Reforma territoriale/ Tela: Nuk pres surprizë, PS do të votojë siç kërkon Rama

Gazetari Andi Tela, i ftuar në një emision televiziv, komentoi debatet e shfaqura brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me votimin e pritshëm në Kuvend.
Tela tha se debati brenda grupit të PS-së është bërë publik edhe nga qëndrimet e deputetëve Taulant Balla dhe Erion Braçe, por nuk pret që këto përplasje të reflektohen në votimin parlamentar.
Sipas tij, çdo deputet socialist që do të votonte kundër do të përballej me një sfidë personale ndaj kryeministrit Edi Rama.
Tela vlerësoi se Partia Socialiste i ka bërë tashmë llogaritë për votat që i nevojiten dhe ato që pritet të sigurojë në Kuvend.
‘Nuk besoj se është ky rasti. Debati që ka ndodhur brenda grupit të PS-së u shpërfaq dhe jashtë nga Taulant Balla dhe Erion Braçe.
Por në fund të ditës, kushdo që do të votonte kundër, se nuk besoj se do votojë askush kundër, por kushdo që do të votonte kundër do ta kishte një sfidë, themi, personale ndaj Edi Ramës. Dhe nuk besoj që në grupin parlamentar të PS-së…
Nuk është nesër rasti. PS-ja i ka bërë llogaritë e qarta sa vota i duhen dhe sa vota do të ketë nesër. Nuk është një votim i fshehtë tek i cili mund të kesh ndonjë ide çfarë të presësh, që dikush do votonte kundër.
Është një votim i hapur, secili është me emër nominal në votim, kështu që nuk pres dhe nuk do prisja që nesër të kishte ndonjë surprizë. Pra është e qartë, do votojnë atë që u është thënë për të votuar.
Pastaj mund të vazhdojnë nga këto teoritë e debateve brenda grupit, e debateve jashtë grupit, por vota në fund do të jetë pro reformës, siç e do kryeministri, siç e kërkon mazhoranca.’, tha Andi Tela.





