ShowBiz

Sara Hoxha rikthehet në “E Diell”, këtë herë si moderatore

Sara Hoxha po hyn në një tjetër etapë televizive, këtë herë në një rol që nuk e ka provuar më parë. Influencerja do të jetë në krye të rubrikës së re “Me Gjithë Zemër”, pjesë e programit “E Diell” në Top Channel, duke nisur nga e diela, 20 shtator.

Ky është një tjetër hap për Sarën në ekran, pas disa eksperiencave që e kanë lidhur me televizionin gjatë viteve të fundit. Ajo u bë fillimisht pjesë e “Dancing With The Stars” në sezonin 2022–2023, ku garoi si konkurrente dhe në fund u shpall fituese e spektaklit së bashku me balerinin Luixhino Hala.

Vetëm pak muaj më vonë, Sara iu bashkua “E Diell”, por këtë herë si anëtare e jurisë së rubrikës “She’s On Top”, ku ishte krah Dea Mishel dhe Krist Aliaj.

Eksperienca e saj në ekran nuk u ndal vetëm te televizoni. Në vitin 2023, ajo provoi edhe aktrimin, duke qenë pjesë e kastit të filmit “Në Kuadër të Dashurisë”, ku interpretoi personazhin e Arias.

Tashmë, rikthimi në “E Diell” vjen me një ndryshim të rëndësishëm. Sara nuk do të jetë më konkurrente apo pjesë e një jurie, por do të jetë ajo që do të drejtojë një rubrikë televizive.

“Me Gjithë Zemër” duket se do të ketë në qendër historitë personale dhe momentet emocionale. Nga postimet paralajmëruese të rubrikës, publiku ftohet të shkruajë për të falënderuar një person të rëndësishëm, për t’i kërkuar falje dikujt, për të organizuar një propozim martese apo për t’i bërë një surprizë një njeriu të dashur. Duket si një lloj “Dua të të bëj të lumtur”, që drejtohej nga Arbana Osmani.

Koncepti sjell në vëmendje formatet televizive të bazuara te historitë njerëzore dhe emocionet, të cilat kanë qenë të pranishme prej vitesh në ekranet shqiptare. Megjithatë, “Me Gjithë Zemër” prezantohet si një projekt i ri dhe detajet e plota të formatit pritet të zbulohen me nisjen e transmetimit.

Kështu, pas fitores në “Dancing With The Stars”, eksperiencës si anëtare jurie dhe rolit në kinematografi, Sara Hoxha po provon një tjetër sfidë në ekran: moderimin dhe drejtimin e një rubrike të sajën në “E Diell”./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button