Personazh

Nga 77 kilogramë te stuhitë në det: Sakrifica e çmendur e Matt Damon për rolin e Odisesë

Një mëngjes, cingërima e telefonit dhe një numër i panjohur ndërpreu stërvitjen e aktorit Matt Damon. Ishte Emma Thomas, bashkëshortja e regjisorit Christopher Nolan. – Hej Matt, si je? Ti e di që Chris nuk mban telefon, a mund të flasësh për pak minuta me të? – kishte thënë zëri nga krahu tjetër i telefonit.

Hera e fundit që ishte takuar me Christopher Nolan kishte qenë dy vjet më parë në filmin “Oppenheimer”, ndërsa kishin finalizuar më parë me sukses “Interstellar” në 2014-n. Regjisori i kishte treguar për projektin e ri, por Damon e kishte pranuar sapo kishte dëgjuar që Nolan donte të ekranizonte një vepër epike 2700-vjeçare.

Atë moment nuk e dinte nëse do të kishte rolin kryesor, pasi vetë regjisori nuk e kishte vendosur ende se kush do të ishte Odisea. Mjaftonte kasti i shkëlqyer i aktorëve: Anne Hathaway, Tom Holland, Robert Pattinson, Zendaya, Charlize Theron, Lupita Nyong’o, Elliot Page dhe Samantha Morton.

Vetëm më vonë Nolan ishte bindur se Damon dhe Hathaway do të ishin Odisea dhe Penelopa. “Fillimisht nuk dyshova në asnjë moment. Thjesht i besova zgjedhjes së Nolan ndaj pranova, pa e ditur ende rolin. Kam zbuluar ndër vite se nëse një regjisor ka në mendje një aktor, ai e njeh mirë skenarin dhe kjo e ndihmon të gdhendë personazhet”, rrëfen aktori Matt Damon.

Por pasi kishte lexuar skenarin, ai kishte kuptuar se Odisea që do të duhet të luante nuk ishte thjesht një mbret: ai duhet të udhëtonte dhe përplasej me stuhitë nëpër dete, të kryente dyluftime, të ndiqej nga një ciklop dhe të vraponte mbi shkëmbinj të thepisur. Për këtë i duhej së pari të humbte peshën – qëllimi ishte të arrinte 77 kilogramë. Atë çast kujtoi telefonatën e Nolan-it dhe që nuk kishte reflektuar aspak. “Duke lexuar skenarin e kuptova se ky ishte roli më i mirë që më ishte ofruar ndonjëherë. Odisea është një personazh kaq ikonik, por që përjeton kaq shumë gjëra, nga brenda dhe fizikisht. Për mua ishte një mundësi e jashtëzakonshme”.

Fillimi mirë, gjysma e punës, sidomos kur regjisori është edhe vetë skenarist. Christopher Nolan shkruan në një mënyrë shumë vizuale dhe kjo i ndihmon shumë aktorët, madje edhe ata që e lexonin skenarin para se të kishin lexuar Odisenë e Homerit, kështu që prezantimi kinematografik i bën të kuptojnë thelbin, emocionet.

Të punosh me një regjisor si Nolan vështirësia nuk është vetëm tek emocioni që duhet të arrijë çdo aktor, por edhe fakti që çdo gjë në sheshxhirim është reale. Aty nuk ka asgjë që duhet të imagjinosh, sepse filozofia e tij është fizikaliteti. “Ditën e parë që xhirova ishte në Essaouira në Marok mbi dunat e plazhit me mijëra njerëz, sepse Chris nuk do të futë në skena njerëz me anë të kompjuterit. Aty pashë kalin e Trojës, gjysmë i zhytur në rërë, batica po vinte dhe ishte kaq magjike”, pohon Matt Damon.

