Aktualitet

Rama sulmon protestuesit: Ky mish-mash nuk ka autorizim të flasë në emër të popullit

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar sërish retorikën ndaj protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij, duke i cilësuar si një “mish-mash” individësh, grupesh sociale dhe partish politike, që sipas tij, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar.
Rama ka akuzuar protestuesit se kanë marrë peng kryeqytetin dhe po cënojnë lirinë e qytetarëve të tjerë. Ai i ka përshkruar protestuesit si një “turmë agresive”, ndërsa ka pretenduar se mes tyre janë bashkuar grupe me interesa të ndryshme politike dhe shoqërore.
Kreu i qeverisë ka shkuar më tej në kritikat e tij, duke e krahasuar kapërcimin e kufijve të protestës së ligjshme me veprimet e fashistëve dhe komunistëve, ndërsa ka theksuar se askush nuk mund të flasë në emër të popullit pa marrë mandatin e tij përmes votës.
“Kur them të gjithë, nuk kam parasysh veten, qeverinë dhe shumicën parlamentare, por të gjithë. Të gjithë ata që nuk janë pjesë e kësaj turme që përcjell frikë. Kam parasysh edhe ata që nuk më duan mua kryeministër, por duan të lëvizin lirisht në këtë qytet. Të çojnë fëmijët në shkolla, të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre, pa u penguar nga një turmë agresive. Një turmë që shpërtheu me një furtunë dhune me gurë e zjarr.

Kush janë këta? Dhe në emër të kujt duan t’i imponojnë shoqërisë tonë forcën e veprës antiligjore? Një mish-mash kategorish që janë mbledhur bashkë individë, grupe sociale dhe parti politike që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ky mish-mash ka një vizë përbashkuese, që kur protesta e flamengove u kthye në një grumbullim sorrash dhe korbash.
‘Ne nuk e duam më këtë qeveri, jep dorëheqjen, bindju popullit’. Ky mish-mash që ka marrë peng Tiranën, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe s’ka asnjë autorizim të flasë në emër të popullit. As kjo turmë e verbër dhe askush tjetër nuk jep mandate, përveç sovranit popull. Kjo është e vërteta në demokraci.
Liria dhe e drejta e tyre, e të gjithë atyre që duan t’i imponojnë mendjet, kërkesat dhe bindjet, mbaron aty ku nis liria dhe e drejta e të tjerëve. Ky kufi e ndan ligjin e bashkëjetesës politike nga ligësitë e dhunës. Këtë kufi e kapërcyen me dhunë fashistët dhe komunistët, në emër të popullit. Çfarë sollën për popullin dhe çfarë sollën për vendin, e dimë mirë që të gjithë. Ose të paktën ata që dinë historinë dhe nuk ngatërrojnë Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë”, tha ndër të tjera Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button