“Spiun, komunist, përçarës, shpifës, llapaqen”/ Nga pronat te zullumet, përplasen keq Sali Berisha dhe Pjerin Ndreu

Sali Berisha dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, janë përplasur në distancë me akuza të forta. Kreu i PD-së i kërkoi Ndreut të japë dorëheqjen dhe pretendoi se pasuritë e tij do të konfiskohen, ndërsa kryebashkiaku iu përgjigj me sulme personale dhe deklaroi se përgjigjen politike do ta marrë në maj.
Një përplasje me tone të ashpra është zhvilluar mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.
Nga Lezha, Berisha e vuri në shënjestër kryebashkiakun socialist, duke e akuzuar për shkelje dhe duke pretenduar se disponon një “skedë dixhitale” me të dhëna për të. Berisha nuk paraqiti në pjesën e fjalimit të publikuar prova apo të dhëna konkrete që mbështesin pretendimet e tij.
Kreu i PD-së i kërkoi Ndreut të japë dorëheqjen, ndërsa pretendoi se në të kundërt pasuritë e tij do të përfundojnë të konfiskuara. Ai përmendi konkretisht edhe prona në Zvërnec.
“Pirin, e kam këtu skedën dixhitale tënden që mund t’i mbaj këta burra dhe gra tre orë duke lexuar veprat e tua të zeza. Në listën e veprave të zeza nuk të mungon asgjë.
Ndaj dhe në qoftë se nuk jep dorëheqjen tani, nuk ke mend, se të rren mendja, të garantoj se të gjithë pasuritë do të konfiskohen. Edhe atje, edhe në Zvërnec, se na del pasunar edhe në Zvërnec ky me toka. Mafia nuk ka kufi, mafia nuk njeh kufi. Pra, çdo pasuri do konfiskohet”, deklaroi Berisha.
Berisha e vijoi sulmin ndaj kryebashkiakut të Lezhës edhe me paralajmërimin se, sipas tij, Ndreu do të përfundojë në burg.
“Dhe meqenëse të rri shpirti tek polici i keq, jo i mirë, edhe një uniformë do ta kesh, por ajo do jetë uniformë burgu dhe jo polici. Ndaj dhe u ftoj edhe njëherë të vazhdojmë këtë betejë, të përmbushim këtë mision historik, këtë mision të ripërtëritjes së këtij vendi me pasuri përrallore, t’i shndërrojmë ato në mirëqenie për çdo qytetar shqiptar”, tha Berisha.
Pas deklaratave të kreut të PD-së ka ardhur reagimi i Pjerin Ndreut. Kryebashkiaku iu përgjigj Berishës përmes një postimi në rrjetet sociale, duke përdorur një gjuhë po aq të ashpër dhe një sërë epitetesh ndaj tij.
Ndreu ironizoi faktin që Berisha e kishte përmendur gjatë fjalimit dhe hodhi poshtë sulmet ndaj tij duke e kthyer akuzën te e shkuara politike e kreut demokrat.
“Sali, faleminderit që më përmende, se thashë kot, po më lë pas dore! Ti, spiun, komunist, përçarës, shpifës, llapaqen, i pabesë… e lista është aq e gjatë sa s’ia vlen ta harxhojmë gjithë statusin!
Ngado t’i biesh ti, unë apo kushdo tjetër, CV-në tënde të zezë të zullumeve nuk e konkurron askush në këtë vend! Përballë saj, çdo përpjekje e jotja për të bërë moral është thjesht humor”, shkruan Ndreu.
Kryebashkiaku iu përgjigj edhe pretendimeve të Berishës për pronat e tij në Lezhë dhe Zvërnec, ndërsa e zhvendosi më pas përplasjen në terrenin politik, duke iu referuar muajit maj.
“Sa për pronat, kur të duash, në Lezhë, Zvërnec apo ku të duash ti, 4 metra t’i jap falas, që t’i kesh… se ku i dihet, mos nuk t’i kanë rezervuar! Por halli yt i vërtetë nuk jam unë.
Halli yt është Maji. Një ‘gozhdë’ politike e kam gati për ty dhe për ata me CV të ‘bardhë’ që mban në krah! Deri atëherë fol sa të duash. Në Maj flasin qytetarët, dhe aty mbaron muhabeti!”, përfundon Ndreu./Pamfleti




