhet përmes komunikimit mes palëve. Nëse kjo nuk rezulton e mundur, atëherë do të shqyrtohet ndjekja e çështjes në rrugë gjyqësore.
Por kjo histori nuk ka nisur tani. Pretendimi i Rogertit për një marrëveshje me Selinin ishte rikthyer në vëmendje edhe më herët, gjatë periudhës së “Big Brother VIP Albania 5”. Madje, në prill, kur gara për çmimin e madh ishte ende e hapur, Rogerti kishte folur për rëndësinë që kishin për të paratë e çmimit, duke deklaruar se dëshironte t’i siguronte për djalin e tij. “Kam ardh me marr lekët me ia rujt djalit. Se unë e ndiej që s’do jetoj mbi 5 vjet”, ishte shprehur ai.
Pas përfundimit të spektaklit, Selin Bollati dhe Rogerti e rikthyen sërish këtë temë. Më 9 shtator, Selin u pyet publikisht nëse Rogerti e kishte ndihmuar të fitonte çmimin dhe nëse mes tyre kishte pasur ndonjë marrëveshje. Përgjigjja e saj ishte mohuese. Ajo tha se fitoren e kishte arritur vetë dhe se nuk kishte pasur “ndihma” apo “backup” nga askush.
“Për mua ka mbaruar ‘Big Brother’ shumë kohë më përpara. Të vërtetat edhe transparenca ime, besoj, dhe gjatë kohës së ‘Big Brother’, por edhe jashtë saj, ka qenë 100% me publikun. Këto janë të pavërteta dhe aludime të dala nga vetë personi apo nga njerëz që pretendojnë dhe besojnë të njëjtën gjë. Kështu që jo, fitoren e kam marrë në forcën time, me veten time, pa ndihma dhe pa backup nga askush”, deklaroi Selin.
Ndërkohë, në një intervistë të publikuar më 15 shtator, vetëm pak kohë para videos së Rogertit me avokaten, Selin foli edhe për fatin e çmimit të madh prej 100 mijë eurosh. E pyetur nëse i kishte marrë paratë, ajo e konfirmoi me humor: “Normal që i kam marrë lekët, bëj shaka. Kanë shkuar aty ku është thënë”.
Tashmë, pikërisht fakti që Selin ka konfirmuar se e ka marrë çmimin, duket se ka rikthyer në qendër të vëmendjes pretendimin e Rogertit për 10 mijë eurot./Pamfleti




