Luan Rama: Drita e vrarë e syrit të Erjon Vishkullit kërkon drejtësi, protesta e studentëve është legjitime

Nga Luan Rama
PËR STUDENTËT E PROTESTËS
DHE TË TJERËT SI ATA …
— reportazh —
Më e verbër se të tjerat ngjan kjo ditë në Tiranën e tiranëve. Fantazma e Kryeministrit të gjallë dhe e më të gjatit nga të gjithë ata që ikën para tij është derdhur mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!
Habitshëm, ka marrë formën e një shkopi të stërmadh gome.
Krejt zezan, i kobshëm si vdekja vetë.
Nuk e di nëse ai shkop i stërmadh është Kryeministri apo Kryeministri është vetë shkopi ndehur mbi bulevard, por, sido që të jetë, bulevardi i madh e ka humbur trajtën e vet nën peshën e shkopit.
Nuk është shfaqur më parë mbi atë bulevard një fantazmë e tillë, edhe pse fantazma janë shfaqur plot. Por jo si një kryeministër shkop gome apo si shkop gome kryeministër. Asnjëherë.
“Dritarja e diktatorit si llampë morgu /
Rri mbi bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’”, kishte shkruar poeti Hamit Aliaj, si për të na kujtuar se vdekjen e kemi aty, ende të pakallur.
Ajo rri pezull mbi bulevard.
— POSHTË FANTAZMËS —
Studentët janë prej ditësh protestuesit e parë. Me ta u bashkuan edhe të tjerë: shumë gjimnazistë, plot qytetarë, edhe pensionistë.
U bënë bashkë me ta edhe profesorët e universiteteve.
— Nuk i lëmë vetëm studentët, — thanë ata.
Dhe dolën në bulevard. Bashkë me studentët, aty ku, për dreq, është kaq e vërtetë edhe sot e gjithë ditën ajo që pati shkruar vite më parë Hamit Alija:
“Në dy dritare vjell historia:
Nga dritarja e Diktatorit, te Kryeministria!”
Gjatë gjithë verës, natë për natë, aty, përpara se të vinin studentët, mblidheshin “revolucionarët” e flamingove.
Protesta e tyre paqësore dhe qytetare u bë e njohur dhe u admirua në mbarë botën.
Vetëm nga dy dritaret ku vjell historia nuk e panë dhe nuk e deshën protestën paqësore të “revolucionarëve” të flamingove. Madje, prej atyre dritareve u turrën sorrat dhe korbat për t’i vrarë flamingot.
I ndërseu fantazma. I ndërseu dhe u sul edhe vetë si flamë mbi ta.
Ngjyrat e bukura dhe kakarisjet plot dëshpërim, por edhe këmbëngulje, të flamingove ishin bërë të padurueshme për sorrat dhe korbat e zinj. I përzunë, i flakën tej, andej nga kishin ardhur, drejt dy dritareve ku vjell historia.
Studentët i dhanë tjetër përmasë protestës. Edhe tjetër forcë.
Ata u mblodhën në sheshin e tyre të protestës, në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit. Njësoj si më 2018. Dhe për të njëjtat arsye, për të njëjtat shkaqe e motive.
Jo vetëm që asgjë nuk ka ndryshuar për mirë, siç u premtua me Paktin për Universitetin që atëherë, por gjendja është përkeqësuar.
Edhe qeverisja është përkeqësuar. Korrupsioni është rritur. Qeveritarët e korruptuar janë shtuar. Arroganca, mospërfillja, përçmimi po ashtu.
Prandaj protesta e studentëve është legjitime. Zëri i tyre erdhi dhe u ngrit si një buçimë shpirti që dhemb e nuk duron.
Përsëri askush nuk dëgjoi. Dhe fantazma bëri të vetmen gjë që di të bëjë: ndërseu dhunën mbi studentët. Përballë tyre vuri policinë, yshtur prej djallëzisë së frikacakut, për t’i vënë kundër vëllezërve të tyre studentë.
Kaq u desh dhe konflikti mori udhë mu në rrugën pranë Ministrisë së Arsimit.
Paradoks dhe shëmti bashkë.
Ndër të parët që e pësoi rëndë nga dhuna e disa policëve, edhe pse nuk ishte protestues, qe i riu 19-vjeçar nga Librazhdi, Ledion Balla.
Ndërhyrja e dhunshme e disa policëve i theu këmbën. Pamjet e filmuara, ku këmba i varej si një lavjerrës, pushtuan menjëherë rrjetet, portalet dhe ekranet.
