‘Shumë e drejtë shefi i madh’/ Dash Sulës i kapin mat bisedat me Ramën, si kapitulloi “Gjeli i Peqinit” përpara kryeministrit për një karrige

Historia politike shqiptare ka parë transformime të shumta, por rënia e lirë e Dashnor Sulës po thyen çdo rekord të servilizmit politik. Ish-deputeti i opozitës, i cili dikur shqyente fytin në foltoren e Parlamentit, ngrinte pankarta e betohej se do të përmbyste “regjimin” e Edi Ramës, ka përfunduar sot në rolin e një zyrtari të bindur që zbaton me përkushtim çdo porosi të kryeministrit.
Një moment pakujdesie live gjatë një interviste në Top News ka zbuluar kontradiktat mes deklaratave të tij të dikurshme dhe qëndrimit të sotëm. Në përpjekje dëshpëruese për të pastruar figurën e Ramës e për të treguar sa “parimor” është ai kundër nepotizmit, Kryeinspektori i Përgjithshëm Sula publikoi një audiomesazh ku Rama i thoshte:
“Jo po djali i këtij, jo po djali i atij… mos i dëgjo fare, më dëgjo mua o burrë, vër atë që është më i sakti”.
Mirëpo, ekrani i celularit tradhtoi Sulën duke kapur edhe fundin e bisedës me shkrim. Teksti i nisur nga ai sapo mbylli audion është një dëshmi e qartë e kapitullimit:
“Shum e drejte Shefi Madh. Dhe te vleresoi maksimalisht per kete qasje pozitive ndaj njerzve qe e meritoin te vleresohen. Sinqerisht.”

një qëndrim që bie në kontrast me retorikën e tij të dikurshme vjen nga i njëjti njeri të cilin Edi Rama e tallte rregullisht publikisht në Parlament duke i thirrur:
“Mos bërtit ti o gjel deti i Peqinit!” dhe “Pusho o gjel deti se nuk je në festën e gjelave!”.
Atëherë Sula, për të shpëtuar fytyrën para kamerave, kthehej me replika si:
“Më mirë gjel me shtyp apo pulë të shtypesh! Kryeministrit tonë i pjell gjeli flori!”.
Ai lëshonte deklarata të ashpra duke akuzuar qeverinë se me politikat e saj kishte zbrazur vendin dhe kishte detyruar të rinjtë të merrnin rrugën e mërgimit.
Por me sa duket, sapo PD e la jashtë listave për deputet dhe Rama i ofroi karrigen e ngrohtë të Kryeinspektorit të Përgjithshëm, “përbuzësi i shqiptarëve” u kthye urgjentisht në “Shefin e Madh”.
Për të vërtetuar se ai nuk është thjesht një nëpunës, por një i konvertuar i lumtur në oborrin e Rilindjes, Sula kaloi në deklarata që ngjallën debat për raportin e tij me kryeministrin:
“Nuk ja shpërdorj besimin atij burri që sot është Kryeministri i Shqipërisë. Ju do thoni ke rënë në dashuri me të? PO. Kam 6 muaj në krye të këtij inspektoriati, zero ndërhyrje nga ai burrë. Komunikojmë në përditshmëri.”
Për të dëshmuar ‘dashurinë’ ndaj kryeministrit, në fillim të shtatorit 2026 Sula u fotografua duke mbajtur shënime me përkushtim prej nxënësi ndërsa fliste Rama.
Ky distancim total nga njerëzit që dikur e votonin u pa qartë edhe këto ditë. Ndërsa rrugët e Tiranës ziejnë nga protestat e qytetarëve dhe të rinjve që ngrihen kundër skandaleve të qeverisë, Kryeinspektori i Ramës u kërkon protestuesve “maturi” dhe përsërit thirrjet për dialog të Kryeministrisë, duke mos thënë asnjë fjalë për faktin se vartësit e tij u akuzuan publikisht se mbronin selitë e PS-së me hunj në duar. Komunikimi i tyre i përditshëm në orët e vona të natës tregon se “Gjeli i Peqinit” ka pësuar ndryshimin e theksuar të profilit të tij politik, duke hequr pendët e opozitarit për t’u kthyer në një zyrtar që sot shfaq një raport të afërt me kryeministrin.





