Aktualitet

“Ministri i Drejtësisë s’mund të takojë një të pandehur”, Ndreca për takimin Veliaj-Gogu: Mund të bëjmë kallëzim penal

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka komentuar takimin e kryebashkiakut me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, duke bërë të ditur se po shqyrtohet mundësia e një kallëzimi penal.
Pas shtyrjes së seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokati Plarent Ndreca ka folur për mediat lidhur me zhvillimet e fundit në çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
I pyetur për pretendimin e Veliajt se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar të ndryshonte përfaqësuesin ligjor, Ndreca konfirmoi se do të vazhdojë të jetë avokati i tij.
Ai u ndal edhe te takimi i zhvilluar mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e burgut të Fierit. Sipas Ndrecës, një grup juristësh të huaj po shqyrton rrethanat e këtij takimi për të përcaktuar nëse ka elemente të një vepre penale.

Unë do të vazhdoj të jem avokat i Veliajt. Kam marrë dijeni dje, kur Veliaj më ka dhënë edhe letrën që më pas është bërë publike, si dhe shënimet që ka mbajtur pas takimit me Gogun. Unë dhe një grup i huaj po punojmë për të parë nëse ka vepër penale. Nuk ka kërkesë nga Veliaj për të takuar ministrin e Drejtësisë. Ministri nuk mund të shkojë në një orar në 10 të natës. Ka të drejtë të inspektojë institucionin, por jo të takojë për një orë e gjysmë, kokë më kokë, një të pandehur që është në gjykim. Nuk mund të bëhet një takim i tillë në zyrën e drejtorit.
Ne po e vlerësojmë ligjërisht këtë çështje, sepse duhet të mirëkuptoni edhe vështirësinë tonë për të komunikuar me Veliajn. Jemi ende në fazën e vlerësimit dhe për këtë është vënë në dijeni edhe grupi i avokatëve të huaj”, u shpreh Ndreca.
Avokati komentoi gjithashtu marrëdhënien mes kryeministrit Rama dhe Veliajt, duke konfirmuar se ka pasur një komunikim me kreun e qeverisë lidhur me situatën e kryebashkiakut.

Ndreca theksoi se, në rast të një përplasjeje mes angazhimit të tij politik dhe detyrimit për të mbrojtur ligjërisht Veliajn, përparësi do t’u japë interesave të klientit të tij, pavarësisht pasojave që mund të ketë në karrierën politike.
“Siç ia kam thënë edhe kryeministrit, nëse përplasen interesat e mia si një prej drejtuesve politikë të qarkut të Tiranës me interesat ligjore të Veliajt, unë do të zgjedh të mbroj interesat ligjore të Veliajt. Do të rreshtohem në mbrojtje të interesave të tij ligjore. Kjo mund të më kushtojë politikisht, por mendoj se është më e drejtë të mbrohen të drejtat e njeriut.
Këtë ia kam thënë kryeministrit, edhe nëse ka pasur përplasje. Kemi pasur një komunikim për këtë çështje, për Veliajn, mes meje dhe kryeministrit. Në momentin e duhur do të bëj me dije edhe detajet”, deklaroi Ndreca.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button