Politike

Rama mbledh të shtunën PS-në e Tiranës: Nis spastrimi i njerëzve të Veliajt dhe protestuesve

Strukturat e kryeqytetit do të rindërtohen nga e para, ndërsa pjesëmarrësit në protestat kundër qeverisë pritet të përjashtohen. Petrit Malaj zëvendëson Plarent Ndrecën në zonën më të madhe elektorale të Tiranës.
Operacioni që Edi Rama nisi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste pritet të shtrihet menjëherë në degën e Tiranës, mbledhja e së cilës është parashikuar për në fundjavë.

Sipas informacioneve, Rama do të marrë pjesë vetë në takimin e zgjeruar, ku janë ftuar drejtuesit e organizatave socialiste dhe anëtarë të strukturave të kryeqytetit.

Takimi pritet të zhvillohet në dy seanca. Rama do ta mbajë pjesën e parë me dyer të mbyllura, ndërsa të dytën në prani të mediave. Gjatë diskutimit të mbyllur, ai do të bëjë të ditur se të gjithë anëtarët e strukturave të PS-së në Tiranë, të cilët kanë marrë pjesë në protestat për rrëzimin e qeverisë, do të përjashtohen nga partia.

Kryeministri ka vendosur prej disa ditësh shkrirjen e plotë të strukturës socialiste të kryeqytetit dhe rindërtimin e saj nga e para. Në mbledhjen e Kryesisë, të parashikuar për të hënën, pritet të caktohen edhe drejtuesit e rinj të njësive, kryesisht nga radhët e deputetëve aktualë.

Në listën e re nuk pritet të jenë Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca. Spiropali është mënjanuar prej kohësh nga drejtimi politik në Tiranë. Largimi i saj nuk ka krijuar ndonjë boshllëk të madh, pasi ajo mbulonte Kamzën dhe Vorën, zona që tashmë i janë besuar Taulant Ballës.

Problemin më të madh Rama e ka pasur me Plarent Ndrecën. Ish-deputeti kishte krijuar ndikim në Astir dhe Yzberisht, zonë që, së bashku me Mëzezin dhe Yrshekun, përbën sot pellgun më të madh elektoral të kryeqytetit.

Përplasja e Ramës me Ndrecën ka karakter politik. Sipas burimeve, kryeministri i ka kërkuar llogari ish-deputetit se përse vazhdon ta mbrojë Erion Veliajn, edhe pse, sipas Ramës, ai i njeh faktet që e lidhin kryebashkiakun me financimin dhe mbështetjen e protestave kundër qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Në vend të Ndrecës pritet të caktohet ministri i Financave, Petrit Malaj, si i deleguar në zonën më të rëndësishme elektorale të Tiranës. Pikërisht kjo strukturë pritet t’i nënshtrohet spastrimit më të gjerë.

Riorganizimi lidhet edhe me shkarkimet që Erion Veliaj u ka bërë drejtuesve të njësive administrative, të cilët mbanin njëkohësisht funksione drejtuese në strukturat e PS-së. Pas largimit të tyre nga bashkia, Rama u ka kërkuar të mos tërhiqen nga funksionet partiake. Javën e ardhshme pritet t’i rikonfirmojë zyrtarisht.

Pas mbledhjes së Asamblesë Socialiste të Tiranës, Rama do të takohet edhe me punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të administratës. Kryeministri pritet t’u bëjë të qartë se personat që kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë nuk mund të vazhdojnë të mbajnë funksione në strukturat e Partisë Socialiste./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button