E ardhmja e Ancelotit në rrezik! Humbja me Arsenali dhe renditja në La liga i trondit stolin tek Reali

Humbja me Arsenalin dhe renditja në La liga ka vënë në dyshim qëndrimin e Ançelotit te Reali. Madje mediet tashmë përmendin dhe emrat që mund ta zëvendësojnë. Ndërkaq për Ançelotin interes kanë shprehur kombëtarja e Brazilit por edhe Milan e Roma
Në Madrid gjithçka është e lidhur me suksesin dhe trofetë. Nuk ka rëndësi sa ke fituar apo sa histori ke shkruar – nëse nuk vazhdon të fitosh, dera është gjithmonë e hapur për dalje. Dhe kjo është edhe historia e Carlo Ancelottit, trajnerit që i ka dhënë Real Madridit tre tituj Champions League dhe që ka vendosur emrin e tij në librat e historisë së klubit.
Por për Florentino Perez, presidentin e hekurt të “Los Blancos”, falënderimi dhe mirënjohja nuk janë vlera që vlejnë në menaxhimin e një skuadre si Reali. Për Ancelottin, sfida është gjithmonë e njëjtë: të fitojë – tani, menjëherë, vazhdimisht.
Nëse sezoni mbyllet pa trofe, largimi i tij duket i pashmangshëm. Humbja në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit ka ndezur alarmet dhe një eliminim nga Champions League, i kombinuar me një dështim për të kapur Barcelonën në La Liga nga e cila i ndajnë vetëm katër pikë, mund të jetë fundi i aventurës së tij në “Santiago Bernabéu”.
Dhe ndonëse një përmbysje nuk është e pamundur – siç ka theksuar vetë trajneri italian, duke pasur parasysh performancat më të dobëta të Arsenalit jashtë fushe dhe atmosferën e frikshme të “Bernabéut” – tabloja në Spanjë duket pesimiste. Madje, gjatë ndeshjes në “Emirates” është vërejtur se disa lojtarë nuk dukeshin të përqendruar apo të lidhur me udhëzimet e tij.
Florentino nuk rri në vend. Nëse gjithçka shkon keq, ai tashmë ka filluar të mendojë për të ardhmen. Emri më i nxehtë është ai i Xabi Alonsos, ish-mesfushorit të Realit dhe aktualisht autor i një sezoni historik me Bayer Leverkusen.
Alonso kishte shtyrë një kalim të mundshëm te Reali më herët, por këtë herë duket gati. Një tjetër emër që qarkullon është Andoni Iraola, që po bën mrekulli me Bournemouth në Premier League, por që mbetet shumë prapa Xabit në listën e preferencave të klubit.
E nëse Ancelotti largohet – një nga trajnerët më të suksesshëm në histori, rekordmen në Champions dhe fitues në kampionatet më të mëdha të Europës – ku do ta çojë rruga? Brazili e dëshiron, madje e ëndërron që ta ketë në stolin e Seleçaos, por përplasjet e brendshme dhe kundërshtimet për të pasur një trajner të huaj e kanë komplikuar gjithmonë këtë skenar.
Ndaj, mbetet në lojë një skenar tjetër, më emocional, më nostalgjik: një rikthim në Serie A. Roma dhe Milani – dy klube të zemrës së Ancelottit, ku ka luajtur dhe që i njeh më mirë se askush – janë në kërkim të trajnerëve dhe nuk do të thonin kurrë “jo” një rikthimi të tillë.