Vuloset pakti PD-PS, Çuçi: Ramë dakord për 2 komisione, emrat javën tjetër, platformë për ligjet me 3/5 (PIKAT)
Është arritur dakordësia mes Rithemelimit dhe PS për ngritjen e dy komisioneve hetimore, gjë e cila është miratuar ngritja e dy komisioneve.
Në dalje të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi tha se janë adresuar problematikat për të vijuar me komisionet.
Çuçi: Një komision për shërbimet në shëndetësi, sterilizimi dhe check up-i dhe i dytë, komisioni për TIMS. Ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5 dhe janë pjesë e agjendës së integrimit evropian. Emrat do të miratohen javën tjetër. Ne mandatuam që brenda komisionit të ligjeve një grup pune me numër të barabartë dhe konsensus.
Marrëveshja:
Në vijim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 12.03.2024 dhe detyrave të lëna në atë mbledhje, lutemi gjeni bashkëlidhur projektvendimet e dakordësuara midis mazhorancës dhe opozitës, lidhur me:
1- Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-up në shëndetësi.
2- Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të sistemit TIMS.
Kuvendi i Shqipërisë vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-up në shëndetësi.
Komisioni Hetimor ka për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) Shqyrtimin e cështjeve të lidhura me kontratat publike për shërbimin publik të sterilizimit dhe atë të check-up në shëndetësi, si dhe zbatimin e tyre;
(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.
Kuvendi i Shqipërisë vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të sistemit TIMS.
Komisioni Hetimor ka për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) Shqyrtimin e cështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS;
(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo, ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës në fuqi.
Komisionet kanë të drejtë të hetojnë dhe të bëjnë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tyre, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.
Komisionet Hetimore, të ngritura sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqeten Kuvendit në seancë plenare rekomandime për marrjen e masave me karakter administrativ dhe/ose ndryshime të nevojshme ligjore.
Komisionet Hetimor do të përbëhen nga 15 (pesembëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 6 (gjashtë) anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe 8 (tetë) anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Përbërja e Komisionit caktohet me vendim të vecantë te Kuvendit.
Komisionet Hetimore do të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në një afat kohor 4 – mujor, nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të Komisionit, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Ngarkohen Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen logjistike të veprimtarisë së këtij Komisioni Hetimor./OraNews