Ekipi udhëtoi për gjashtë muaj në Islandë, Marok, Itali, Skoci dhe Greqi të ndjekur kudo nga kamerat, ndaj edhe ai kujton se filmi i ishte dukur si një ekspeditë e lodhshme. Duhet të xhironin në vende ku çdo gjë ngrihej nga zero, duhej të arrije në majë të kreshtës së malit në këmbë dhe të mos ndiheshe i lodhur. Pjesa më e madhe e kohës në xhirime për aktorët kaloi të lagur me ujë. Atij dhe shumë aktorëve ju desh të bënin shumë përgatitje fizike, të ushtroheshin me hark dhe shpatë. Nolan i vuri aktorët në sfida të forta fizike, siç ishte stuhia mbi një varkë të vërtetë dhe dallgë reale në mënyrë që ata të përjetonin gjithçka. Pavarësisht skenave masive dhe përleshjeve të përgjakshme me shpata, një moment që e bëri krenar Nolan, ishte kur Odiseu mbi varkë në një det të trazuar – shfaqet krah disa delfinëve që luajnë shumë pranë tij. Shumë njerëz supozojnë se ata nuk janë realë, por në fakt janë të vërtetë.

Pas rreth 80 filmash dhe katër dekadash në Hollywood, Matt Damon e pranon se gjeti rolin më të mirë të karrierës së tij. Ajo që e kishte lënë pa fjalë në skenar ishte fakti se ndryshe nga ajo që kishte në mendje rreth librit të Homerit, në këndvështrimin e Nolan-it ishte një hero që duhet të sfidonte më shumë veten sesa perënditë. Filmi i dha mundësinë të gërmojë më thellë te personazhi i Odiseut, i cili ndjen keqardhje të thellë pas rrëzimit të Trojës, e cila ishte një masakër civile. “Filmi trajton të njëjtat tema si ‘Oppenheimer’. Një pjesë e madhe e tij ka të bëjë me ndjenjën e tij të bashkëfajësisë dhe përgjegjësisë në atë që do të jetë fundi i qytetërimit. Kjo është arsyeja pse personazhi është kaq interesant për t’u luajtur në versionin e Chris-it, sepse ai mban një peshë të madhe. Ky film kërcen në kohë dhe zbulon pse ai po sillet në atë mënyrë”.

Ky film epik aventuresk gjigant u xhirua për 91 ditë dhe kushtoi rreth 250 milionë dollarë. Vetëm një regjisor si Nolan mund të marrë përsipër të përshtasë një poemë epike të Homerit të shekullit të 8-të para Krishtit. Njësoj si “Oppenheimer”, ku ai solli një vështrim magjepsës mbi njeriun që zhvilloi bombën atomike, duke fituar shtatë çmime Oscar dhe 976 milionë dollarë në biletari. “Odisea është një rol i jashtëzakonshëm për t’u luajtur për një aktor, është roli i jetës. Ishte një përvojë të cilën thjesht do ta doja çdo ditë. Ishte diçka që nuk e kam përjetuar ndonjëherë. Kjo është arsyeja pse dukem sikur kam rilindur me këtë rol. Është një ndjenjë që e kam dëshiruar dhe e përjetova”.

Pas shumë ekranizimesh të poemës së Homerit, pyetjes se çfarë e bën Nolan regjisorin e duhur për të bërë një film të tillë, Damon i përgjigjet: Ai është në kulmin e aftësive të tij. Të gjithë nga fillimi në fund ndihen kështu kur punojnë me të. Ai ka një nivel absolut kontrolli mbi këtë formë arti. Ishte filmi më sfidues dhe më i mrekullueshëm që kam bërë ndonjëherë. Gati një muaj kemi xhiruar në atë varkë dhe ishin ditët më të vështira. Xhirimet në Islandë ishin shumë brutale”.

Gjatë periudhës së xhirimeve, në familjen e Damon ishte ndier një boshllëk, jo vetëm për shkak të largimit, por për faktin se dy vajzat e tij të mëdha, Alexia dhe Isabella, kishin vendosur të jetonin vetëm, ndaj gjithë fokusi ishin dy vajzat e tjera, Gia dhe Stella. “Duke pasur dy fëmijë jashtë shtëpisë, por edhe duke e ditur sa shpejt kalon koha, po përpiqem të jem të vetëdijshëm për të mbajtur pranë atë që duam. Kur kalon të 50-at, e ndien se koha është malli më i çmuar që ekziston, ndaj dua ta shpenzoj si duhet, me familjen dhe kinematografinë”, përfundon Matt Damon, aktori, fitues i çmimit Oskar./thuaje.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button