Ledioni, kur pa se përplasja mes studentëve dhe policëve po merrte përmasat e një konflikti të dhunshëm, tentoi të largohej nga lokali ku gjendej aty pranë në punë të vet, por mbeti viktimë e një veprimi kriminal, që, për fat të keq, u krye nga ata që, më së pari, e kanë për detyrë t’i mbrojnë qytetarët.
Klevi Meta, gjirokastriti i sapodiplomuar në drejtësi, u bë i famshëm si protestuesi që i vetëm u sul mbi gjashtë policë të forcave speciale, duke shpërfaqur kësisoj jo vetëm forcën e vet që e ushqente revolta kundër padrejtësive, por edhe paaftësinë e atyre që kishte përballë, të cilët nuk e ndalnin dot. Ndaj u thirr në ndihmë dhuna. Pra, jo forca që ligji ia jep policit si përfaqësues i shtetit, por dhuna.
Pasi e lidhën dhe e vunë poshtë, të gjashtët e ca të tjerë bashkë me ta nuk ia kursyen shkopinjtë e gomës dhe as shqelmat e tyre. Dhe, si shenjë të triumfit e të hakmarrjes, për ta poshtëruar, e lidhën me zinxhirë në një prej portave të hekurta të Ministrisë së Arsimit. Në anë të rrugës dhe në sytë e të gjithëve.
Çfarë makabriteti!
Dhe ç’skenë e turpshme do të mbetet ajo pamje përjetësisht në vetë Ministrinë e Arsimit!
Ndërsa pamjet e Klevi Metës, edhe pse ashtu të lidhur, por të pa nënshtruar, u shpërndanë anë e mbanë e ndezën fantazinë si pamjet e një të riu – simbol të rezistencës.
Mu në atë bulevard, fare pranë vendit ku e lidhën Klevi Metën, 85-vjet më parë, 19-vjeçari Vasil Laçi qëlloi mbi Perandorin fashist për t’u bërë e mbetur heroi i antifashizmit shqiptar.
Në atë skenë krimi, pas dy–tre dotëve të para të protestës, shkoi edhe vetë zoti Kryeministër. Mblodhi disa drejtorë të shkollave të mesme, para të cilëve kumtoi kumtin e vet se do t’u heqë studentëve protestues të drejtën e përfitimit të bursës, të drejtën e ekselencës, të drejtën e protestës e ca të tjera të këtilla. Tha edhe se prindërit do të paguajnë dëmet e fëmijëve, nëse i linin të dilnin në protestë!
Duke e lënë mënjanë “lajthitjen në objekt”, siç mund të shprehen juristët, sepse gjithë ato të drejta që lidhen me meritokracinë, studentëve ua jep ligji dhe jo Kryeministri, është qesharake logjika sipas së cilës prindërit duhet të paguajnë për fëmijët e tyre, sepse është në kundërshti me “parimin” e përgjegjësisë individuale, të cilin Kryeministri nuk rresht duke na e kujtuar sa herë që ata që vetë i ka zgjedhur për t’i pasur pranë në pushtetin e tij bien në “prangat” e SPAK-ut.
Mirë Kryeministri, se fundja ai, ai është, po si mund të jenë aq qesharakë e deri të neveritshëm ata të tjerët përballë tij, vetë zonja ministre e arsimit dhe drejtorët e shkollave, që më parë se të tillë janë prindër, që nuk thanë një fjalë për faktin që takimi i tyre me Kryeministrin mbahej në atë ministri, ku në një sallë tjetër ishin mbajtur të lidhur e të shtrirë në dysheme si të burgosur dhjetëra nxënës e studentë!
Po për pamjet skandaloze të 21-vjeçarit Muhamet Skana, që u godit kafshërisht mu pranë Ministrisë së Arsimit nga një bandit me uniformë policie dhe u përplas me kokë në asfalt, duke mbetur pa ndjenja, sepse pësoi krisje të shtyllës kurrizore dhe thyerje të kafkës, pse askush prej tyre, as vetë zoti Kryeministër, nuk thanë asnjë fjalë?!
Djaloshi me çantën me libra mbi shpinë nuk po bënte asgjë të paligjshme. Po qëndronte i vetëm në mes të rrugës, me duart në xhepa dhe sytë nga ministria, kur krejt papritur e gjen veten të shembur në tokë pa ndjenja, i përplasur nga një kafshë!
Muhamet Skana, njësoj si Klevi Meta dhe si Ledion Balla, edhe si mijëra protestues të tjerë, janë “ATA”. Nuk janë “NE”.
Ata janë dora e zezë, ata janë armiku, janë agjenti, janë guri, janë dhuna, janë djegia, janë shkatërrimi.
