Uncategorized

80 vjet nga incidenti i Kanalit të Korfuzit

Më 22 tetor të vitit 1946, ndodhi incidenti i Kanalit të Korfuzit.

Dy luftanijet britanike, “Saummarez” dhe “Volage”, ndeshën në mina dhe u dëmtuan rëndë, teksa kishin depërtuar në ujërat territoriale shqiptare, rreth 1200 metra larg brigjeve të Sarandës, një qytet për të cilin britanikët kishin dhënë ndihmesën e tyre për ta çliruar rreth 2 vite më parë.

Për pasojë, gjetën vdekjen 45 oficerë të Marinës Britanike, ndërsa 42 të tjerë pësuan dëmtime të rënda. Ky bilanc shënoi humbjen më të madhe të Marinës Mbretërore pas Luftës së Dytë Botërore.

Incidenti pati një jehonë të paprecedentë dhe për këtë ngjarje, Britania e Madhe fajësoi Shqipërinë, e cila hodhi poshtë me forcë përgjegjësinë. Palët mbajtën qëndrime diametralisht të kundërta.

Britania e Madhe e çoi çështjen në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke pretenduar për një kalim paqësor të anijeve.

Organi i OKB-së ia delegoi çështjen Gjykatës së Hagës, e cila pas një procesi dyvjeçar vendosi të shpallë Shqipërinë fajtore për minimin e Kanalit të Korfuzit, duke e dënuar me 843 mijë sterlina gjobë. Ky verdikt nuk u pranua nga Shqipëria dhe në kundërpërgjigje, Britania konfiskoi arin e rezervës shtetërore.

Për një periudhë 40-vjeçare, marrëdhëniet diplomatike bilaterale u pezulluan. Pas rënies së regjimit, qeveria shqiptare u prapësua nga qëndrimi i mëhershëm duke pranuar verdiktin e Hagës. Në këtë mënyrë, mundi të rivendosej marrëdhënia mes palëve, si edhe u zgjidh përfundimisht çështja e arit të konfiskuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button