Bota

Ma*akra në shkollën në Austri, mes viktimave edhe një nxënëse nga Kosova

Një prej viktimave nga sulmi vdekjeprurës në Graz të Austrisë është nga Kosova. Siç shkruan IndeksOnline, viktima në fjalë është një nxënëse 15-vjeçare me prejardhje nga Vitia.

Pak më vonë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, konfirmoi po ashtu lajmin. Ai i shprehu ngushëllime familjes së përfshirë në këtë tragjedi.

E nderuara familje Bajrami! Më pikëlloi pa masë lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj Leas nga Komuna e jonë, e cila humbi jetën në sulmin e rëndë që ndodhi sot në qytetin e Grazit në Austri. Kjo ngjarje e rëndë na ka prekur të gjithëve thellësisht. Humbja e një jete të re, me ëndrra dhe shpresë për të ardhmen, është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vitisë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella. Jemi me ju në këtë moment të vështirë dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe. Kujtimi i saj do të mbetet gjithmonë i gjallë ndër ne”, tha ai.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës reagoi pas masakrës në Austri.

Nga të dhënat e deritanishme të konfirmuara nga Policia Austriake, në mesin e viktimave gjendet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, ndërsa viktimat e tjera janë shtetas austriakë, ndërsa shtetas nga Kosova, nuk ka as në mesin e të plagosurve. Nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010. Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Sulmi me armë zjarri ndodhi në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë dhe autori i saj ishte një ish-nxënës. Ai u gjet i vetëvrarë në një nga banjot e shkollës.

Sipas raportimeve të gazetës austriake, Salzburger Nachrichten, autori kishte me vete dy armë: një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, të cilat i zotëronte ligjërisht. Ai nuk kishte precedentë penalë dhe kishte blerë njërën nga dy armët pak para sulmit.

Përveç 11 të vdekurve (mes tyre edhe autori që u vetëvra), 28 persona të plagosur po trajtohen aktualisht në spitale. Të paktën katër prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ku disa prej tyre thuhet se janë qëlluar në kokë.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi motivet apo identitetin e autorit. Hetimet për ngjarjen janë në vijim ndërsa Austria do të mbajë tre ditë zie kombëtare./tvklan.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button