Ne jemi pushteti, jemi forca, jemi ligji, jemi shkopi i gomës, jemi gazi lotsjellës! Dhe pse jemi pushteti, forca, ligji, shkopi i gomës, gazi lotsjellës, mund të bëjmë ç’të duam.
Ne jemi superiorët.
Sepse kemi 800 mijë votat!
— VRASËSIT E DRITËS —
Erjon Vishkullit ia copëtoi njërin sy plumbi prej gome i qëlluar nga arma e një polici. I riu 28-vjeçar ishte i pambrojtur. Nuk sulmoi askënd. Nuk ishte as nga ata me maskë dhe as nga ata të gurëve.
Ishte një protestues. Po a është kjo arsye që ai që është përballë me armën dhe uniformën e Policisë së Shtetit të ta marrë syrin, të ta vrasë dritën?!
Dhe përse?
Për pushtetin e Kryeministrit, i cili thotë: “Nuk e jap dorëheqjen, sepse kam kontratë me 800 mijë votuesit e mi!”
Po syri i vrarë i Erjon Vishkullit, a është parashikuar në atë “kontratën” e Kryeministrit me 800 mijë votuesit, të cilët ai i quan të tijët?
Falë gazetarit hero Osman Stafa, dhe këtë mund ta them me nderimin më të madh për atë djalë, u bë e mundur t’i shpëtohej jeta një qytetari, të cilin disa policë nga njësitë “Shqiponja”, pasi e rrahën mirë e mirë duke e goditur me shkopinjtë e gomës në kokë, e lanë të braktisur në një anë rruge, diku pranë shkollës “Emin Duraku”, në Tiranën e Re.
Mirë që në këtë rast u gjend aty pranë gazetari i luftës kundër së keqes, i cili pati guximin t’i ndiqte dhe t’i filmonte policët në aktin e tyre burracak dhe të pabesë e t’ia shpëtonte jetën qytetarit të dhunuar, edhe falë ndërhyrjes së shpejtë të urgjencës, po le të mendojmë për një çast se ç’mund të ndodhte me jetën e tij nëse nuk do të gjendej aty Osman Stafa.
Gjatë gjithë këtyre ditëve të protestës, janë raportuar me dhjetëra e dhjetëra raste të tilla dhune e barbarie. Po sa raste të tjera mund të kenë ndodhur jashtë kamerave të gazetarëve apo të qytetarëve që filmojnë me aparatet e tyre celularë?
Pa asnjë mëdyshje, dhuna është e papranueshme prej kujtdo që shfaqet apo manifestohet. Dhuna është e dënueshme. Dhe duhet dënuar me forcë. Por ama, dënimin e jep ligji, askush tjetër.
As polici në rrugë, rrugicë apo lulishte që të dhunon pasi të ka lidhur, dhe as ai banditi tjetër me maskë e kapuç të zi që shfrytëzon turmën e revoltuar, qëllon me gurë duke fshehur dorën, për ta bërë pis protestën e për t’i dhënë më shumë zjarr dhunës.
Polici i plagosur nga gurët apo protestuesi i dhunuar e gjymtuar nga dhuna e policit, janë viktima të marrisë së dashurisë sadiste për pushtetin dhe përfitimet që një pushtet i abuzuar dhe i korruptuar të ofron.
Ketu duhet të fillojë edhe çlirimi prej të keqes, sepse ajo ushqen dhunën, përplasjen, konfliktin.
- • • • •
Dhuna është një udhë pa shteg daljeje. Studentët e protestës dhe të tjerët si ata kanë armë të tyren të drejtën.
Kryeministri, që ka armë 800 mijë votat, të cilat i përmend sa herë është në hall, duhet ta mësojë se ata që e kanë votuar nuk ia kanë dhënë të drejtën që, pas 800 mijë votave të tyre, të fshehë një çetë keqbërësish të korruptuar, zyrtarë të niveleve më të larta pranë atij vetë, dhe as ta turrë ushtrinë e pushtetit të tij kundër studentëve, gjimnazistëve dhe gjithë protestuesve të tjerë. Ato nuk janë 800 mijë vota – plumb prej gome për t’u marrë të rinjve sytë e ballit e as për t’i gjymtuar pse protestojnë.
Drita e vrarë e syrit të Erjon Vishkullit kërkon shpagim.
Shpagim me drejtësi.
Dhe drejtësia fillon me dorëheqjen e Kryeministrit, fantazma e gjallë e të cilit është derdhur e qëndron ndehur mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.





