Studenti i Servet Pëllumbit fiton mandatin e katërt si president i Brazilit

Nga Ylli Molla
Me afro 52% të votave, Luiz Inácio Lula da Silva është rizgjedhur dje president i Brazilit për herë të katërt. Fitorja erdhi pas një gare shumë të fortë me kandidatin e djathtë Flávio Bolsonaro.
Ky lajm ka një vlerë specifike për ne, sepse presidenti i majtë ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë nga koha e sundimit të Enver Hoxhës, të cilën e ka nënvizuar edhe në takimin e parë me ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, para 25 vitesh.
Historinë e plotë të tij në raport me vendin tonë mund ta lexoni në librin “Guerilas made in Albania”.
Një rastësi e bukur me plot surpriza mund të konsiderohet takimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi me presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva në ditën e parë të mandatit të tij. Ishte dita e fundit e vitit 2002, kur delegacioni shqiptar mbërriti në Brazilia, kryeqyteti i Brazilit. “Aty festuam edhe Vitin e Ri”, kujton ish-kryeparlamentari.
Trishtimi i Fidel Kastros për Shqipërinë
Ceremonia e marrjes së detyrës u bë më 1 janar 2003, në Pallatin Presidencial, me pjesëmarrjen e dhjetëra delegacioneve nga e gjithë bota. Sallën e stërmadhe e sundonte figura e Fidel Kastros, kryetar i delegacionit të Kubës, që dukej si perëndi teksa tërhoqi vëmendjen e të gjithë zyrtarëve të lartë dhe medieve të pranishme. Kastro takoi me radhë kryetarët e delegacioneve të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Pikërisht, kur u afrua te delegacioni shqiptar dhe dëgjoi fjalën e përkthyesit ‘Albania’, ndaloi një çast dhe teksa i jepte dorën kryetarit Pëllumbi, tha: “Ah, Albania, Albania!” Fytyra paksa e trishtuar, që shoqëroi për një çast grimasën e tij, donte të shprehte zhgënjimin për “dorëzimin” e Shqipërisë para sistemit kapitalist. Pëllumbi kujton se në vitin 1990 ka ardhur në Tiranë një delegacion i kryesuar nga një ministër i qeverisë së Kastros, i cili i ka propozuar Ramiz Alisë një aleancë të posaçme Shqipëri-Kubë për t’i rezistuar presionit të Perëndimit për rrëzimin e sistemit komunist në të dy vendet. Por, fati i Shqipërisë në ato ditë të trazuara të 1990-ës nuk varej më nga Alia.
Takimi i profesor Pëllumbit me studentin – president
Kryetari i delegacionit shqiptar po shijonte organizimin e ceremonisë, e cila i kishte rezervuar një surprizë të bukur. Natyrisht, profesor Pëllumbi e kishte harruar djaloshin e sindikatave braziliane, të cilin dikur e kishte pasur student në Shkollën e Partisë. Kurse sindikalisti, i brumosur me idetë komuniste të partisë që drejtonte Zhoao Amazonas, nuk e kishte harruar pedagogun shqiptar të filozofisë marksiste. Pëllumbi e kujton kështu takimin emocionues: “Para se të mbahej fjalimi përurues i presidentit të Brazilit, u bë prezantimi i delegacioneve në një holl të improvizuar nën një tendë të madhe. Sapo dëgjoi emrin e Shqipërisë, Lula u çel në fytyrë dhe shumë i kënaqur që po na takonte pas shumë vitesh u shpreh: Ah, Shqipëria! E dua shumë atë vend. Kam qenë dikur atje, ndaj vizitën e parë në Europë si president do ta bëj në Shqipëri…”
Kryetari i Kuvendit e priti me kënaqësi këtë privilegj që i bëri, aty për aty një vendi të vogël si Shqipëria, presidenti i një shteti të madh si Brazili. Por, koha protokollare ishte tepër e shkurtër. Megjithatë Lula i hodhi një vështrim të shpejtë portretit të prof. Pëllumbit dhe shtoi: “Më duket se ju mbaj mend, ju më keni dhënë leksione…”.
“Atë çast u kujtova për kurset që zhvillonim dikur me sindikalistët nga vende të ndryshme të botës tek ish-Kampi i Punëtorëve në Durrës. Leksionet për brazilianët dhe të tjerët që vinin nga vendet ku flitej spanjisht i përkthente nga shqipja një ish-emigrant shqiptar, e cili e fliste shumë mirë atë gjuhë”, vijon tregimin Pëllumbi.
Sapo mbërriti në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit e ndau lajmin e mirë për dëshirën e presidentit të Brazilit, me homologun e tij shqiptar, Alfred Moisiu. I thashë që t’i bënte një ftesë Lulës, duke argumentuar që Brazili është një shtet i madh me të cilin mund të diskutohen për bashkëpunime në disa fusha, por Moisiu i ra shkurt: “Lëre, nuk e ftoj se është komunist!” Paradoksalisht, këtë lloj “racizmi ideologjik” e shprehte pikërisht një drejtues që në monizëm kishte shërbyer në detyra shumë të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes, si një nga oficerët më të besuar të regjimit komunist.





