“Për gjysmë ore nuk kam pasur vetëdije”/ MC Kresha rrëfen aksidentin që i ndryshoi jetën dhe vendimin që mori pas tij

Një aksident i rëndë në Zvicër, në Krishtlindjet e vitit 2011, u shndërrua në një pikë kthese për MC Kreshën. Reperi ka rrëfyer se pas përplasjes qëndroi për rreth 30 minuta pa ndjenja, ndërsa makina kishte goditur pikërisht anën ku ai ndodhej.
I ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion”, MC Kresha foli për atë moment të vështirë dhe për mënyrën se si përjetimi i aksidentit ndikoi në jetën e tij.
Reperi tregoi se vetëm pak ditë pas ngjarjes mori edhe një vendim që do ta ndryshonte përgjithmonë raportin e tij me alkoolin. Ai tha se më 2 janar vendosi të mos pinte më dhe se prej atëherë nuk e ka konsumuar më.
Duke kujtuar momentet pas aksidentit, MC Kresha e lidhi rikuperimin e tij me besimin te Zoti dhe e përshkroi mbijetesën si diçka që e ka forcuar bindjen e tij shpirtërore.
“Në vitin 2011, në natën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor, ne kemi pasur një aksident në Zvicër dhe makina ka goditur pikërisht anën ku kam qenë unë. Për gjysmë ore nuk kam pasur vetëdije. Isha pa ndjenja për gjysmë ore.
S’mundet ta besosh që kthehet një njeri në rregull plotësisht, sikur mos të kishte ndodhur asnjë gjë. Unë mendoj që ajo ishte veç punë e Zotit në atë kohë, të cilit i jam shumë falënderues sepse punon në mënyrë të mistershme, dhe kjo më bën ta ndiej e ta di me bindje të plotë që jemi të krijuar. Ai Krijues që na ka krijuar e ka një manual për ne, dhe edhe nëse diçka e keqe do të na ndodhë, është për të mirën tonë. Sepse një javë më pas, unë kam qenë shumë merakli i alkoolit, më datën dy janar të atij viti e kam ndalur alkoolin dhe nuk kam pirë më kurrë. Nuk kam pirë më kurrë alkool, që i bie prej 14 vitesh, 9 muajsh e 27 ditësh”, tha MC Kresha.
Pas përplasjes, ai mori vendimin për të hequr dorë nga alkooli dhe, sipas dëshmisë së tij, nuk është kthyer më te konsumimi i tij.




