“Do bëja dy binjakë ose do të thithja barkun”/ Çiljeta Xhilaga zbulon planin e saj për t’u bërë sërish nënë

Çiljeta Xhilaga ka folur hapur për jetën e saj private, dëshirën për t’u bërë sërish nënë dhe planet që kishte vendosur për këtë vit. Këngëtarja ka zbuluar se prej pesë vitesh ajo dhe partneri i saj, Albani, dëshirojnë të kenë një fëmijë së bashku.
Artistja tregoi se këtë vit kishte menduar të merrte një vendim të rëndësishëm për jetën e saj. Në plan kishte dy alternativa: të provonte fertilizimin in vitro, me dëshirën për të pasur binjakë, ose t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje estetike për të ndryshuar fizikun.
“Për këtë vit unë kisha caktuar që në maj ose do të bëja një in vitro, do bëja dy binjakë, ose do të bëja një operim dhe të thithja barkun, të kthehesha edhe njëherë e dobët”, tregoi Çiljeta.
Këngëtarja zbuloi gjithashtu se mjeku që do të kryente procedurën e fertilizimit in vitro e pret prej rreth tre vitesh, por ajo ende nuk e ka ndërmarrë këtë hap.
Duke folur për dëshirën për t’u bërë nënë për herë të dytë, Çiljeta tregoi se prej pesë vitesh ajo dhe Albani e kanë pasur këtë dëshirë.
“Unë kam pesë vjet me Albanin që donim dhe duam që të kemi një fëmijë”, u shpreh ajo.
Artistja, e cila e ka përshkruar veten si një person shumë besimtar, tregoi se beson se shtatzënia do të vijë në momentin e duhur, kur trupi i saj të jetë gati. Ajo foli edhe për përballjen prej vitesh me insulinorezistencën dhe trajtimet që ka ndjekur për këtë problem.
Në fund, Çiljeta vendosi që këtë vit t’i kushtohej më shumë fizikut të saj. Ajo tregoi se ka kryer liposuksion dhe zvogëlim të gjoksit, ndërsa plani për një shtatzëni tjetër duket se është shtyrë për vitin e ardhshëm.
Gjatë intervistës, këngëtarja foli edhe për mënyrën se si e ka përjetuar famën dhe raportin e saj me koleget. Çiljeta pranoi se ndonjëherë ka menduar se, nëse do të kishte pasur më shumë ego, ndoshta do të kishte arritur edhe më lart në karrierë.
“Të kisha pasur çerekun e egove të kolegeve të mia, besoj që do të kisha arritur akoma dhe më lart në jetën time”, deklaroi ajo.
Megjithatë, këngëtarja theksoi se nuk ka vuajtur asnjëherë për vëmendje dhe se nuk ka pasur ambicien për të qenë me çdo kusht e para./Pamfleti




