Nisin ‘cic-micet’ për Vendoret/ PD bojkton konsultimet për datën, PS në sulm

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka konfirmuar pjesëmarrjen e socialistëve në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Përmes një postimi në Facebook, Balla ka reaguar ndaj qëndrimit të Partisë Demokratike, e cila refuzoi ftesën e kreut të shtetit për të marrë pjesë në takim.
Balla theksoi se konsultimi me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve është një praktikë që e kanë ndjekur edhe presidentët e mëparshëm, ndërsa u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai ka ironizuar demokratët, duke kujtuar bojkotet dhe përplasjet e mëparshme brenda opozitës.
“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot ‘depoja e molotovëve’-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj”, shkroi Balla.
Gjithashtu, kreu i grupit parlamentar socialist konfirmoi zyrtarisht se PS do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Presidentit.
“Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027”, deklaroi Balla.
Takimi i thirrur nga Presidenti Bajram Begaj do të zhvillohet më 30 tetor, në Pallatin e Brigadave, ku përfaqësuesit e forcave politike që kanë pranuar ftesën pritet të diskutojnë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore.
Konsultimet do t’i paraprijnë dekretimit të datës së zgjedhjeve lokale të vitit 2027, në përputhje me afatet e parashikuara në legjislacionin zgjedhor./Pamfleti




