Politike

Caktimi i datës së zgjedhjeve vendore, Presidenti Begaj nis konsultimet me partitë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të nisë procesin e konsultimeve për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore, të cilat pritet të mbahen në vitin 2027.
Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, do të nisë procesin e konsultimeve me forcat politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore.
Në kuadër të këtij procesi, Presidenti ka ftuar në një takim, më 30 tetor, të gjitha partitë politike që kanë përfaqësim në Kuvend. Konsultimet do të zhvillohen në Pallatin e Brigadave, ku pritet të diskutohen datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, data e votimeve duhet të përcaktohet brenda afateve të përcaktuara me ligj, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga Presidenti i Republikës përmes dekretit.

Konkretisht, neni 8 i Kodit Zgjedhor, i ndryshuar me ligjin nr. 101/2020, përcakton se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit, brenda dy periudhave zgjedhore: nga 15 prilli deri më 15 maj ose nga 15 tetori deri më 15 nëntor. Nga ky rregull përjashtohen rastet e veçanta të parashikuara në nenin 9 të Kodit.
Për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027, periudha që pritet të merret në konsideratë është ajo nga 15 prilli deri më 15 maj, ndërsa data konkrete do të përcaktohet pas procedurave përkatëse.
Nga ana tjetër, neni 10 i Kodit Zgjedhor përcakton se kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore i takon Presidentit të Republikës, i cili duhet të zbatojë rregullat e parashikuara në pikat 3 dhe 4 të nenit 9.
Po sipas këtij neni, kohëzgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore llogaritet deri në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve vendore në shkallë vendi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Legjislacioni parashikon gjithashtu afate të posaçme për organizimin e zgjedhjeve në rastet kur mandati i organeve vendore ndërpritet përpara përfundimit të tij, për shkaqet e përcaktuara në nenin 115 të Kushtetutës.
Në këto raste, zgjedhjet zhvillohen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga njoftimi i ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi në Gjykatën Kushtetuese, afatet llogariten sipas procedurave të veçanta të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Presidenti duhet të nxjerrë dekretin përkatës jo më vonë se 48 orë nga njoftimi i ndërprerjes së mandatit.
Takimi i thirrur nga Presidenti Begaj më 30 tetor shënon hapjen e konsultimeve me partitë parlamentare për datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Pas këtij procesi, Kreu i Shtetit do të përcaktojë me dekret datën kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button