Aktualitet

Kërceva e u argëtova te darka e Gjergj Lucës për shtatë palë qejfe…

Kam ca kohë që jam shkëputur nga rrjetet sociale. Për higjienë mendore. Jo se më mungojnë, por sepse, në një pikë, njeriu duhet të zgjedhë mes jetës reale dhe kanalizimeve dixhitale.

Megjithatë, miq e njerëz të njohur më informojnë herë pas here për “bëmat” që qarkullojnë aty. Dhe sipas tyre, bëma ime e fundjavës paskësh qenë… Darka e Lucës.

Po, isha në përurimin e kompleksit më të ri të Gjergj Lucës në Apolloni.

Le ta them edhe një herë, që të mos lodhen montazhierët profesionistë: në 24 vite njohje me Lucën kemi pasur afrime e ftohje, dakordësi e mosdakordësi. Por një gjë nuk ndryshon: te restorantet e tij ha me sy mbyllur. Ka shije, pastërti, nivel, shërbim dhe një kulturë mikpritjeje që nuk ta imponon askush.

Kur Luca organizon një event, shkohet për qejf. Dhe aty bëhet qejf. Pikë.

Ata që kanë jetuar Tiranën e viteve të Rozafa Palace, te Brryli, e dinë shumë mirë se për çfarë flas. Luca ishte ndër njerëzit që ndërtoi jetën e natës së Tiranës, në një kohë kur shumë nga revolucionarët e sotëm ose nuk kishin lindur ende, ose ishin duke mësuar alfabetin.

Prandaj më bën të qesh kur më japin leksione njerëz që nuk kanë as kujtesë, as histori.

Edhe sot, pas kaq vitesh, Luca është po ai. Mund të mos të pëlqejë mënyra si flet apo si sillet publikisht. Është e drejta jote. Por është pothuaj e pamundur të mos të pëlqejnë produktet që ofron dhe atmosfera që krijon.

Ndërkohë, tufa e sharësve dixhitalë, të frymëzuar ose të dirigjuar nga ShQUP-i zyrtar, kanë organizuar një kryqëzatë kundër Lucës, bizneseve të tij dhe kujtdo që ishte i pranishëm në atë darkë.

Për faktin se kam bërë qejf te Luca, u shpalla tradhtar, i pabesë, maskara, i shitur dhe meritues i një fjalori me libër shtëpie. Madje, kur ua kthen sharjen sharësve, ata e quajnë… sharje.

Çfarë zbulimi filozofik!

Atëherë po ua them shumë qartë.

Së pari.

Çdo deklaratë publike që kam bërë ndër vite i qëndroj pikë për pikë. Nuk kam asgjë për të tërhequr dhe nuk kam asnjë kontradiktë me veten time.

Së dyti.

Me shqiptarët që shesin votën për “bukën e gojës” nuk kam qenë kurrë dashamirës. Nuk jam as sot. Shitja e votës është turp qytetar, pavarësisht flamurit politik që mban shitësi.

Së treti.

Mosdakordësia ime me protestën ka qenë vetëm një: kultura e sharjes dhe e linçimit. Me revolucionet nuk jam pajtuar kurrë. Revolucionet shqiptare zakonisht fillojnë me moral dhe mbarojnë me fyerje.

Së katërti.

Çdo montazh, shpifje apo lidhje dashakeqe që synon të nxisë urrejtje ndaj personit tim nuk është debat politik. Është sulm ndaj reputacionit dhe, kur kalon kufijtë ligjorë, është çështje që do ta ndjek deri në fund.

Por dua të them se do të vazhdoj të jem në hapësirën publike për kokrrën e qejfit tim. Do të vazhdoj të shkoj te Luca po për kokrrën e qejfit tim. Madje, me shumë mundësi, ca më shpesh.

Do hamë, do këndojmë, do kërcejmë dhe do qeshim sa të kemi fuqi.

Ftoj edhe ata që janë gënjyer nga montazhet, edhe sharësit me pagesë, edhe sharësit falas: ejani. Provojeni një herë qejfin real. Ndoshta ju bën më mirë se revolucioni virtual.

Sepse lirinë për të folur dhe lirinë për t’u dëfryer nuk ma jep askush.

Nuk marr leje nga njeri.

Hajde, bye./Nga Ylli Manjani

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button