Cilët spiunë të Sigurimit mbron Edi Rama?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar lidhur me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke rikthyer në vëmendje premtimin e kryeministrit Edi Rama për hapjen e tyre në vitin 2014.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murrizi i referohet Hungarisë, e cila ka vendosur të hapë dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të periudhës komuniste, ndërsa ngre pikëpyetje për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje në Shqipëri.
Ish-deputeti demokrat kujton se Rama kishte premtuar hapjen e dosjeve në nëntor të vitit 2014, vetëm 15 muaj pas ardhjes në pushtet, por deklaron se ky angazhim nuk është përmbushur.
Përmes një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta, Murrizi kërkon të dijë arsyet që kanë penguar transparencën e plotë mbi të kaluarën e ish-Sigurimit të Shtetit, duke ngritur edhe dyshime ndaj kryeministrit.
Ai shprehet se hapja e dosjeve do t’u jepte përgjigje shumë pikëpyetjeve mbi të kaluarën komuniste dhe personat që mund të kenë bashkëpunuar me strukturat e Sigurimit.
Murrizi thekson se shqiptarët meritojnë të njohin identitetet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, veçanërisht të atyre që mund të jenë ende aktivë në politikë, drejtësi apo media.
“Hungaria vendos të hapë dosjet e ish-spiunëve të shërbimit sekret gjatë kohës së komunizmit.
Rama e “premtoi” me bujë të madhe që do të hapte dosjet e ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit qysh në muajin nëntor të vitit 2014, pra 15 muaj pasi kishte ardhur në pushtet.
Pse e drodhi?
Kush e trodhi?
A ka qenë Rama spiun i Sigurimit?
Pse u tremb?
Apo kë po “mbron”?
Pyetje që marrin përgjigje vetëm po të kenë këllqe të hapin dosjet e spiunëve.
Ndryshe, çdo gjë tjetër është hipokrizi dhe mashtrim ordiner për të mbajtur në politikë, drejtësi, gazetari e kudo një tufë qelbanikësh.
Shqiptarët meritojnë t’i njohin sot, pas 36 vitesh, ish-spiunët e Sigurimit që të mos lehin më si qentë e pshurrur në Parlament e nëpër ekrane televizive”, shkruan Murrizi.





